Popullata e ujqve në vendet e Evropës Perëndimore është në shtim të vazhdueshëm, ndërsa tufa të tëra grabitqarësh po zhvendosen në vende të pabanuara më parë prej tyre, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.
Duket ironike, por ndërsa popullata e ujqve në kontinentin tonë është e përqendruar kryesisht në Lindje dhe në Ballkan, ashtu si shumë shtetas të këtyre vendeve, edhe ujqit gjejnë “parajsën” në perëndim të Evropës (në hartën e pasqyruar rajonet e banuara me më shumë ujq janë të shënuara me ngjyrë të gjelbër).
Në Holandë, një kafshë e gjendur e vdekur pranë një rruge më parë gjatë qershorit, u konfirmua se ishte ujku i parë i njohur që shkel në këtë vend në më shumë se 150 vjet.
Në Gjermani janë vërejtur tufa të pazakonta për nga shumësia e tyre, deri në 50 ujq bashkë, ndërsa në shumë zona rurale të Evropës perëndimore janë raportuar shqyerje të deleve, kuajve e lopëve nga ana e ujqve.
Një situatë e tillë favorizohet edhe nga fakti që vendet e europerëndimore që prej vitit 1979 kanë nënshkruar një momorandum që favorizon ruajtjen e species dhe ndalon gjuajtjen e tij, transmeton TCH.
“Në Evropë, ujqit janë në majë të piramidës ushqimore. Ata nuk kanë asnjë armik natyror me përjashtim të njeriut dhe ende nuk është arritur kufiri ligjor, i cili do të lejonte rikthimin e gjuetisë së tyre. Për këtë arsye, nga vetë natyra, ujku është i destinuar të përhapet dhe tashmë ata po lëvizin drejt perëndimit”, deklaroi Vanessa Ludwig, një biologe gjermane që mbikëqyr rritjen e popullatës së ujqve në krahinën Lausitz të Gjermanisë./Indeksonline/