0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Urtësia e Profesorit: Si ta jetosh jetën tënde të lumtur?

Më të lexuarat

Në shtëpinë e profesorit të vjetër u takuan studentët që kishin pas diplomuar shumë vite më parë dhe i kishin pas braktisur karriget e universitetit. U takuan pas shumë viteve dhe ndërkohë, ata kishin pas arritur suksese në jetën e tyre profesionale dhe kishin marrë pozita të larta në shoqëri dhe ishin bërë pasanikë.
Pas fjalëve përshëndetëse dhe muhabeteve rreth përditshmërisë së tyre, filluan t’i paraqesin edhe presionet që i fitojnë nga puna, t’i paraqesin brengat dhe ajo që iu shkakton probleme. Profesori për një çast u largua nga ta, e pastaj u kthye duke bartur me vete një ibrik të madh kafeje dhe filxhanë në forma dhe me ngjyra të ndryshme.
Filxhanë të shtrenjtë kinezë, filxhanë nga xhami i thjeshtë, filxhanë nga plastika, filxhanë nga kristali, e disa nga to, ishin me dizajnë dhe me ngjyra të mrekullueshme dhe normalisht të shtrenjta në çmim, dhe po ashtu, kishte edhe aso lloje që i gjen edhe nëpër shtëpitë më të varfra.

 

Profesori u tha nxënësve të vet:
– Urdhëroni, secili le të merr kafe për veti.
Kur çdonjëri nga ta e mori filxhanin e vet, profesori foli përsëri:

A e vërejtët se në duart tuaja i keni vetëm filxhanët e bukura dhe i braktisët ato të thjeshtat? E natyrshme është që çdonjëri të shkojë pas asaj që është më e bukur dhe kjo është ajo që u jep brenga dhe probleme që nuk keni nevojë për to. Në të vërtetë ju e doni kafenë, e jo filxhanin, mirëpo ju u ngutët t’i merrni filxhanët e bukura dhe të shtrenjta, e pastaj e vërejta se secili prej jush e shikonte se çfarë ka marrë tjetri në dorën e tij. Të supozojmë se jeta është kafeja, atëherë puna, pasuria dhe pozita shoqërore janë filxhanët. Pra, ato (filxhanët) janë thjesht mjete që përfshijnë jetën, kurse cilësia e jetës (kafeja) mbetet e njëjtë, nuk ndryshon dhe ne nëse koncentrohemi vetëm në filxhanin, do ta humbim mundësinë ta shijojmë kënaqësinë e kafesë. Prandaj ju këshilloj që të mos përkujdeseni për gotat e filxhanët dhe në vend të saj ju këshilloj që të kënaqeni me kafenë!
Në realitet kjo është sëmundja nga e cila ankohen shumica. Ekziston një lloj i njerëzve që nuk e falënderojnë Allahun për atë që e posedojnë, sado që arrijnë nga suksesi, sepse ata gjithmonë e shikojnë se çfarë posedojnë të tjerët.
Martohet me grua që ka moral, mirëpo i mbetet bindja se tjetri e ka gruan më të mirë se të veten. E shikon shtëpinë ku banon dhe fillon të flet në vete se tjetri shtëpinë e ka shumë më të mirë se të veten. Në vend se të kënaqet me jetën, me familjen e vet dhe me të afërmit e vet, ai mendon për të tjerët dhe thotë: Ku ti kisha ato që i ka ai!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, thotë: “Kush zgjohet i sigurt në veten e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe me ushqimin ditor të tij, është njëlloj sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.”

 

Hoxhë Irfan Jahiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit