6.1 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Ushtria e Egjiptit urdhëron demonstruesit të largohen nga presidenca

Më të lexuarat

Ushtria e Egjiptit ka urdhëruar demonstruesit që të largohen nga zona përreth pallatit presidencial në Kajro.

Kjo hapësirë ka qenë skenë e përleshjeve të dhunshme ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Muhammad Morsi.

Luftimet e së mërkurës mbrëma kanë lënë të paktën pesë njerëz të vrarë dhe disa qindra të plagosur. Ushtria e Egjiptit ka vendosur tanket dhe autoblindat jashtë presidencës.

Me urdhrin e ushtrisë, demonstruesit kanë nisur të largohen në mënyrë paqësore.

Situata paraqet krizën më të rëndë politike në Egjipt që prej protestave të vitit të kaluar, që kanë çuar në përmbysjen e sunduesit veteran, Hosni Mubarak.

​​“Ne mbajmë presidentin Morsi dhe qeverinë e tij plotësisht përgjegjëse për dhunën, e cila po ndodh sot në Egjipt. Ajo çfarë po ndodh para pallatit presidencial, dhuna, pa mbrojtje nga shteti, është një njoftim nga lidershipi dhe presidenti se ata nuk e praktikojnë përgjegjësinë e tyre për mbrojtjen e vendit”, ka thënë ElBaradei.

Agjencitë shtetërore të lajmeve kanë thënë se tanket janë vendosur jashtë pallatit presidencial “për të siguruar ndërtesën”, pas luftimeve që kanë vazhduar edhe mëngjesin e sotëm.

Raporte për përleshje të dhunshme ka pasur edhe në qytete të tjera të Egjiptit.

Dhuna ka vënë përballë mbështetësit e Morsit nga Vëllazëria Myslimane dhe grupet islamike me grupet liberale, të krishtera dhe të tjera.

Opozita do që presidenti të shfuqizojë dekretin e 22 nëntorit dhe të tërheqë projekt-kushtetutën, e cila thuhet se është nxjerrë nga një asamble e dominuar me aleatë islamikë të presidentit.

Ish-kreu i Ligës Arabe, Amr Moussa, tani udhëheqës i opozitës, i ka bërë thirrje popullit egjiptian që të bashkohet në mbështetje të demokracisë.

​​“Sot, nesër dhe gjithë kohën, zëri jonë duhet të ngrihet lart. Të tregojmë se jemi për një komb demokratik dhe jo për status-quo, apo ndarje të popullit egjiptian, apo imponim të një kushtetute të papranueshme”, ka thënë Moussa.

Me gjithë trazirat, nënpresidenti i Egjiptit, Mahmud Mekky, ka thënë se referendumi për kushtetutën do të mbahet më 15 dhjetor, ashtu siç është planifikuar.

Shtetet e Bashkuara, të cilat ndihmojnë ushtrinë e Egjiptit me 1.3 miliard dollarë çdo vit, kanë bërë thirrje për dialog.(v.t.)/rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit