-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Umer ibnul Hattabi dhe përkujdesja ndaj gruas

Më të lexuarat

Në këtë temë, do të diskutojmë mbi Halifen e dytë musliman dhe një nga dhjetë sahabët e përgëzuar me xhenet, Umer ibnul Hattabin dhe vëmendjen që i kushtonte ai gruas.

Ndërkohë që flasim mbi Umerin, na shkon mendja menjëherë në ato raste të shumta, ku ai i nxiste, stimulonte, u jepte kurajo grave, i përkrahte dhe u jepte të drejtën që u takonte.
Synimi ynë me këtë temë, është që të zhbirojmë brenda shtëpisë dhe personalitetit të Umerit, për të nxjerrë në pah marrëdhëniet e tij me gratë.
Para se ta bëjmë diçka të tillë, le të kthehemi në histori dhe të kujtojmë periudhën, para se Umer ibnul Hattabi të pranonte islamin. Ishte një fazë kur shumë banorë të Mekes, konvertoheshin në islam njëri pas tjetrit. Ishte ajo kohë kur Profeti a.s lutej:”O Zot! Ndihmoje islamin me njërin nga dy Umerët!” Dy Umerët ishin, Umer ibnul Hattabi dhe Umer ibnu Hisham (Ebu Xhehli).
Zoti zgjodhi Umer ibnul Hattabin dhe e nderoi atë duke bërë që në zemrën e tij të depërtojë drita islame.
Konvertimi i Umer ibnul Hattabit në islam, shënoi një ndryshim rrënjësor përsa i përket thirrjes islame. Deri atëherë, Profeti a.s dhe muslimanët e propogandonin fenë fshehurazi. Me konvertimin e Umerit në islam, thirrja islame filloi të bëhej hapurazi.
Tashmë le ta lëmë pas këtë fazë dhe të kalojmë në fazën më kritike dhe të rëndësishme të jetës së Umerit, fazës kur ai u bë Prijësi dhe Halifeja i muslimanëve.

Drejtues i institucionit të Hizbes, një grua.
Me të marrë në dorë Kalifatin, Umeri caktoi në postin e ministrit të brendshëm dhe të kulturës një grua, Shifa bintu Abdullah. Ajo do të drejtonte institucionin e Hisbes. Institucioni i Hisbes në islam, është një nga institucionet e rëndësishme. Ky institucion ka si detyrë që të orientojë njerëzit drejt asaj që është e mirë dhe t’i largojë nga e keqja, të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë të keqen. Të drejtosh këtë institucion, është një post që garanton rendin dhe qetësinë. Ky institucion është ekuivalent me atë që njohim sot si ministri të brendshme.
Institucioni i Hisbes, asokohe kishte për detyrë të përkujdesej për sistemin shoqëror dhe t’a mbrojë nga çdo lloj degjenerimi. Të gjithë këto funksione, i ishin besuar një gruaje, Shifa bintu Abdullah.
Para se ti besojë këtë post, Umeri i kishte lënë si detyrë asaj që t’u mësojë të gjitha femrave muslimane në Medine, shkrimin, leximin dhe përkujdesjen për të sëmurët. Me këtë shohim që Umeri i kushtonte një rëndësi të veçantë arsimimit të gruas.

Ndodhia mes Umerit dhe vajzës së tij Hafsas
Umeri kishte një vajzë që quhej Hafsa, me të cilën ka dhe një ndodhi të veçantë. Pas disa kohësh martesë, burri i Hafsas, Hanis Sehmij vdiq dhe ajo mbeti e ve. Duke dashur që të mos e lërë vajzën e tij të ve, Umeri filloi menjëherë përpjekjet për t’a martuar. Këshu, ai vajti tek Uthman ibnu Affani dhe i propozoi të martohej me vajzën e tij Hafsa. Uthmani i tha:”Më jep ca kohë të mendohem o Umer!” Kur pa që ai nuk po i kthente përgjigje, Umeri i propozoi Ebu Bekrit. Edhe Ebu Bekri i kërkoi disa kohë të mendohej. Tregon Umeri:”Unë vazhdoja të shkoj tek Ebu Bekri dhe t’a pyes, saqë fillova të ndjej mëri për të.”
Pasi kaluan disa kohë, dorën e vajzës së Umer ibnul Hattabit e kërkoi vetë i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s. Diçka e tillë e gëzoi pa masë Umerin. Pasi vajza e Umerit u martua me Profetin a.s, Ebu Bekri e takoi Umerin dhe i tha:”A e din përse nuk të ktheja përgjigje kur më propozove mua të martohem me Hafsan?”
Umeri i tha:”Për Zotin fillova të mbushem me mëri për këtë.”
Ebu Bekri i tha:”Unë e dija që Profeti a.s kishte shprehur dëshirën për t’u martuar me Hafsan. Diçka e tillë ishte sekret dhe nuk mund t’a nxirrja sekretin e të dërguarit të Zotit.”
Kjo ndodhi, tregon dhe një herë interesin dhe përkushtimin e Umerit ndaj femrës, nevojave dhe ndjenjave të saj. Ai u vu menjëherë në lëvizje, për të gjetur një bashkëshort të ndershëm për vajzën e tij të ve. Nëse një baba i sotëm do t’i propozonte një të riu që të martohej me vajzën e tij, kjo do të konsiderohej se një veprim i rëndë dhe do të akuzohej për mendjelehtësi. Nëse në ditët tona një veprim i tillë do të konsiderohej si krim, në kohën e sahabëve diçka e tillë ishte pjesë e jetës së tyre, madje ishte nga udhëzimet e islamit. Një nismë e tillë nga ana e babait, është më e mirë se të presë vajza kush të trokasë në derën e saj, të mirë qofshin apo të këqinj.
Vetë imam Buhari, e ka emërtuar një kapitull të tërë në librin e tij me emrin:”Kapitulli: Përpjekjet e babait për të fejuar vajzën e tij me një njeri të ndershëm.” Nëse diçka e tillë do të ekzistonte në shoqëritë tona, padyshim që do të ishte një vlerë e mirë.
Një ndodhi tjetër që ia vlen të përmendet është dhe ajo që ndodhi në prezencën e Enes ibnu Malik dhe vajzës së tij, ku një grua erdhi dhe i propozoi të dërguarit të Zotit të martohej me të. Kur e dëgjoi vajza e Enes ibnu Malikut diçka të tillë, tha:”Si nuk i vjen turp.” Babai i saj i tha:”Jo o bija ime! Ajo grua është më e mirë se ti.”
Ata jetonin në një shoqëri të bazuar në vlera morale të larta dhe për këtë ishin të pastër, të dëlirë dhe i respektonin ndjenjat e një gruaje të ndershme. Ndërkohë që ne sot jetojmë në një shoqëri të mbushur me lidhje haram mes djemve dhe vajzave. Ishte profeti Muhamed a.s ai që hodhi bazat e një metodologjie ku respektoheshin ndjenjat e dëlira të gruas dhe ishte Umer ibnul Hattabi ai që e plotësoi këtë metodologji duke kontribuar në stabilitetin dhe qetësinë e femrës në familje. Nëse femra do të ndihej e qetë në f amilje, ajo do i përkushtohej vetëm edukimit të fëmijëve, duke nxjerrë breza të ndershëm dhe aktivë në shoqëri.
Ne të gjithë e dimë historinë mes Musait a.s dhe dy vajzave të Shuajbit a.s. Kur Musai a.s u arratis nga Egjypti dhe vajti në Medjen, ndaloi pranë një pusi ku pa çobanët duke u dhënë ujë bagëtive. Atje ai dalloi vajza të cilat prisnin që të largoheshin çobenjtë, që t’u jepnin ujë bagëtisë. Musai a.s i ndihmoi dhe u largua nën hijen e një peme. Dy vajzat i treguan babait të tyre Shuajbit a.s mbi ndihmën e Musait a.s, dhe ai kërkoi që të takohej me të. Njëra nga vajzat erdhi me ndrojtje tek Musai a.s dhe i kërkoi ta shoqërojë për në shtëpi, sipas porosisë së babait të saj. Kur Shuajbi a.s u takua me Musain, i propozoi të martohej me njërën nga dy vajzat e tij. Fjalët e vajzës së Shuajbit:”O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.” (Kasas 26) ishin një sinjal për simpatinë e saj për Musanë a.s.

Stimulimi i martesës në shoqërinë islame nga ana e Umerit
Gjatë Kalifatit të tij, Umeri e kishte bërë zakon që të dalë natën dhe të inspektojë gjendjen e muslimanëve. Një natë, ndërkohë që ecte rrugëve të Medines, ai dëgjoi një zë gruaje brenda një shtëpie e cila shprehte ndjenjat e saj me poezi, për një të ri të cilin e donte. Kjo e preku Umerin dhe e bëri që të vihej në lëvizje dhe të kontribojë në martesën e të rinjve dhe të rejave që kishin mbushur moshën e martesës. Ashtu siç kanë burrat ndjenja, kanë dhe gratë, ndjenja të cilat duhet të respektohen dhe të kanalizohen në drejtim hallall. Institucionet të cilat merren me çështjet e martesës mes të rinjve, meritojnë më shumë vëmendje dhe përkrahje
Vonesa e martesës nga të rinjtë e sotëm është kthyer në një dukuri shqetësuese, të cilën Umer ibnul Hattabi do e luftonte. Ai dëgjoi disa vargje nga një vajzë dhe u vu në lëvizje derisa e bashkoi atë me martesë me të riun që donte. Vallë sa poezi dhe vargje dëgjojmë sot nga të rejat dhe askush prej nesh nuk interesohet për to? Vallë sa shumë janë të rinjtë të cilët kërkojnë të martohen, por nuk munden për shkak të pajës së shtrenjtë? Vallë sa të shumta janë vajzat të cilat duan të martohen me të rinj muslimanë dhe të ndershëm, por që nuk gjejnë?

Përkujdesja për bashkëshorten muslimane
Umeri tregonte një përkujdesje të veçantë për ato familje, burrat e të cilave ishin nisur në luftë për përhapjen e fesë së Zotit. Para se ushtria të nisej për luftë, Umeri dilte para ushtarëve dhe jepte direktivat e tij ushtarake dhe njëkohësisht dhe ato shoqërore.
Meqë luftëtarët qëndronin për vite të tëra në toka të huaja dhe larg familjeve, shumë prej tyre martoheshin me femra romake dhe jomuslimane. Një nga këta ishte dhe Hudhejfe ibnu Jemame, i cili u martua me një romake.
Duke parë një dukuri të tillë të përhapej, Umeri nxorri një dekret ku ua ndalonte ushtarëve muslimanë të martoheshin me romaket. Kur dikush e pyeti, Umeri iu përgjigj:”Unë nuk e bëj haram diçka që e ka lejuar vetë Zoti i madhëruar. Kam vënë re që romaket janë shumë tërheqëse dhe kam frikë se muslimanët do të jepen pas tyre dhe do të shpërfillin dhe braktisin femrat muslimane.
Parashikime të tilla bëhen vetëm në institute dhe qendra studimore sociale, ndërkohë që Umeri e bënte diçka të tillë që para 1.400 vitesh.
Kur Umeri ua ndaloi burrave muslimanë martesën me të krishterat, këtë nuk e bëri sipas qejfit, por mbi bazë të një parashikimi dhe vlerësimi të situatës. Ai nuk mund të pranonte faktin që gratë dhe vajzat muslimane të mbeteshin pamartuar.

Mashkulli nuk është si femra
Fjalët e mësipërme janë marrë në Kurani famëlartë, por që ndonjëherë përdoren padrejtësisht për të argumentuar qëndrime të caktuara.
Këto fjalë i tha gruaja e Imranit kur lindi vajzën e saj Merjemen. Ajo shpresonte që do të lindë një djalë, të cilin kishte vendosur t’ia përkushtonte tempullit dhe shërbimeve të tij. Diçka e tillë ishte zakon mes hebrenjve asokohe dhe për këtë, fëmija duhej të ishte mashkull dhe jo femër. Kur ajo pa që foshnja e saj ishte vajzë dhe jo djalë, tha: “mashkulli nuk është si femra” për shkak se femra kalon në disa faza ku e ka të pamundur të qëndrojë në faltore dhe tempullin ku adhurohej Zoti.
Por ndodh shpesh herë që ky ajet përdoret si pretekst për të justifikuar padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të gruas.
Rreth ajetit:”Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë mbi ato.” (Bekare 228) dijetari i njohur Ali Tantavi thotë:”Edhe pse Zoti e ka caktuar një shkallë diferencën dhe dallimin mes burrit dhe gruas, shumë burra e kanë bërë një varg të pafund shkallësh.
Thotë Zoti në Kuran:“Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar.”
Ky ajet pohon se në shumë raste, gruaja është më e mirë se burri dhe anasjelltas. Dhe kjo sipas rastit, vendit dhe kohës.

Në përfundim të këtyre rreshtave
Në fund të kësaj teme, le të sjellim ndërmend dhe njëherë gruan të cilës Umer ibnul Hattabi i besoi një funksion shumë të lartë administrativ. Le të kujtojmë rastin kur ai nuk gjeti qetësi, derisa e martoi vajzën e tij të ve Hafsan. Fragmentet e Umerit në mbrojtjen e të drejtave të grave janë të shumta. Një traditë të tillë, Umeri e kishte përftuar nga i dërguari i Zotit a.s. Vetë Profeti a.s e filloi ftesën e tij me një grua dhe e mbylli jetën në kraharorin e gruas së tij Aishes. Umeri vazhdoi traditën e Profetit a.s dhe të pasuesit të tij Ebu Bekrit, në mbrojtje të drejtave të gruas, pasi ishte dhunuar dhe përdhosur gjatë injorancës para islamit.
Fakti që ne i jemi kthyer përsëri injorancës në shkeljen dhe dhunimin e të drejtave të gruas, është shqetësues. Ne jemi dëshmitarë mbi faktin që gruaja sot është kthyer në një mall që shitet dhe blihet. Ne shohim faqet pornografike të pafund në internet, ku trupi i gruas shfrytëzohet në mënyrën më të llahtarshme. Edhe pse shoqëritë janë zhvilluar dhe qytetëruar, padrejtësitë ndaj gruas vazhdojnnë si më parë.
Ne sot kemi nevojë për burra si Umeri të cilët të vihen në lëvizje për t’i kthyer gruas dinjitetin dhe vendin që i takon në shoqëri. Ne duam që gruaja t’i gëzojë të drejtat e saj dhe të ushtrojë misionin për të cilin e ka krijuar Zoti.
Ashtu siç burrat gëzojnë të drejtat e tyre dhe kërkojnë të trajtohen si qënie humane, ashtu duhet që edhe gruaja të gëzojë të drejtat e saj dhe të trajtohet e barabartë si burri.
Metodologjinë më të mirë për t’ia arritur diçkaje të tillë, na e mëson Umer ibnul Hattabi, një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Xhasim El-Mutava/ao

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit