6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Universiteti “Haxhi Zeka” Humb Betejën e Tretë Gjyqësore

Më të lexuarat

Ish-ligjëruesja Majlinda Belegu fitoi betejën gjyqësore kundër Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Pejës thuhet se Universiteti “Haxhi Zeka” detyrohet ta kthejë në punë Belegun në afat prej shtatë ditësh.
 
“Detyrohet i padituri Universiteti “Haxhi Zeka” që paditësen Majlinda Belegu ta kthejë në marrdhënie pune në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë në afat prej 7 ditësh pas marrjes dhe plotfuqishmërisë  së aktgjykimit,” thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
 
Po ashtu Universiteti detyrohet që Belegut t’ia paguajë të gjitha pagat dhe përfitimet e tjera të humbura që nga dita e largimit nga puna.
 
E kontaktuar nga KALLXO.com Belegu tha se dyshon që Universiteti “Haxhi Zeka” do e zvarrisë kthimin e  saj në punë.
 
“Në seancë gjyqësore janë sqaruar të gjitha paqartësitë në lidhje me çështjen time, unë besoj në organet e drejtësisë dhe besoj që drejtësia triumfoi në rastin tim,” u shpreh Belegu.
 
Gjyqtarja e këtij rasti Afërdita Mulhaxha tha për KALLXO.com se gjykimi ka shkuar në rregull, ndërsa specifikoi se gjatë seancave të dyja palët kanë qenë shumë të matur.
 
“Greva e gjyqtarëve ka ndikuar që edhe ky gjykim si të tjerët të shtyhet pak, por në momentin e parë që jemi kthyer e kemi vazhduar punën, gjykimi ka shkuar në rregull të gjithë kanë qenë në nivel, madje i kam komplimentuar të dyja palët për qëndrimin, asnjëherë nuk ka pasur ofendime në mes tyre,”  u shpreh Mulhaxha.
 
Gazeta “Jeta në Kosovë” pati raportuar  vitin e kaluar për largimin e Majlinda Belegut dhe dy ligjëruesve tjerë nga ky Universitet.
 
Universiteti “Haxhi Zeka“ i kontaktuar ditë më parë nga KALLXO.com nuk deshi të flasë për çështjen e kthimit në punë të këtyre ligjëruesve.
 
Drenushë Gaxherri zëdhënëse e këtij Universiteti u përgjigj shkurt: ”Sa i përket kësaj pyetjeje drejtojuni organeve te drejtësisë”.
 
Gjykimin në shkallën e parë e ka fituar edhe Sokol Domniku dhe Bashkim Rrahmani ish-ligjërues të këtij Universiteti.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit