3.9 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

VALA E SHTRENJTIMEVE

Më të lexuarat

Rritja e çmimeve ka arritur pikën më të lartë në muajin nëntor. Tashmë në treg, përveç bukës, është shtrenjtuar edhe vaji, duhani dhe shumë produkte tjera. Një litër vaj nga 1.60 euro, sa ka qenë, mund të blihet vetëm me dy euro. Sipas Agjencisë së Statistikave, rritja e çmimeve këtë muaj ishte 3,5 për qind.

Pas rrymës e bukës, tani shtrenjtohet edhe vaji. Çmimi i këtij produkti ka arritur kulmin muajin nëntor – dy euro një litër. Vetëm pak kohë më parë një litër vaj blihej me 1.60 euro.

Si këto produkte, në muajin nëntor janë shtrenjtuar edhe nafta e benzina, mishi, qumështi, djathi dhe vezët, pemët e shumë produkte tjera, shkruan Express.

Rritjet e fundit i pranojnë edhe shitësit, por nuk pranojnë të flasin për media me emër, me arsyetim se kjo do të ndikonte në biznesin e tyre.

“Gjithçka është shtrenjtuar nga pak e më së shumti vaji. Një litër vaj ka qenë 1.60 euro, tash është 1.90 euro e në disa vende edhe 2 euro”, tregon një shitës.

Sipas tij, në përgjithësi produktet janë shtrenjtuar në tërë Kosovën, kryesisht ato që vijnë nga importi.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve për muajin nëntor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 3.5 për qind. Edhe kësaj radhe të prekur nga rritja janë artikujt bazë, siç është buka dhe vaji.

“Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 3,5% në muajin nëntor 2012 krahasuar me muajin nëntor 2011”, thuhet në raportin e ESK-së.

Kështu, kosovarëve gjithnjë e më tepër po u vështirësohet jeta. Me të ardhurat e tanishme, qytetarët ankohen se nuk po arrijnë ta mbushin shportën as me produktet elementare të konsumit.

Agim Vokshi nga Prishtina thotë se është paralajmëruar se do të ketë shtrenjtim, mirëpo nuk e ka pritur se do të shtrenjtohet jeta deri në këtë masë.

“Jeta gjithnjë po shtrenjtohet, kurse të ardhurat po mbesin të njëjta. Nuk e di se si do t’ia dalim. Me të vërtetë, fajtorë për këtë janë taksat e larta të Qeverisë, por edhe mafia që po funksionon në kuadër të bizneseve. Qeveria me biznese janë bërë bashkë, e po na rrjepin ne si popull”, ankohet Vokshi.

Ankesa të ngjashme kanë edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët javët e fundit kanë qenë dëshmitarë të lëvizjeve të çmimeve në tregun e Kosovës.

Sipas statistikave, ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te perimet me 13,2 për qind, buka dhe drithërat me 5,3 për qind, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera 7,9 për qind, duhani 7,8 për qind, mishi 2,2 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 3,2 për qind, vajrat dhe yndyrat 12,4 për qind, pemët 9,6 për qind dhe nafta e benzina me 2,3 për qind.

“Veshja (1,7%), këpucët (5,2%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (11,8%), orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat tjera për dysheme (3,1%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (2,9%), shërbimet hoteliere(1,7%)”, thuhet në raport.

Një rritje të çmimeve që do të thellonte krizën sociale në vend e pati paralajmëruar muaj më parë Oda Ekonomike e Kosovës. Në një hulumtim të vetin, OEK-u alarmoi për një valë shtrenjtimesh të artikujve bazë në muajin tetor të këtij viti. Madje patën kërkuar urgjentisht nga institucionet krijimin e një pakoje sociale shtesë për kategoritë me të rrezikuara.kohaislame

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit