Republika e Turqisë i ka dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë pesë autoambulanca, të cilat u cilësuan si të rëndësishme për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të qytetarëve të vendit. Autoambulancat u dorëzuan nga zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Vlera e pesë autoambulancave kap koston e 300 mijë eurove.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, me këtë rast, ka falënderuar zëvendëskryeministrin turk Bekir Bozdag dhe mbarë popullin e Turqisë, duke thënë se kjo dhuratë simbolike në muajin e shenjtë e paraqet dëshminë e një miqësie shekullore mes popujve dhe shteteve tona dhe garancinë se kjo miqësi vetëm do të thellohet dhe vazhdohet edhe në të ardhmen.
“Marrëdhëniet në lëmin e shëndetësisë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë çdo ditë janë duke u thelluar, janë duke u cilësuar me një mbështetje të sinqertë. Qindra qytetarë të Kosovës i gëzojnë shërbimet shëndetësore të institucioneve publike dhe private të Turqisë. Kjo dhuratë simbolike në muajin e shenjtë e paraqet dëshminë e një miqësie shekullore mes popujve dhe shteteve tona dhe garantë se kjo miqësi vetëm do të thellohet dhe vazhdohet edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag, ka thënë se qëllimi i dhurimit të këtyre automjeteve është në radhë të parë shpëtimi i jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore.
Edhe Bozdag, konfirmoi miqësinë e thellë mes dy qeverive, atë të Republikës së Turqisë dhe të Republikës së Kosovës, dhe u zotua se ndihma e popullit turk për atë kosovar do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Këtu jemi në ceremoninë ku do t’i japim 5 ambulanta për nevojat e shëndetësisë së Kosovës. Në radhë të parë do t’i bëjmë përhajr këto autoambulanca duke shpresuar se do të shpëtojnë jetëra të qytetarëve kosovarë. Këto ambulanta luajnë rol të rëndësishëm në bartjen e pacientëve në raste emergjente dhe dhënien e shërbimeve shëndetësore. Turqia në sektorin e shëndetësisë ka bërë reforma të mëdhaja dhe për këto reforma ka marrë lëvdata nga shtete të ndryshme si Amerika, Evropa perëndimore etj”, ka thënë ai.
Çelësat e pesë autoambulantave të dhuruara nga qeveria turke, përmes TIKA-s, e cila vepron në Kosovë, iu dorëzuan drejtorëve të spitaleve të Pejës, Vushtrrisë, Ferizajt, Gjakovës dhe Prizrenit