MPJ turke përmes një komunikate me shkrim shpreh shqetësim për krizën politike që vazhdon për një kohë të gjatë në Maqedoni, me të cilën ka marrëdhënie miqësore që nga dita e krijimit dhe mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe zhvillimin e saj.
Turqia ka njoftuar se ndjehet e shqetësuar për krizën politike në Maqedoni.
Në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme shprehet shqetësimi për krizën politike që vazhdon për një kohë të gjatë në Republikën e Maqedonisë, me të cilën Turqia ka marrëdhënie miqësore që nga dita e krijimit dhe mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe zhvillimin e saj.
Ngjarjet e të enjtes në parlament (Maqedoni) në komunikatë vlerësohen si shqetësuese. “Dhuna nuk është zgjidhje për asnjë problem. U përcjellim keqardhjen tonë të gjithë të dëmtuarave në këto ngjarje. Presim nga komuniteti turk në Maqedoni, i cili nuk është përzier në protestat që vazhdojnë për një kohë të gjatë në këtë vend, që të ruajë të njëjtin qëndrim të matur përballë këtyre ngjarjeve. Urojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në Maqedoninë mike. I ftojmë përfaqësuesit e partive politike që të veprojnë me gjykim të shëndoshë dhe problemeve t’u gjejnë zgjidhje me dialog”,- vijon komunikata e MPJ turke.
Për zhvillimet në Maqedoni foli edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në fjalën që mbajti në Samitin e Këshillit të Atlantikut që mbahet në Stamboll.
“Ngjarjet që ndodhën pas votimit për kryetarin e parlamentit janë shqetësuese. Dhuna nuk mund të jetë zgjidhje për asnjë problem. Në emër të vendit tim ngushëlloj të gjithë ata që janë dëmtuar në këto ngjarje. Në veçanti presim nga komuniteti turk në Maqedoni, i cili që në fillim është distancuar nga këto ngjarje, që të ruajë qëndrimin e matur. Dëshirojmë që vendi mik dhe vëlla i Maqedonisë ti kthehet sa më shpejt qetësisë dhe stabilitetit”, tha kreu i shtetit turk.
Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në postin e Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, përpara godinës së parlamentit kishin filluar të mbaheshin manifestime protestuese.
Një pjesë e protestuese kishin hyrë me forcë brenda në parlament dhe kishin marrë peng disa deputetë. Gjatë trazirave ishin plagosur disa emra të njohur të politikës, në mesin e të cilëve edhe Kryetari si LSDM-së, Zoran Zaev.