3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Urojnë Amerikën

Më të lexuarat

Popullit amerikanë në ditën e përvjetorit të pavarësisë, i janë shtuar edhe shumë urime të veçanta nga udhëheqës shqiptarë të institucionesh në Kosovë dhe Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha
Në vigjilje të Festës Kombëtare, 236-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, që kremtohet më 4 Korrik, kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh urimi Presidentit amerikan Barack Obama.
Në mesazhin e tij kryeministri Berisha i shkruan Obamës, se në Ditën e madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh e strategjik të Shqipërisë e kombit shqiptar, i përcjell përshëndetjet më të përzemërta e miqësore për lartësimin e mëtejshëm të kombit të madh amerikan, udhëheqës dhe simbol i lirisë e demokracisë për të gjithë popujt e njerëzit e lirë anembanë globit.
Berisha thekson se nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës 236 vjet më parë është një ndër stacionet më të rëndësishëm të qytetërimit.
“Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776 përbën jo vetëm ngjarjen më të shënuar në historinë e kombit të madh amerikan, por edhe një ndër stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të qytetërimit tonë dhe vlerës më të lartë të shoqërisë njerëzore, lirisë. Kurrë ndonjëherë më parë, në asnjë dokument të një rëndësie të tillë, nuk ishin sanksionuar aq solemnisht të vërtetat sublime të njerëzimit; e drejta e jetës, lirisë, barazisë dhe lumturisë individuale e detyrimi i shtetit për t’iu dedikuar atyre dhe për t’i garantuar ato, sesa në Kushtetutën e SHBA-ve”, shprehet zoti Berisha.
Kryeministri shkruan më tej se shqiptarët e festojnë këtë vit 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ndërton demokracinë të bazuar në vlerat e tregut dhe jep kontributin në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë por dhe në rajone të tjera të botës.
“Në të gjitha arritjet historike të kombit tim, mbështetja e paçmuar, kontributi i jazhtëzakonshëm dhe ndihma bujare e SHBA-ve, e ideuar dhe e mbështetur tërësisht mbi vlerat e lirisë, kanë përbërë faktor vendimtar për arritjen e tyre. Ndaj dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’Ju shprehur Juve personalisht, qeverisë së SHBA-ve, Senatit dhe Kongresit Amerikan dhe kombit Tuaj të madh e mik të shqiptarëve falënderimet e mia më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë dhe në emër të shqiptarëve për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e paçmuar. Sikundër dëshiroj t’Ju ripohoj vendosmërinë dhe angazhimin tim, të qeverisë shqiptare e të vendit e kombit tim për të konsoliduar edhe më tej në të ardhmen këtë partneritet të ngushtë e frytdhënës ndërmjet të dyja vendeve e kombeve, në dobi të së mirës e interesit më të lartë të tyre dhe paqes e miqësisë në botë”, nënvizohet në mesazhin e kryeministrit.
Në përfundim të mesazhit të urimit, kryeministri Berisha i shpreh mirënjohjen presidentit amerikan Barack Obama, duke e ftuar përzemërsisht në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë për të vizituar dhe kremtuar këtë jubile historik

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Presidentja Atifete Jahjaga ka uruar popullin amerikan duke thënë se po iu bashkëngjitën festës së tyre, jo për shkak të prejardhjes por për ta ndjekur një ëndërr të përbashkët.
Në një fjalë rasti në Ambasadën Amerikane në Kosovë Jahjaga ka thënë se ju bashkohen qindra milionë amerikanëve, qytetarëve të botës së lirë, që po kremtojnë 236 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tokës së mundësive të mëdha.
“Po i bashkohemi në festë qytetarëve të këtij shteti, paraardhësit e të cilit krijuan një atdhe ku qytetarët zgjodhën të lidhin fatin e tyre me njëri tjetrin. Jo për shkak të prejardhjes së tyre, por për të ndjekur një ëndërr të përbashkët. Ëndrrën e një shembulli të demokracisë ku do të jetojnë të lirë dhe ku do të jenë pjesëmarrës aktivë në drejtimet që merr vendi i tyre”, ka thënë Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Po ashtu popullin amerikan e ka uruar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi cili e ka përgëzuar Presidentin, Barak Obama, duke i thënë që: ‘Dita e Pavarësisë së SHBA na kujton historinë e pasur të vendit tuaj që u bë simbol i lirisë së individit, i lulëzimit të mirëqenies dhe i ndikimit të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
Në mesazhin e Kryeministrit më tutje shkruhet: “I nderuar Shkëlqesi, President Obama, Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, të Ju uroj 4 Korrikun, 236 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo datë historike ka bërë që Shtetet e Bashkuar të Amerikës të fillojnë një perspektivë të jashtëzakonshme të lirisë, demokracisë, zhvillimit kulturor e teknologjik në përmasa globale”, thuhet në mesazhin e Kryeministrit Thaçi.

Në letrën e Kryeministrit po ashtu theksohet se falë kapaciteteve të pashtershme të SHBA-ve, sot bota gëzon siguri globale, qarkullim të vlerave, ideve, mallrave dhe të mirave të tjera teknologjike dhe shkencore.
Thaqi, duke e uruar lulëzimin edhe më të madh të Amerikës dhe të popullit amerikan, shpreh edhe një herë konsideratën e lartë për Presidentin Obama, duke i premtuar se Kosova dhe qytetarët e saj kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndër miqtë më të sigurt dhe të përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i ka uruar ditën e pavarësisë presidentit të SHBA-ve, Barak Obama me anë të një mesazhi. Me 4 korrik, SHBA-të festojnë 236-vjetorin e pavarësisë. “Me rastin e Festës Kombëtare të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve urimet më të ngrohta dhe miqësore për sa më shumë lumturi, begati dhe përparim!”, shprehet Topi.
Presidenti shqiptar vlerëson marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe shpreh falenderim për mbështetjen ndaj Shqipërisë në proceset e integrimit euro-atlantik. “Është një fat i madh për kombin shqiptar që në momentet më të vështira historike të tij ka pasur përkrah një mik të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky fakt ka qenë dhe mbetet një forcë shtytëse për proceset demokratizuese në Shqipëri dhe një faktor sigurie për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, thuhet në mesazhin që Topi i drejton Obamës.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi
Kryeparalmantari Jakup Krasniqi, ka vendosur që popullin amerikanë ta uroj përmes kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Boehner.
Letra e Krasniqit drejtuar Boehner, përmban urimet e veçanta dhe fjalët më të bukura që ai mundohet ti përcjell popullit amerikanë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij. “Kam kënaqësinë e veçantë t’ ua përcjell urimet më të sinqerta Juve dhe tërë popullit amerikan”, shkruhet në letrën e kryeparlamentarit Krasniqi.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë pasur sukses në zhvillimin e marrëdhënieve të shkëlqyera. Unë jam i bindur se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të zgjerohen dhe intensifikohen. Me këtë rast, dëshiroj edhe njëherë t’ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkëpunim midis Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, theksohet në telegramin e kryeparlamnetarit Krasniqi.
Urime për ditën e përvjetorit të pavarësisë së Amerikës kanë dërguar edhe drejtues të tjerë institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit