1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Ushtria amerikane ka shpërndarë kampionë antraksi në 10 shtete

Më të lexuarat

Ushtria amerikane ka dërguar “pa dashje” mostra të baktereve të gjalla të antraksit në laboratorët e nëntë shteteve amerikane dhe një në një bazë ushtarake amerikane në Korenë e Jugut, informoi të mërkurën Pentagoni. Mostrat, të cilat në parim duhet të përmbanin antraks të vdekur, ose joaktiv, u dërguan në periudhën nga marsi 2014 deri në mars 2015 në laboratorët e Merilend, Teksas, Uiskonsin, Deleuer, Nju Xhersi, Tenesi, Nju Jork, Kaliforni dhe Virxhinia si dhe në Korenë e Jugut.
 
Pentagoni pohoi se askush nuk është infektuar dhe nuk ka rrezik për publikun, por raportoi se katër persona ndodhen nën një program masash parandaluese pasi kanë qenë të ekspozuar ndaj antraksit.
 
Këta njerëz kanë qenë të ekspozuar ndaj bakterit (i cili në rast se thithet mund të shkaktojë vdekjen), kur kryen “procedurën e hedhjes së agjentit në ajër”. Mostrat e antraksit u dërguan nga një laborator i ushtrisë në Utah si pjesë e një programi për zhvillimin e një analize që lejon identifikimin e kërcënimeve para sulmeve të ndryshme biologjike.
 
Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, tha se është hapur një hetim për të përcaktuar atë çfarë ka ndodhur, dhe njoftoi se Departamenti i Mbrojtjes ka ndaluar dërgesat e antraksit joaktiv derisa të sqarohen shkaqet.
 
Forcat amerikane në Korenë e Jugut njoftuan dje se kanë shkatërruar mostrën e antraksit që Pentagoni aksidentalisht dërgoi në një nga bazat e tyre në vendin aziatik. Mostra e dërguar në bazën Osan (në jug të Seulit) u shkatërrua menjëherë pasi u zbulua se ajo nuk përmbante antraks inert, ashtu siç mendohej por bakterin e gjallë, thanë forcat amerikane në Korenë e Jugut në një deklaratë.
 
Forcat amerikane në Korenë e Jugut (USFK) deklaruan gjithashtu se “nuk ka rrezik për njerëzit”, ashtu siç siguroi dhe Pentagoni kur ky rast i pazakontë doli në dritë.
 
USFK shtoi se disa ushtarë mund të ketë pasur ndonjë kontakt me substancën gjatë një stërvitjeje trajnimi, por askush deri më tani nuk ka shfaqur simptoma që mund të lidhen me ekspozimin ndaj bakterit të antraksit./DITA
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit