2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Turqia reagon ndaj zhvillimeve në veri të Sirisë

Më të lexuarat

“Nuk kemi pse të anashkalojmë asnjë veprim apo zhvillim de fakto që do të kishte pasoja për Turqinë” tha dje për gazetarët Zv.kryeministri Bylent Arënç në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Sirisë.

Mbledhja e qeverisë turke u zhvillua dje në selinë e Kryeministrisë në Ankara nën drejtimin e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan dhe zgjati 5 orë e gjysmë. Ndërkohë që brenda në Kryeministri vazhdonte mbledhja e kabinetit Zv/kryeministri dhe Zëdhënësi i Qeverisë Bylent Arënç bëri deklarata për median.

“Qeveria i ndjek me një ndjeshmëri të madhe zhvillimet. Nuk jemi të detyruar të heshtim ndaj asnjë akti apo zhvillimi de fakto që do të kishte pasoja për Turqinë”, sqaroi Arënç në lidhje me zhvillimet në veri të Sirisë.

Turqia vazhdon ti ndjekë nga afër minutë për minutë të gjitha zhvillimet në Siri, nënvizoi Arënç. “Konflikti në Siri ka reflektime mjaft negative si në nivel rajonal, ashtu dhe në nivel ndërkombëtar. Por fatkeqësisht ndikimet e këtij konflikti po bëhen edhe më të rënda në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, shtoi ai.

Arënç rikujtoi se kontrolli në qytezën kufitare Resulajn të Sirisë kohët e fundit ka kaluar në duart e PYD-së, si pasojë e përleshjeve që kanë ndodhur në terren ndërmjet PYD-së (zgjatim i organizatës terroriste PKK në Siri) dhe grupeve të ndryshme opozitare. “Ne vazhdojmë ti ndjekim nga afër të gjitha këto zhvillime. Fatkeqësisht në këtë fazë, sulmeve intensive të regjimit ndaj opozitarëve u janë shtuar edhe përballjet në terren ndërmjet vet disa grupeve në Siri”, bëri komentin zv/kryeministri turk.

Vendbanimet në zonën kufitare janë shumë afër njëri-tjetrit dhe si pasojë e plumbave që bëjnë rikoshetë ka humbur jetën një qytetar nga ana e Turqisë dhe janë plagosur disa të tjerë, sqaroi Arënç dhe vijoi:

“Disa grupe po përfitojnë nga vakumi i pushtetit që është krijuar si pasojë e situatës aktuale në Siri dhe e shfrytëzojnë këtë situatë të brishtë dhe të ndjeshme në vend për të realizuar qëllimet e tyre të fshehta. Por ne nuk do të heshtim ndaj zhvillimeve që do të kërcënonin integritetin territorial dhe politik të Sirisë. Një gjë e tillë nuk mund të pritet nga Turqia. Këto zhvillime do të jenë kategorikisht të papranueshme në rast se ato përfitojnë një cilësi që i kapërcen kufijtë dhe marrin një dimension që përbën kërcënim ndaj sigurisë së jetës së qytetarëve tanë. Turqia është duke marrë çdo lloj mase në aspektin e sigurisë së kufirit dhe jetës së shtetasve të saj dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në ditët në vijim. Forcat e Armatosura Turke në rast nevojë reagojnë menjëherë në çast dhe në përshtatje me rregullat e angazhimit që janë në fuqi. Të gjitha organet dhe institucionet përkatëse po veprojnë me shpejtësi dhe në koordinim të plotë si dhe marrin të gjitha masat e nevojshme kundër çfarëdolloj kërcënimi që cënon sigurinë e kufirit të vendit tonë dhe jetën e qytetarëve tanë”. /trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit