Në zonën Karapinar të Konya-s do të ndërtohet centrali më i madh i Turqisë me energji diellore, “Karapinar YEKA” me kapacitet 1 mijë megavat.
Ofertën më të mirë në tenderin për Fushën e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë “Karapinar”, ku do të ndërtohet centrali më i madh i Turqisë me energji diellore, e dha konsorciumi “Kalyon-Hanwha”.
Tenderi për centralin e energjisë diellore “Karapinar YEKA” me kapacitet 1 mijë megavat, që do të ndërtohet në provincën Karapinar të Konjës, u zhvillua nga Ministria e Energjetikës dhe Burimeve Natyrore.
Në tender morën pjesë konsorciumet “Limak-CMEC-Haeron Solar”, “Kalyon-Hanwha”, “Çalık Enerji-Solargiga” dhe “AKC Güneş”.
Ofertën më të ulët për kilovat në tender e dha konsorciumi i formuar nga kompania turke “Kalyon” dhe ortaku i saj koreanojugor “Hanwha”, 6 dollarë e 99 cent.
Në kuadër të projektit që do të jetësohet pas tenderit do të realizohet ndërtimi dhe instalimi i një fabrike për të prodhuar në Turqi module fotovoltaike (panele diellore) me kapacitet vjetor minimumi 500 megavat. Me kusht që për 10 vite të kryejë punime në fushën e kërkim-zhvillimit në dispozicion të centralit “Karapinar YEKA” do të vendoset edhe një linjë integruese me tregun me kapacitet 1 mijë megavat.
Sipas dokumentacionit të tenderit synohet që përqindja e paneleve vendore për 500 megavatët e para të jetë 60%, kurse në 500 megavatët e dyta të jetë 70%.
Modulet fotovoltaike (panele diellore) që do të prodhohen në fabrikën e re, e cila do të jetë në gjendje pune brenda 21 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës, do të përdoren në terren.
YEKA-1 GES do të jetë centrali më i madh në Turqi që do të punojë me energji diellore dhe do të jetë shembulli i parë, ku do të aplikohet kushti për përdorimin e prodhimeve vendore në sektorin e energjisë dhe parimi i përcaktimit të çmimit bazë për Hapësirat me Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (YEKA).
Synimi i projektit është të japë në vitet e ardhshme kontribute të rëndësishme në shtimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe pajisjeve që përdoren në këtë sektor, në transferimin e teknologjisë dhe në reduktimin e varësisë nga burimet e parinovueshme energjetike.
Parashikohet që përmes këtij projekti të realizohet një investim me vlerë 1,3 miliardë dollarë dhe të prodhohet në vit 1,7 miliardë kilovat-orë energji elektrike, me të cilën do të përballohen nevojat e 600 banesave.