0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

‘Unë jam më i mirë se ai’

Më të lexuarat

Autore: Dina Basiony

“Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta” [Kur’an, 7:12]

Ndër aspektet më intriguese në lidhje me Kur’anin është se ai vazhdimisht e nxit lexuesin për të reflektuar, kuptuar dhe për të mbajtur mend aspektet në lidhje me realitetin e jetës. Në ajetin e lartpërmendur, lexuesit i kujtohet burimi i zilisë.

“Unë jam më i mirë se ai!” kjo ishte përgjigjja e shejtanit kur nuk iu nënshtrua urdhrit të Zotit. Ai xhelozoi. Ndërsa xhelozia është baza e shumë konflikteve përreth nesh gjithë kohën; qoftë mes anëtarëve të familjes, në vendin e punës apo në mes miqve.

Problemi është se kjo gjendje smire është rezultat i paaftësisë së dikujt për të parë gjërat ashtu si janë. Iblisi pa qenien e jashtme të Ademit alejhi-selam, paqja qoftë mbi të, por ai nuk e kishte parë anën e brendshme. Ai e shikoi Ademin alejhis-selam të krijuar nga balta. Ai nuk e shikoi zemrën e Ademit alejhis-selam që i dorëzohet Krijuesit të Tij të Madhëruar me dashurinë dhe përuljen më të madhe.
Vëzhgoni se çfarë i ka thënë Ademi alejhis-selam Perëndisë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. [Kur’an, 7:23]

Kur Ademi alejhis-selam bëri gabimin, ai menjëherë u pendua nga frika e humbjes së lidhjes dhe dashurisë me të Dashurin e Tij (xhel-le sha’nuhu). Por, kur Iblisi gaboi, ai u bë arrogant dhe argumentues, duke mos qenë në gjendje ta shikoi urtësinë që qëndronte pas kësaj. Kështu ndodh kur njerëzit e mbushur me urrejtje dhe zili, gjykojnë të tjerët nga pamja e tyre e jashtme, të paaftë ta shikojnë realitetin.

“Unë jam më i mirë. Unë meritoj më tepër. Ne kemi të drejtë, ata janë gabim…” Kjo është ajo që njeriu mendon në momentet e arrogancës dhe zilisë duke harruar se me veprimin e tillë, ata tregtojnë me cilësitë e bukura të nënshtrimit dhe besimit në Allahun e Madhëruar që karakterizon djemtë e Ademit alejhis-selam, krahasuar me ziliqarin i cili është krijuar nga zjarri!

Përulësia, durimi, butësia dhe besimi në Allahun (subhanehu ue te’ala) – është bukuria e Islamit. Megjithatë, smira, e mbush njeriun me energji negative shpërthyese e cila mund ta shtyjë njeriun të fokusohet në hakmarrje në vend të produktivitetit dhe lëvizjes përpara në jetë.

Pra, sa herë që jeni në një situatë në të cilën ju tundoheni për t’u bërë ziliqar, kujtoni:

1. Si e mira dhe e keqja janë një provë nga Zoti i Madhëruar. “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” [Kur’an, 67:2]

2. Ju mund të urreni diçka që ka ndodhur apo nuk ka ndodhur: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” [Kur’an, 2:216]

3. Nëse ju sinqerisht meritoni diçka, mbështetuni te Allahu i Madhëruar, Ai patjetër do t’ju shpërblejë; “Dhe duro! Se Allahu, me të vërtetë, nuk e humb shpërblimin për punëmirët. [Kur’an, 11:115]

4. Kujtoni realitetin e kësaj jete: “Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!” [Kur’an, 28:60]

Ekziston një bukuri dhe urtësi në shpalljen kur’anore që fillon me këtë ajet: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka). [96: 1] Rabb vjen nga rrënja e njëjtë sikur terbija’ që i referohet edukimit. Kjo fton njeriun për të lexuar jetën, realitetin dhe veten përmes Krijuesit, Edukuesit Suprem, të Gjithëditurit të Madhëruar.
Për ti vënë gjërat në perspektivë, lexoni dhe kuptoni jetën përmes Urtësisë së Tij me ndihmën e Tij.

Ndaj gjeni qetësinë në afrimin Allahut të Madhëruar me dashuri dhe përulësi. Gjeni qetësinë në reflektimin dhe leximin e Fjalëve të Tij në namaz duke kërkuar lehtësim, mëshirë dhe bekim. Gjeni qetësinë në shoqërinë dhe kujtimit të Allahut të Madhëruar: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” [Kur’an, 13:28]

Allahu i Madhëruar e largoftë zilinë irrituese nga zemrat tona dhe na dhuroftë qetësinë dhe na mundësoftë të mbetemi të fokusuar në destinimin tonë. Ne i përkasim Atij dhe Atij do t’i kthehemi.

Burimi: virtualmosque

Përktheu: Lutfi Muaremi

(Islampress)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit