Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Ambasadori Hüseyin Müftüoğlu tha se roli i Turqisë në Ballkan është konstruktiv, përfshirë kontributin në proceset demokratike të këtij rajoni
ANKARA (AA) – Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Ambasadori Hüseyin Müftüoğlu tha se roli i Turqisë në Ballkan është konstruktiv, përfshirë edhe kontributin në proceset demokratike të këtij rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne u propozojmë atyre që dëshirojnë që ta mësojnë rolin e sinqetë konstruktiv të Turqisë në Ballkan, përfshirë edhe kontributin në proceset demokratike të këtij rajoni, t’i lexojnë punimet dhe vlerësimet për kontributet e Turqisë në stabilitetin politik dhe ekonomik të Ballkanit e jo të mjediseve të cilët përpiqen t’i njollosin aktivitetet e kohëve të fundit të Turqisë në Ballkan, të cilat bazohen në themelin e bashkëpunimit”, thuhet në deklaratën me shkrim të Müftüoğlu në përgjigjen ndaj deklaratës së presidentit të Francës Emmanuel Macron, i cili gjatë një fjalimi, duke iu referuar Ballkanit kishte folur për Turqinë.
Zëdhënësi Müftüoğlu duke folur për mendimet dhe propozimet e presidentit Macron për të ardhmen e Bashkimit Evropian (BE), tha se ai duke iu referuar Ballkanit, kishte injoruar kontributet e Turqisë, e cila është element i domosdoshëm i Evropës.
Duke vënë në dukje se nuk është lehtë ta njohësh dhe ta kuptosh Ballkanin, Müftüoğlu theksoi se qasja e cila e sheh rajonin si një fushë konkurrencash është veçori e atyre të cilët nuk i kuptojnë të vërtetat në rajon. Müftüoğlu nënvizoi se edhe në themelin e problemeve të cilat po përjetohen në Ballkan qëndron ky problem.