Universiteti i Al Kajravinëve, më i vjetri në botë, i ndërtuar nga një grua
Ekspertë të historisë islame, e kanë konsideruar universitetin e Kajravinëve, në qytetin Fas në Marok, si universitetin më të lashtë në botë. Veç kësaj, universiteti njihet për rolin e tij ekonomik, shkencor, politik dhe civilizues, në përfshirjen e të gjithë ndjekësve të feve të tjera.
Shumë shpejt, ai u shndërrua në një “kupolë parlamenti” ku merreshin vendimet politike të paqes dhe të luftës, vendime të cilat dilnin të firmosura nga dijetarët më të mëdhenj të këtij universiteti. Vakëfet e universitetit ishin të mjaftueshme për të mbajtur popullatën e Marokut me ushqim përballë çfarëdo krize ekonomike të befasishme.
Të gjitha studimet historike, pajtohen me faktin se personi që hodhi themelet e këtij universiteti, ishte një grua, Fatime El-fihrije, një emër i cili u përjetësua në memorien e Afrikës Veriore. Ajo ishte një vajzë e cila bashkë me familjen ishin shpërngulur nga Hixhazi dhe ishin vendosur në Fas të Marokut. Pas viteve të gjata punë dhe përpjekje, familja e saj vë pasuri të shumta. Por pa kaluar shumë kohë, asaj i vdes babai, i shoqi dhe më pas vëllai. Kështu, bashkë me të motrën trashëguan pasuri të shumtë.
Fatime El-fihrij, e cila njihet ndryshe si Umul Benin, mendonte gjatë gjithë kohës si do e shpenzonte gjithë atë pasuri. Në fund, ajo vendosi të ndërtojë një xhami, e cila do i ruante emrin asaj dhe familjes pas vdekjes. Kështu, shpërblimi i kësaj vepre të mire do të vazhdonte edhe pas vdekjes së saj. Prandaj, menjëherë vendosi të rindërtojë xhaminë e Kajravinëve që nga koha e Idrisëve. Ajo e dyfishoi territorin e kësaj xhamie, duke blerë toka përreth saj dhe ia bashkëngjiti xhamisë.
Ajo i urdhëroi punëtorët që të gërmojnë në themelet e vjetra të xhamisë, për të nxjerrë gurët dhe materiale të tjera ndërtimi. Veç kësaj, punimet filluan dhe në oborrin e xhamisë së vjetër, për të hapur një pus i cili do të furnizonte punëtorët me ujë.
Ajo vetë u qëndronte punëtorëve tek koka, si të ishte një arkitekte e zonja, aq me qejf dhe pasion e kishte ndërtimin e kësaj vepre. Xhamia u ndërtua jo vetëm e madhe, por madhështore, me një pamje të mrekullueshme dhe arkitekturë tërheqëse.
Me fillimin e muajit të Ramazanit të vitit 245 hixhri (859), xhamia u përfundua dhe Fatime El-fihrij fali namazin e mirënjohjes karshi Zotit, që ia mundësoi ndërtimin e xhamisë.
Abdurrahman Ibnu Haldun thotë:”Ndërtimi i kësaj xhamie, bëri ndezi pasionin e mbretërve dhe pushtetarëve për të ndjekur të njëjtën linjë.”
Xhamia e Kareuinëve, bashkë me xhaminë Andalus të cilën e ndërtoi motra e Fatimes, vazhdojnë të jenë flamurtarë të përhapjes së Islamit dhe dijeve në mbarë Afrikën Veriore.
Xhamia e famshme e Kajravinëve, u shndërrua shumë shpejt në një institut fetar të mirëfilltë dhe në një akademi shkencash, për shkak të kërkesave në rritje për institucione arsimore. Kështu, Fatime El-fihrij, hyri në histori si themeluesja e universitetit të parë arab dhe islam në këto vende.
Në këtë universitet, fillimisht mësoheshin shkencat fetare, më pas filluan dhe ato të gjuhës dhe shkenca të fushave të ndryshme, si mjekësia, gjeografia, historia islame, logjika, matematika, kimia, astronomia etj…
Për të studiuar në universitetin e Kajrauinëve, studentët duhet të kishin mësuar më parë nëpër mejtepe. Studentët e universitetit, banonin në ambientet përreth, ku çdo student banonte në një dhomë bashkë me një tjetër ose më shumë. Në çdo vit, studionin 160 studentë, të cilëve u jepej dhe ushqimi i përditshëm.
Një traditë e universitetit, ishte që për çdo vit, zgjidhej “sulltani i studentëve”, i cili hipej në kalin e Emirit dhe shoqërohej me një çadër mbi kokë, siç bëhej me sulltanët e vërtetë. Ai urdhëronte të formohej oborri përkatës i tij, i cili përbëhej nga kolegët studentë. Sulltani i studentëve vizitohej nga vetë Emiri i vendit në një ditë të shënuar, gjatë javës së dëfrimit, siç e quanin ata. Gjatë kësaj jave, të gjithë studentët shkëputeshin nga mësimet e përditshme dhe dëfreheshin e argëtoheshin, të shoqëruar nga profesorët e tyre.
Përveç kësaj, studentët organizonin aktivitete të ndryshme, sidomos kur dikush prej tyre arrinte rezultate shumë të larta. Në kësi rastesh, studentët e tjerë e mbanin në krahë dhe e çonin tek salla ku i dorëzohej dhe një çmim.
Profesorët që jepnin mësim aty, ishin nga më të aftët dhe jepnin mësim vetëm pasi të kishin marrë rekomandime nga një sërë dijetarësh. Profesorët kishin një veshje karakteristike me ngjyrë të bardhë. Emirët e ndryshëm u jepnin shpërblime të majme për mundin dhe kontributin që jepnin. Duke parë mbarëvajtjen e këtij institucioni, shumë pasanikë dhuronin vakëfe, me të cilat mbuloheshin shpenzimet e stafit pedagogjik, muezinëve, predikuesve dhe të studentëve. Me t’iu besuar misioni i mësimdhënies në këtë universitet, profesorët e flinin mendjen për çështjet e jetesës, pasi të ardhurat ishin të majme. Atyre u garantohej jetesa për gjithë jetën, pasi atëherë nuk njihej pensioni.
Studimi në universitetin e Kajravinëve, nuk ishte i ndarë në vite dhe nuk ekzistonin kritere të moshës për studentët. Gjithçka varej nga aftësitë përthithëse të studentëve dhe dëshirën e tyre për tu thelluar më tej. Nëse studenti dëshironte të kalojë nga një nivel në një tjetër, duhej ti nënshtrohej një provimi.
Administrator i universitetit, zakonisht ishte kadiu i qytetit, i cili jepte dhe licensën për profesorët që japin mësim, ashtu siç miratonte dhe buxhetin.
Studentët bënin pushim dy ditë në javë, të enjten dhe të premten, ashtu siç bënin pushime verore, dyzet ditë, përveç muajit të Ramazanit dhe bajrameve. Me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed a.s, universiteti organizonte një ceremoni madhështore. E njëjta gjë bëhej edhe me rastin e përfundimit të një libri nga studentët.
Universiteti ishte i pajisur dhe me një bibliotekë, e cila ndodhej në hyrjen e tij. Biblioteka ishte e pajisur me të gjitha librat e nevojshëm, pasi emirët almoravidë dhe almohadë, interesoheshin që asaj të mos i mungojë gjë. /ardhmeriaonline/