ANKARA (AA) – Ministria e Brendshme e Republikës së Turqisë njoftoi se në strehimoret e përkohshme që ndodhen në vend jetojnë më shumë se 3.2 milionë refugjatë sirianë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Migracionit pranë Ministrisë së Brendshme, vetëm në qytetin e Stambollit jetojnë mbi 511 mijë refugjatë sirianë.
Pas Stambollit, i cili strehon numrim më të madh të sirianëve, vijojnë provincat juglindore Şanlıurfa dhe Hatay ku janë të strehuar mbi 445 mijë sirianë.
Të gjithë refugjatët sirianë që janë strehuar në Turqi kanë qasje në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.
Të dhënat e lëshuara nga Zyra e Migracionit thonë se në vitin 2017 mbi 591 mijë të huaj morën leje qëndrimi për në Turqi. Kjo shifër tejkalon numrin e vitit të kaluar, që ishte 461 mijë.
Ndryshe, Siria është e bllokuar në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Assad-it me dhunë shtypi protestat pro-demokratike.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë, më shumë se 250 mijë persona janë vrarë dhe më shumë se 10 milion janë zhvendosur nga Siria.
Në Turqi janë të strehuar më shumë refugjatë sirianë se në çdo vend tjetër në botë. Që nga fillimi i luftës civile siriane, vendi ka shpenzuar rreth 25 miliardë dollarë në ndihmë dhe strehim të refugjatëve.