2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Udhëzime dhe këshilla për shpenzim efikas dhe kursim të energjisë elektrike

Më të lexuarat

I nderuar konsumator,
Në vazhdim janë të shkruara disa udhëzime dhe këshilla shumë praktike nga KEDS për shpenzim efikas dhe kursimin e energjisë elektrike, që do t’ju ndihmojnë të menaxhoni në mënyrën sa më të drejtë shpenzimet e energjisë elektrike, si dhe mënyrat se si mund ta kurseni atë, duke i ndihmuar vetes dhe të tjerëve.

Kjo është njëra nga metodat që kompania jonë përpiqet të sigurojë informata dhe shërbime të veçanta, gjithnjë në shërbim të konsumatorit.

IZOLIMI
Bëni termoizolimin e objekteve dhe hapësirave, të banimit, të bizneseve, të zyrave, sepse mund të kurseni afërsisht deri në 50% të asaj që shpenzohet për ngrohje gjatë dimrit dhe për freskimin e ambientit verës. Me këtë do t’i ndihmoni vetes të kurseni para.
Izoloni dritaret dhe dyert.
Një pjesë e nxehtësisë humbet përmes dritareve dhe dyerve të paizoluara mirë. Përveç mureve, izoloni edhe çatitë (kulmet) e shtëpive.
Në mbrëmje mbyllni kapakët e dritareve ose roletat, sepse pengojnë hyrjen e të ftohtit brenda, gjithashtu mbyllni perdet, sepse pengojnë daljen e të ngrohtit jashtë.
Mbani të mbyllura dritaret dhe dyert e dhomave, në mënyrë që të ruhet nxehtësia e akumuluar në ato hapësira, ndërsa gjatë verës të ruhet freskia.

NGROHJA APO FRESKIMI I AMBIENTIT
Është e këshillueshme që mundësisht mos ta përdorni energjinë elektrike si burim primar për ngrohje gjatë dimrit, apo për freskim të ambientit gjatë verës, por nëse nuk keni alternativë tjetër dhe duhet ta përdorni energjinë elektrike, atëherë ja disa udhëzime dhe këshilla:

Termoakumulueset, radiatorët

Akumuloni nxehtësinë në termot akumuluese gjatë natës, kur rryma është me tarifë të ulët, (të lirë).
Ndërroni nxehësit e termos nëse janë të vjetër, sepse shpenzojnë dhe nuk ngrohin sa duhet.
Kontrolloni termostatin a funksionon mirë, sepse mosfunksionimi i termostatit paraqet rrezik për njerëzit dhe objektet.
Temperatura e rregulluar me termostat të jetë nga 18°C – 21°C, aq sa preferohen të jenë temperaturat e brendshme.
Mos i përdorni termot dhe radiatorët për tharjen e rrobave, sepse përveç humbjes së nxehtësisë, mund të shkaktohet edhe zjarr.
Përdorimi i termove akumuluese dhe radiatorëve në mënyrë racionale gjatë dimrit shpenzojnë rreth 60% të energjisë së përgjithshme elektrike për amvisëri.
Nëse nuk jeni në objekt disa ditë, shkyçni termot dhe radiatorët.
Nëse e vendosni termostatin pak shkallë më ulët se zakonisht, atëherë ju do të kurseni rreth 10% të shpenzimeve
Para se të flini, zvogëloni temperaturën e termostatit, sepse është më e shëndetshme dhe do të kurseni energji elektrike.

STUFA ELEKTRIKE (shporeti)

Gjatë zierjes përshtatni temperaturën adekuate, vini kapakun tenxheres për ta ruajtur nxehtësinë dhe kështu koha e zierjes do të shkurtohet.
Pas arritjes së temperaturës në 100°C, pra pasi të marrë valë, uleni temperaturën.
Përdorni enë fundi i të cilave është në madhësi të pllakës së stufës, ose enë fundi i të cilave është pak më e madhe se pllaka e stufës.
Përdorimi i enëve ekspres për zierje me avull shpejton zierjen dhe është më ekonomike.
Gjatë përgatitjes së ushqimit në furrë, duhet ta dini se çdo hapje e derës së furrës zbret temperaturën rreth 15°C.
Para se të përfundojë zierja 2 – 3 minuta, ndaleni pllakën, apo 5 – 10 minuta para se të përfundojë pjekja ndaleni furrën, sepse me këtë veprim do të kurseni.
Ndërrojini pllakat e stufës apo nxehësit e furrës nëse janë të vjetër.
Furrat me mikrovalë

Përdorimi i mikrovalëve është më efikas dhe më ekonomik, rreth 50% shpenzojnë rrymë më pak se furrat e rëndomta elektrike.

NXEHËSI I UJIT ( BOJLERI )

Varësisht nga përdorimi, lloji dhe kapaciteti, bojleri shpenzon afërsisht 15% të shpenzimit të përgjithshëm të një amvisërie.
Për ta përdorur në mënyrë më racionale bojlerin, rregullojeni termostatin në temperaturën mes 50°C – 55°C.
Ndërrojeni bojlerin nëse është i vjetër, ose ndërrojeni vetëm nxehësin nëse është i vjetër.
Nëse nuk jeni në shtëpi më gjatë se një ditë, shkyçeni bojlerin.
Kujdesuni që termostati i bojlerit të jetë çdo herë në gjendje të rregullt, sepse nëse nuk funksionon termostati, uji nxehet pa kontroll dhe mund të paraqesë rrezik, pra mund të eksplodojë.
Afërsisht 15 – 30% të rrymës shpenzohet vetëm për ta mbajtur ujin të ngrohtë në bojler.
Përdorni bateri automatike për rregullim (balancimin) të ujit të ftohtë dhe të nxehtë.

MAKINAT E LARJES, THARJES
Makinat për larjen e enëve, për larjen dhe tharjen e robave, gjithashtu përbëjnë një pjesë të shpenzimit të përgjithshëm.
Nëse keni vendosur të blini makinë të re për larjen e enëve, makinë për larjen apo tharjen e rrobave, atëherë orientohuni në produkte më cilësore dhe më ekonomike, shikoni udhëzimin e prodhuesit ku janë të shkruara karakteristikat kryesore dhe pastaj vendosni cila është më ekonomike.
Vendosjen e makinave e bëni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi, sepse lagështia përçon rrymën dhe paraqet rrezik, gjithashtu kontrolloni të jenë në rregull telat e rrymës, kabllot, spinat. Gjithashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosur mirë.
Preferohet që çdo herë makina të jetë e mbushur plot, por nëse makina është gjysmë e mbushur, atëherë përdorni programin ekonomik. Shpenzimi i energjisë elektrike është i njëjtë qoftë me ngarkesë të plotë, qoftë me gjysmë ngarkesë.
Pastrimi i rrobave mund të bëhet edhe në temperatura më të ulëta të ujit, duke ia përshtatur rregullatorin e makinës, sepse shumica e deterxhenteve janë të prodhuara në atë mënyrë që të pastrojnë edhe në ujë të vakët apo edhe të ftohtë.
Makina për tharjen e rrobave gjithashtu preferohet të jetë e mbushur.
Mos i thani shumë rrobat, sepse tharja e tepërt mundë t’i bëjë ato të ngjeshura, të rrudhura dhe do të jetë më vështirë për t’i hekurosur.
Përdorni këto pajisje gjatë natës me tarifë të ulët (të lirë).

KONDICIONERËT, VENTILATORËT

Kondicioneri (klima) mund të përdoret për ngrohje gjatë dimrit, apo për freskim të ambientit të brendshëm gjatë verës.
Nëse përdorni kondicionerët për ngrohje, mos e caktoni temperaturën më të lartë se 19°C.
Nëse përdorni kondicionerët për freskim të ambientit gjatë verës, mos e caktoni temperaturën më ulët se 26°C – 28°C.
Mbani të mbyllura dyert dhe dritaret derisa është i ndezur sistemi për ngrohje apo freskim.
Bëni pastrimin e filtrave dhe kujdesuni që kondicioneri të ketë drenim të mirë të ujit.
Ventilatorët gjithashtu freskojnë ambientin duke tërhequr ajrin e freskët brenda dhe duke larguar ajrin e ngrohtë jashtë, njëherësh bëjnë dhe pastrimin e ajrit. Mund të vendoset ventilatori qendror për tërë shtëpinë dhe është më ekonomik.

FRIGORIFERI, NGRIRËSI (FRIZI)

Nëse keni vendosur të blini frigorifer apo ngrirës të ri, atëherë orientohuni në produkte më cilësore të klasës “A” ose “B”, sepse janë më të qëndrueshme dhe më ekonomike.
Rregulloni termostatin e frigoriferit në temperaturë mes 3°C dhe 5°C, si dhe të ngrirësit në 0°C.
Derën e frigoriferit apo të ngrirësit mbani të hapur sa më pak që është e mundur dhe bëhuni të kujdesshëm që dera të jetë mirë e mbyllur, sepse depërton ajri i ngrohtë dhe humbet freskia, kështu që atyre ju duhet më shumë kohë për të rikthyer gjendjen paraprake.
Ushqimin e nxehtë apo të ngrohtë mos e vendosni në frigorifer apo ngrirës, lëreni të ftohet e pastaj e vendosni brenda tyre.
Mos lejoni lagështi në frigorifer, mbuloni enët e ushqimit, pastroni pikat e ujit nga të gjitha enët dhe shishet që i vendosni në të.
Mos lejoni të formohet trashësi e akullit në frigorifer dhe ngrirës, shkrini dhe pastroni ato, sepse do të jenë më efektiv dhe më ekonomik.

NDRIÇIMI

Ndriçimi bënë pjesë në shfrytëzimet më të dukshme të energjisë elektrike në hapësirat e brendshme dhe ato të jashtme.
Ju mund të ndërmerrni disa hapa të thjeshtë për të zvogëluar shpenzimet e ndriçimit dhe me këtë veprim do t’i ndihmoni vetes dhe rrethinës, në mënyrë që edhe të tjerët të kenë dritë.
Mos i lini dritat ndezur në hapësirat të cilat nuk i shfrytëzoni.
Në hapësirën e jashtme nëse nuk është e domosdoshme, mos lini shumë drita të ndezura.
Nëse përdorni më shumë drita, atëherë orientohuni në shfrytëzimin e dritave fluoreshente, të ftohta (të neonit).
Zëvendësoni dritat inkandeshente, të ngrohta, (poçat elektrik të zakonshëm) me dritat fluoreshente, të ftohta (të neonit).
Dritat fluoreshente (të neonit) shfrytëzojnë 75% më pak energji elektrike dhe qëndrojnë 10 herë më shumë se dritat e zakonshme inkandeshente, pra janë shumë më ekonomike.
Në hapësira të caktuara mund të vendosni senzor të cilët aktivizohen dhe ndriçojnë vetëm kur ka lëvizje.
Varësisht nga përdorimi i dritave, ndriçimi në amvisëri mbulon rreth 12% të shpenzimeve të përgjithshme vjetore.

PAJISJE TJERA
Pajisjet e ndryshme elektronike sikurse televizori, kompjuteri, dvd, studio muzikore etj, mos i lini në Stand by (drita sinjalizuese) sepse edhe ato shpenzojnë rrymë.

UDHËZIME DHE KËSHILLA NË PIKA TË SHKURTËRA
Izoloni objektet, do të kurseni deri në 50%.
Izoloni dritaret dhe dyert me shirita dhe shkumë.
Mbyllni perdet, roletat, kapakët e dritareve.
Mbani të mbyllura dritaret dhe dyert të mos humbet nxehtësia.
Nëse keni mundësi mendoni për ngrohje tjetër, e jo me rrymë.
Akumuloni nxehtësinë në termot akumuluese gjatë natës me tarifa të ulëta.
Ndërroni nxehësit nëse janë të vjetër.
Kontrolloni termostatin a është në rregull.
Mos i thani rrobat mbi termo apo radiator.
Nëse nuk jeni në objekt më shumë se një ditë, shkyçni termot apo radiatorët.
Vendosni termostatin disa shkallë më ulët, do të kurseni.
Akordoni temperaturën: në dhomën e ndejës 21°C, në zyrë 20°C, në dhomën e gjumit 18°C.
Sipas mundësive përdorni gazin për zierje, është më i lirë dhe zien më shpejt.
Gjatë zierjes përshtatni temperaturën dhe vini kapakun tenxheres.
Përdorni enë ekspres për zierje me avull.
Para se të përfundojë zierja 2 – 3 minuta, ndalni pllakën e stufës elektrike.
Mos e hapni derën e furrës gjatë pjekjes, sepse zbret temperatura rreth 15°C
Para se të përfundojë pjekja 5 -10 minuta, ndaleni furrën.
Bojlerin e përdorni atëherë kur ju nevojitet.
Akordoni termostatin e bojlerit mes 50°- 55°C.
Ndërrojeni bojlerin nëse është i vjetër ose ngrohësin e bojlerit.
Nëse nuk jeni në shtëpi, shkyçeni bojlerin.
Kujdesuni që termostati i bojlerit të jetë në gjendje të rregullt.
Makinat për larjen dhe tharjen e rrobave, si dhe ato për larjen e enëve, aktivizojini vetëm atëherë kur të jenë të mbushura.
Pastrimi i rrobave mund të bëhet edhe në temperatura më të ulëta të ujit.
Makina për tharjen er robave prefero­het gjithashtu të jetë e mbushur.
Mos i thani shumë rrobat, sepse ato mund të rrudhen dhe do të keni vështirësi për hekurosje.
Përdorni furrat me mikrovalë, janë më efikase dhe shpenzojnë më pak rrymë.
Nëse përdorni kondicioner për ngro­hje, mos e akordoni temperaturën më të lartë se 19°C.
Nëse përdorni kondicioner për freskim gjatë verës, mos e akordoni temperaturën më të ulët se 26°C – 28°C.
Përdorimi i ventilatorëve është më ekonomik.
Frigoriferin apo ngrirësin mos e ven­dosni afër burimeve të nxehtësisë.
Akordoni termostatin e frigoriferit në 3°C – 5°C.
Derën e frigoriferit apo të ngrirësit mbajeni sa më pak të hapur.
Mos vendosni ushqim të nxehtë apo të ngrohtë në frigorifer apo ngrirës.
Mos lejoni lagështi dhe pastroni akul­lin e frigoriferit dhe ngrirësit.
Akordoni termostatin e ngrirësit në 0°C.
Mos i lini të ndezura dritat në hapë­sirat që nuk i shfrytëzoni.
Përdorni poçat elektrik kursyes dhe dritat e neonit.
Instaloni senzor që aktivizohet me lëvizje.
Përdorni pajisjet elektrike më tepër gjatë natës, nga ora 22 – 07 kur rryma është me tarifë të ulët (të lirë).

SHPENZIMI NË kWh PËR DISA PAJISJE ELEKTRIKE

Furra e stufës elektrike – 4 kW
Një pllakë e stufës elektrike – 1 kW
Bojleri – 2 – 3 kW
Lavatriçja – 2.5 kW
Termoakumuluesja – 2 – 6 kW
Kondicioneri (klima) – 1.3 – 2.5 kW
Radiatori – 2 – 3 kW
Kaloriferi – 2 – 12 kW
Fshisa elektrike – 1.2 – 1.8 kW
Hekuri për hekurosje – 1 – 1.5 kW

LISTA E PAJISJEVE ELEKTROSHTËPIAKE QË MBAJNË ETIKETA PËR EFIÇIENCËN

Frigoriferët, ngrirësit dhe kombinimet e tyre,
Makinat rrobalarëse,
Makinat rrobatharëse,
Makinat e kombinuara, rrobalarëse – rrobatharëse,
Makinat enëlarëse,
Stufat elektrike,
Kondicionerët,
Llambat elektrike./kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit