1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Umeti i leximit nuk lexon

Më të lexuarat

Shejh Abdul Halim Tumijat

Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhammedin, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij!

Konsideroj se janë fjalë të qëlluara për të shënuar simbolikisht fillimin e këtij artikulli ato të Imamit të zgjuar, dijetarit të madh, shkrimtarit, hoxhës Muhammed el-Beshir el-Ibrahimiut, të cituara në ‘Athar’, 1/72:

“Studentët tanë janë përtacë sa i përket hulumtimit, ndërsa hulumtimi është gjysma e 2/3 e dijes. Iu porosis e ju rini e hairi që të lexoni vazhdimisht dhe t’i qaseni atij (leximit). Le të jetë leximi juaj i koordinuar, si kureshtje për ruajtjen e kohës që të kalohet në gjëra të padobishme. Nëse veç doni rezultate, atëherë ja kjo është një prej rrugëve (të realizimit) të tyre!”

Athua vallë si do të ndihej Hoxha sikur të shihte gjendjen e Ummetit tash kur leximi, studimi dhe hulumtimi janë gjëra të huaja për muslimanët?!

Ç’urtësi e ç’mësim do të reflektonin nga sytë e tij sikur të shihte raportet aktuale të studimeve në terren?!

Raporti i parë arab për zhvillimin kulturor i vitit 2007, e të cilin e nxjerr ‘Muessesetu-l-fikri-l-arabijj’ (Instituti i mendimit arab), përmend shifra të tmerrshme sa i përket çështjes së leximit në botën arabe dhe islame. Për vitin në fjalë, për kokë banori, është botuar 1 libër në 12.000 persona (1/12,000), derisa në Angli kjo shifër ka qenë 1/500 ndërsa në Gjermani 1/900. Kjo nënkupton se përqindja e leximit në botën arabe nuk është hiç më shumë se 4%.

Një raport statistikor tjetër e sjell edhe gazeta kuvajtiane ‘el-Kabs’, e cila thotë se mesatarja e leximit për persona në botën arabe për një vit është vetëm 6 minuta derisa në Evropë dhe Amerikë kjo është plot 200 orë. Edhe gazeta jordaneze ‘err-Rre’j’ sjell një raport të ngjashëm, sipas të cilit, mesatarja e leximit për person në vit në botën arabe është ¼ e faqes derisa në Amerikë është 11 libra ndërsa në Britani 7 libra.

Ummeti, padyshim se ka ngelur në fund të karvanit, aq sa ka bërë të përqeshet edhe nga armiqtë. Një lider i entit sionist duke u tallur me arabët thoshte: ‘Arabët nuk lexojnë, e edhe nëse lexojnë, nuk kuptojnë!’ Kur Volteri qe pyetur për liderët e gjinisë njerëzore, pra për ata që do ta udhëheqin botën, kishte thënë: ‘Ata që dinë të lexojnë!’ Të vërtetën e ka thënë thanësi: Ummeti i ‘Lexo!’ nuk lexon!’ Edhe nëse has në ndonjë lexues a shkrimtar, bën mirë ta pyesësh se çfarë lexon a ç’shkruan.

Sa fjalë të mëdha ka thënë mjeshtri i arabishtes, dijetari Mahmud Shakiri në ‘Et-Tariku ila Thekafetina’ (Rruga për në kulturën tonë)ndërsa flet për boshllëkun kulturor që po përjeton ummeti dhe për gjeneratën e re të zbrazur tërësisht nga të gjitha elementet (bazat) kulturore të ummetit: ‘Shkrimtari shkruan me lapsin e huaj, filozofi mendon me kokën e tjetrit, historiani jep kritikat për ngjarjet historike me qëndrime krejtësisht të huaja për historinë e tij, artistit i rrah zemra me rrahje të huaja nga trashëgimia e artit të tij…’

Shkaqet

Braktisja e leximit nga rinia jonë është një paralajmërim për të keq, për një të ligë të madhe, imazhet e secilës kemi filluar t’i shohim sot ndërsa nesër, në të ardhmen, pasojat do të jenë gjithsesi më të mëdha. Andaj, patjetër se duhet njohur shkaqet e kësaj dekadence, sepse, hapi i parë i shërimit është diagnostifikimi i sëmundjes. Konsideroj se ndër këto shkaqe vlen të theksohen:

1) Roli dekonstruktiv i medias arabe, që me materialet e saja thuajse është si një skenar i boshatisjes së mendimit islamo-arab nga kultura konstruktive.

2) Përtacia në studim dhe hulumtim. Fatkeqësisht, gjeneratat e reja nuk njihen për lexim. Ata, në fakt, janë viktima të një edukate të shthurur. Prindërit nuk kanë qenë të vëmendshëm që t’ua mësojnë librin dhe rëndësinë e tij, e lërë më të krijojnë një ambient (familjar) për të.

3) Përvetësimi i planprogrameve të huaja mësimore dhe mospërgatitja profesionalisht e stafit për këto sistemi arsimore. Zërat e reformuesve dhe vullneti e potenciali i aktivistëve sikur janë shuar që të thërrasin në domosdonë e kthimit në planprogramet e duhura për edukimin e gjeneratave të reja. Ç’argument më i fortë duhet për këtë kur dukuria e braktisjes së shkollës, madje edhe nga periudha e fillores, sa vjen e bëhet më komplekse…

4) Përkufizimi në teknologjinë bashkëkohore. Rinia jonë e kanë varrosur librin ndërsa me kompjuterin kanë lidhur miqësi të fortë, para ekranit të të cilit kalojnë orë të tëra. Sikur këtë teknologji ta shfrytëzonin për të hulumtuar për dije dhe shkencë të dobishme, për libra universitarë, por ja që ata e bëjnë të kundërtën. Librin (book-un) e kanë zëvendësuar me fejsbukun (facebook-un) ndërsa ushqimin e shpirtrave (ar. gidha-el-kulub) me jutubë-n (youtube-n). Statistikat kanë dëshmuar se webfaqet me të frekuentuara nga rinia arabe janë ato që përmbajnë filma të huaj, muzikë, portale sportive, portale informative, dhe, për fat të keq, edhe faqe pornografike.

5) Braktisja e kërkimit të dijes fetare. Kjo gjë ka ndikuar për të keq, për shkak se marrja me dituri ka dobi të shumta, ndër të cilat edhe shfrytëzimi i kohës në lexim dhe hulumtim. Kur muslimanët shfletonin librat e tefsiret dhe hadithet e Nedhirit (qortuesit, një prej emrave të Muhammedit, alejhis salatu ves selam), ishin në shkallët me të larta ndërsa udhëhiqnin popujt më të fortë.

Si ta zgjidhim problemin?

Problemi nuk është se nuk ka zgjidhje porse duhet një angazhim edukativ më i madh, qoftë në shtëpi, shkollë, xhami, klube: që të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm për rrezikun që paraqet abstenimi i rinisë nga leximi dhe studimi. Si mjete konkrete për shërimin e kësaj dukurie do të veçonim:

1) Edukimin e të vegjëlve për lexim, ngase kush mësohet me diç në rini, me të dhe plaket.

2) Nxitja për studim me modele dhe shëmbëlltyra. Kjo është mënyra më e suksesshme. Nëse do të bindesh për këtë, atëherë shiko familjet ku të dy prindërit lexojnë dhe hulumtojnë, atëherë do të gjesh se në të shumtën e rasteve edhe tek fëmijët leximi është bërë pjesë qenësore e aktivitetit të tyre ditor. Studiuesit kanë vërejtur se shkak i largimit të fëmijëve nga libri janë prindërit, ngase ata veprojnë ashtu siç i shohin prindërit, pavarësisht se këto veprime janë apo jo të mira.

3) Sigurimi i librave me tregime për fëmijë dhe leximi i tyre bashkë me ta, sidomos para gjumit.

4) Shoqërimin e fëmijëve në librari dhe panaire të librit për tua dhënë mundësinë që ata të zgjedhin atë që i përshtatet moshës së tyre.

5) Themelimin e një librarie familjare, e cila do të përmbante libra nga më të ndryshmet për fëmijë, kuptohet të dobishëm.

6) Edukimin e fëmijëve që ta bëjnë shprehi kursimin e të hollave për të blerë libra.

7) Caktimi i një orari ditor për të lexuar të gjithë anëtarët e familjes.

8) Themelimin e klubeve të leximit për të rinjtë.

9) Thirrësit (hoxhallarët) dhe edukatorët duhet tua shpjegojnë rëndësinë e dijes dhe studimit, duke filluar nga studimi i Kur’anit dhe Sunnetit, për të vazhduar më pas me studimin e librave tjerë të dobishëm.

10) Organizimin e garave të dijes, në të cilat ftohen nxënës të moshave të reja të lexojnë libra dhe më pas të prezantojnë rezymenë e tyre. Disa shtete tashmë e kanë bërë një gjë të tillë.

11) Qeveritarët duhet ta luajnë rolin e tyre për ta rikthyer sistemin arsimor në gjendjen e duhur, ngase sistemet e sotme nuk japin dituri dhe as që luftojnë të këqijat.

Përfundimin e këtij artikulli do të doja ta bëj me fjalët e një mendimtari bashkëkohor, Dr. Abdul Kerim Bekkarit, i cili thotë: “Çfarë dallimi ka ndërmjet të diturit dhe analfabetit nëse që të dy nuk lexojnë?!!!”

Allahu bekon për suksese ndërsa Zot pos Tij nuk ka!

Burimi: http://www.islahway.com

Përshtati (me pak shkurtesa): Sedat ISLAMI

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit