-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

“Unë ika nga Kosova, diplomën ia lashë Qeverisë”

Më të lexuarat

I.G. është njëri prej shumë të rinjve të Kosovës që tashmë ka emigruar në Gjermani. Ai nuk do që të kthehet në Kosovë sepse Kosova ia fiku ëndrrat për një jetë më të mirë.

28 vjeçari I. G., flet për jetën në Kosovë dhe për mënyrën se si vendosi që të marr rrugën për Gjermani.

I.G. tregon se edhe përkundër diplomës së Universitetit që e kishte marrë 4 vite më parë, nuk kishte arritur të gjej punë, derisa, ishte detyruar që të kryej punë të ndryshme për të siguruar mbijetesën.

“Në muajin prill i bëj 4 vite që kur e përfundova fakultetin e sociologjisë. Kisha shpresë, që pas përfundimit do ta gjej një punë që do të më ofroj të ardhura për një jetë më të mirë. Që nga ajo kohë jam detyruar të punoj lloj lloj pune vetëm e vetëm të siguroj të ardhura për familjen.

Të ardhurat ishin aq të vogla sa që shpenzimet personale mujore nuk mi mbulonin e lëre më ato familjare. Kësaj gjendje i erdhi fundi, gjithçka më dukej e tepërt, vullneti humbte çdo ditë saqë vendosa të iki, të iki larg, sa më larg, vetëm e vetëm të gjej një punë për një jetë të mirë. Përkundër të gjithave, u desh ta lija familjen, ti lë të gjitha sepse më atje nuk shihej shpresa”, rrëfen ai.
Tregon se kishte aplikuar shumë herë për punë, por asnjëherë nuk ishte pranuar sepse siç e thotë edhe ai “sepse gjithçka shkonte me te njohshëm”

“Shumë herë aplikova nëpër konkurse që hapeshin në fushën e arsimit, në ministri të ndryshme, nëpër qendra sociale, por ishte e kotë, aq e kotë sa që dikur më as nuk as nuk konkurroja sepse gjithçka shkonte me te njohshëm. Nëse kishe dikën të ” fort”, të pranonin nëse jo gjithçka mbetej ëndërr”, rrëfen I.G.

Më 28 janar të këtij viti I.G, vendosi që sikurse edhe shumë qytetarë të tjerë, të niset drejt perëndimit për të kërkuar jetën që nuk ia ofronte Kosova.

“ Ishte 28 janari kur në shtëpi familjes ia konfirmova që kam vendosur të largohem edhe të kërkoj punë në shtete e Evropiane përkatësisht në Gjermani. Lajmin se do marr rrugën e kurbetit nuk e priten aq mirë familjaret, por nuk më kundërshtuan, sepse e shihnin që vitet po ikin e Kosova mundësinë nuk po na e ofronte”, shprehet ai.

Rruga deri në Beograd, për I.G. nuk ishte edhe aq e vështirë për t`u kaluar.

“Ishte ora 22: 00 kur un veç dola nga shtëpia drejt e tek stacionin autobusëve në Prishtinë. Autobusi ishte aq i ngarkuar sa që shumë udhëtarë u detyruam të rrinim edhe ne këmbë deri në Beograd. Fatmirësisht rrugës deri atje nuk pati probleme. Diku rreth orës 4 të mëngjesit arritëm në Beograd, pastaj vazhduam për në Suboticë. Zoti deshi që edhe këtë rrugë ta kalojmë mirë”, shprehet ai.

Mirëpo, te kufiri Serbi-Hungari, I.G. pa tmerrin me sy.

“ Tmerri ishte te kufiri Serbi- Hungari, përkatësisht në një restorant të shqiptareve. Aty bëhej biznesi. Shqiptarët plaçkiteshin në mënyrat më barbare. Ishte me të vërtetë tmerr. U detyruam ti paguanim nga 300 euro vetëm e vetëm ta kalonim një pjesë të kufirit. Ata na premtonin se do të na dërgonin deri në Hungari ( por na gënjenin ) duke na lënë në mes të kufirit. Pastaj, pjesën tjetër të rrugës duhej ta kalonim në këmbë, nëpër baltë, ujë, nëpër tmerr..”, shprehet I.

Tri ditë rresht I.G bashkë me shumë qytetarë të tjerë nga Kosova, ka qëndruar në një dhomë të ftohtë në Hungari, kurse pas tre ditësh është nisur drejt Gjermanisë.

“Pasi e kalova kufirin, erdhi radha e dorëzimit në policinë e Hungarisë. Kemi kaluar tri dit rresht në një “dhomë”,të ftohtë të shtruar me pllaka. Bukë na jepnin vetëm një herë në dit nga një rriskë. Fëmijët qanin,kurse mundësia për t`ju ndihmuar ishte barazi me zero. Pas tri ditëve na lëshuan edhe na udhëzuan të shkonim në stacion e trenit e nga aty ta marrim rrugën për Gjermani përkatësisht në Mynhen. Kështu, i hipa trenit dhe arrita në Gjermani”, rrëfen ai.

I.G.,thotë se është me fat, sepse tani në vendin ku ndodhet po i trajtojnë shumë mirë, ndërsa mbanë shpresë se edhe do të punësohet.

Jam me fat, sepse trajtimi këtu është shumë i mirë, i kemi të gjitha kushtet për të jetuar, pastërtia dhe ngrohja e po ashtu edhe ushqimi janë në nivel. Shpresoj që shumë shpejt të ketë diçka të re sa i përket punësimit tim këtu”, thekson ai.

I.G. thotë se me dëshirën e tij, asnjëherë nuk do të kthehet në Kosovë.

“Pas të gjitha këtyre peripecive që i kalova, unë me dëshirë kurrë nuk do të kthehesha në Kosovë sepse në Kosovë s`ka shpresë e këtu shpresa për një jetë më të mirë ekziston…”, shprehet ai.

I.G. për fund, ka një porosi për liderët e shtetit të Kosovës:

“Po dëgjoj deklarata të Isës edhe të Hashimit, që kinse janë duke punuar me shtetet evropiane për kthimin tonë, kinse do na mundësojnë një jetë më të mirë tash.. Jemi lodh me ju të nderuar, boll na keni rrejt, ma nuk ju besojmë. Dijeni mirë që nëse veç ndodhë një gjë e tillë edhe jeni ju ata ” sebep” që ne të kthehemi, dijeni që do të përballeni me protesta të mëdha e Kosova do të dridhet sepse jemi mbi 200 mijë vetë që ju na larguat e na detyruar ta marrim këtë rrugë të cilën as ne nuk e kemi dëshiruar..”, përfundon ai.

Këto janë kushtet në të cilat tani jeton emigranti I.G. kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit