Hyrja e koalicionit “Shqiptarët e vendosur” në kabinetin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, është përmbyllur me marrëveshjen që Tuzi vitin e ardhshëm ta marrë statusin e komunës.
Sipas medieve serbe dhe malazeze, e gjithë kjo do të përmbyllet në sesionin pranveror të Kuvendit të Malit të Zi, kështu që Ligji për vetëqeverisje lokale do të ndryshohet, dhe Tuzi do ta ketë autonominë e plotë që të funksionojë si komunë.
Mehmet Zenka, lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, do të jetë ministër për të drejtat e njeriut dhe pakicat, derisa shqiptarëve do t’u takojnë pozita të zëvendësministrave dhe ndihmësve në disa ministri, por edhe pozita tjera në sektorin publik.
Në anën tjetër, shqiptarët do ta kenë për herë të parë edhe një nënkryetar të Kuvendit. Ai pritet të jetë Genc Nimanbegu.
Shqiptarët e Malit të Zi ka më shumë se dy dekada që kanë kërkuar që Tuzi të jetë komunë.
“Komuna e pavarur e Tuzit është kërkesë e jonë programore që shumë kohë dhe ne jemi e vetmja parti shqiptare e cila në vazhdimësi ka kërkuar që kjo të realizohet. Që të arrinim deri te ky qëllim, është dashur shumë gjëra të ndryshonin. Duhet të dihen kufijtë e komunës, deri ku duhet të shtrihet Malësia”, ka thënë për mediet serbe Mehmet Bardhi, lideri i Lidhjes Demokratike, shkruan lajmi.net.
Tuzi nga viti i ardhshëm do të jetë sikur të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Do ta kontrollojë buxhetin e vet për pagesa të të punësuarve në administratë dhe vetë do t’i përcaktojë prioritetet në rajonin e Malësisë.