Të paktën katër persona u vranë sot në Turqi kur një person hapi zjarr në një universitet në Eskisehir, njoftoi agjencia turke e lajmeve, Dogan, duke shtuar se vrasësi ishte arrestuar.
Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu Agency”, personi i armatosur, një punonjës i Universitetit Osmangazi ka vrarë një zëvendësdekan, dy pedagogë dhe një sekretar të Universitetit, për shkaqe të panjohura.
“Disa ambulanca dhe automjete të policisë kanë mbërritur në vendngjarje”, njoftoi agjencia e lajmeve “Dogan”, ndërkohë që televizionet tregojnë punonjësit dhe studentët e universitetit në lot.
Cituar nga e përditshmja “Hurriyet”, rektori i universitetit, Hasan Gonen konfirmoi se katër prej punonjësve ishin vrarë.
Sipas tij, personi i armatosur kishte hyrë në zyrën e dekanit, i cili nuk ndodhej aty për momentin, para se të vriste katër persona të tjerë.