-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Uji detox, ja vlerat dhe mënyrat e përgatitjes!

Më të lexuarat

Të gjithë kemi dëgjuar për ujin detox, për dietat detox që të dobësojnë për 10 ditë, çajrat detox e shumë detokse të kësaj natyre. Disa shprehen se shohin rezultate, disa mbeten të zhgënjyer, disa të tjerë as nuk e marrin mundimin t’i besojnë.

Sot do të flas për ujin detox, sepse personalisht është diçka që unë e bëj në të përditshmen time. Ose që të jem e sinqertë, kur dua që të paktën 1 litër ujë në ditë t’a pi me pak më shumë shije se ujin e thjeshtë.

Nuk është gjë e re që uji është pjesë e rëndësishme për shëndetin tonë dhe sidomos të qënurit i hidratuar gjatë gjithë ditës. Kryesisht për ata që stërviten apo merren me sport, duhet edhe më shumë angazhim për të pirë ujë. Trupi ynë e përdor ujin në mënyra të ndryshme, në qeliza dhe organe, për të rregulluar temperaturën, për përthithjen e vitaminave, si dhe për tretjen dhe mirëfunksionimin e zorrëve. Nëpërmjet djersitjes, frymëmarrjes dhe tretjes trupi humbet ujë, prandaj është shumë e rëndësishme të konsumohet ujë dhe ushqime që kanë përmbajtje të lartë të ujit. Pra, sido që të jetë forma e marrjes së ujit, ai luan një rol kyç në shëndetin tonë.

Ok, sa thashë më sipër është mëse normale, por që të dalim te tema jonë, uji detox çfarë është? Është me të vërtetë kaq magjik sa e bëjnë? Uji detox krijohet duke hedhur në ujë përbërës natyral që supozohet të nxisin vlerat shëndetësore të vetë ujit. Ka shumë mënyra për t’a bërë, por koncepti është që uji të mbushet me shije frutash ose perimesh, madje edhe erëzash. Duke qenë se përmban vetëm shijen, uji përmban shumë pak kalori. Thuhet se ky ujë detox nxjerr nga trupi toksinat, përmirëson tretjen dhe humorin, ndihmon në humbjen në peshë dhe të jep energji.

Kombinimi i përbërësve në ujin detox varet. Më të përdorurat janë: kastravec dhe mente, limon dhe xhinxher, limon dhe spec djeges pluhur, portokall me rozmarinë. Kur përgatit ujin detox këshillohet që frutat ose erëzat të copëzohen në mënyrë që të lëshojnë më shumë shije. Pasi e ke përgatitur e lë të pushojë gjatë natës dhe e ke gati për t’a pirë në mëngjes.

Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, apo jo?! Është thjeshtë ujë me shije të ndryshme frutash. Por ajo që dua të shpjegoj është që uji detox është pikërisht kaq, ujë me shije të ndryshme frutash dhe asgjë magjike që do të të bënte të humbje në peshë për 10 ditë apo që të heqë toksinat e trupit! Sepse për të hequr toksinat, trupi ynë ka organe dhe metodat e tij natyrale që është i “projektuar” për t’i bërë vetvetiu.

Po të lexosh studimet shkencore që janë bërë mbi ujin dhe hidratimin, pretendimet mbi dobinë e ujit detox janë të njëjta me të ujit tradicional. Çdo lloj uji ndihmon për aparatin tretës. Duke qenë se uji nuk ka kalori dhe përdoret për të larguar urinë, rrjedhimisht ndihmon edhe për të humbur peshë. Për më tepër, pirja e ujit ndihmon edhe lëkurën tonë.

Të gjitha pretendimet e ujit detox janë bërë të famshme tek ata njerëz që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dobësimi apo detoksifikimin e trupit. Për të arritur rënien në peshë, matematika është shumë e thjeshtë: kaloritë që merr dhe ato që djeg. Pra, varet nga sa ushqim konsumon dhe stërvitja që bën. Dhe në fakt, është e vërtetë që uji të ndihmon për t’u dobësuar, sepse të mban të ngopur dhe ndihmon në tretje, por ajo që duhet të kuptojmë është që uji detox nuk ka ndonjë ndikim të madh në këtë. Duke i shtuar fruta apo erëza, thjesht i jep shije ujit.

Si përfundim, kur vjen puna te benefitet ushqyese të frutave mirë është të konsumohet vet fruti. Edhe pse uji detox mund të ketë shije të mirë, ai nuk ka ndonjë efekt magjik, sidomos në rënien në peshë drastike dhe të shpejtë siç pretendohet nga kompanitë që shesin këto produkte.

Por dua të shtoj diçka, edhe pse uji detox nuk është konfirmuar nga shkenca për vetitë e tij çudibërëse, unë këshilloj që çfarëdo që të ndihmojë për të pirë më shumë ujë gjatë ditës, të provohet. Nëse e shikon që uji me fruta të ndihmon të pish më shumë ujë, atëherë vazhdo. Por jo me mendimin që do të ndodhin mrekulli po e pive çdo ditë. Edhe uji i thjeshtë mjafton. E rëndësishme është të jesh gjithmonë e hidratuar.

Pasi u sqaruam mbi atë që është dhe nuk është uji detox, po të tregoj disa nga kombinimet e mia të preferuara.

Mollë dhe kanellë: 1 mollë të copëzuar dhe 2-3 shkopa kanelle
Limon, grejpfruit, kastravec
Boronica dhe portokall
Fruta pylli (luleshtrydhe, manaferra, mjedër)
Mango dhe xhinxher
Luleshtrydhe me mente dhe limon

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit