4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Turpi ndaj Allahut është një moral fisnik dhe një virtyt madhështor

Më të lexuarat

Robër të Allahut, takvallaku (devotshmëria) është pasuria më e mirë me të cilën mund ta takoj njeriu Zotin e tij në ditën e gjykimit, për këtë Allahu thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (El Bekare: 197).

Robër të Allahut, janë të shumta hadithet që nxisin dhe inkurajojnë për virtytin e turpit dhe që sqarojnë pozitën e lartë që ka, si dhe frytet e begtshme që ia sjell robit të Allahut në këtë botë dhe në tjetrën. Ndër to është hadithi që transmetohet në librin e Buhariut dhe Muslimit, i transmetuar nga Abdullah ibën Omeri (radij Allahu anhuma) i cili tregon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) kaloi pranë një njeriu që e qortonte shokun e tij për turpin që kishte, atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) i tha: “Lëre, sepse turpi është nga imani”. Po ashtu në këto dy libra është transmetuar nga Ebu Hurejre (radij Allahu anhu) se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Turpi është një degë e imanit”. Ndërsa Imran ibën Husajn transmeton se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Turpi sjell vetëm të mira”, kurse në versionin e Muslimit është transmetuar me fjalët: “I gjithë turpi është i mirë”. Hadithet që flasin lidhur me këtë janë të shumta, ku nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) janë transmetuar shumë fjalë që sqarojnë se turpi është një virtyt fisnik, të cilin Allahu e do që ta kenë robërit e Tij, siq është transmetuar edhe në hadithin e Eshexh ibën Kajsit, të cilit i tha Pejgamberi: “Ti ke dy virtyte të cilat i do Allahu: butësinë dhe turpin”.
Robër të Allahut, turpi me gradën më të lartë, i cili meriton që më së tepërmi t’i kushtohet kujdes, është turpi ndaj Allahut (azze ve xhel-le), turpi ndaj Krijuesit të njerëzve, turpi ndaj Atij i

Cili të sheh në çdo vend dhe asgjë nga ti nuk mund t’i fshehet Atij. Allahu thotë: “A nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!” (El Alak: 14), pastaj thotë: “Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (En Nisa: 1), dhe thotë: “Allahu i sheh mirë punët që bëni ju.” (El Bekare: 265). Ky është turpi ndaj Allahut, i Cili i sheh ato që ti i fshehë dhe ato që i shfaqë, Atij nuk mund t’i fshehet nga ti asgjë.

Turpi ndaj Allahut është një moral fisnik dhe një virtyt madhështor, i cili buron nga tri gjëra:
E para: Të shikuarit në begatinë dhe mirësinë e Allahut me të cilën të ka begatuar.
E dyta: Të shikuarit në mangësitë dhe neglizhencën tënde në gjërat që të ka urdhëruar Allahu t’i punosh dhe në atë prej të cilës të ka ndaluar.
E treta: Të jesh në dijeni se Allahu të sheh në çdo gjendje dhe çdo kohë që gjendesh, Atij nuk mund t’i fshehet asgjë nga ti. Nëse këto tri gjëra bashkohen në zemër, atëherë në të do të lëvizë një turp i madh ndaj Allahut, ndërsa nga ky turp do të buroj çdo e mirë dhe çdo virtyt, siq thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): “Turpi sjell vetëm të mira”.

Pra, nëse në zemër gjendet turpi ndaj Allahut, atëherë robi i Allahut do të largohet nga moralet e ulëta, nga veprat dhe sjelljet e këqija, dhe në anën tjetër do të afrohet kah kryerja e obligimeve dhe do të kujdeset për morale të larta dhe sjellje të mira.
Robër të Allahut, turpi ndaj Allahut nuk është vetëm një fjalë që njeriu e thotë me gjuhë, por ai është një realitet që gjendet në zemrën e robit të Allahut, nga i cili buron veprimi i të mirave dhe largimi nga të këqijat si dhe buron el murakabe (vëmendja se Allahu është duke e përcjellë) ndaj Zotit të qiejve dhe tokës në çdo çast. Prandaj meditoni këtë hadith madhështor, i cili na e shpalos këtë realitet dhe na e sqaron këtë synim të madh, të cilin e transmeton Imam Tirmidhiu nga Abdullah ibën Mes’udi se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Turpërohuni nga Allahu me një turp të vërtetë!”, ne i thamë: “O i dërguar i Allahut, ne turpërohemi nga Allahu!”, Ai na tha: “Nuk është ajo që po mendoni ju!, por turpi i vërtetë ndaj Allahut është që të kujdesesh për kokën dhe organet e saj, për brendësinë e trupit dhe organet e tij, të përkujtosh vdekjen dhe kalbjen. Ai që e dëshiron botën tjetër duhet t’i braktisë stolitë e kësaj bote. Prandaj ai që i ka vepruar këto është turpëruar nga Allahu me një turp të vërtetë”.
Robër të Allahut, turpi nga Allahu është një moral që qëndron në zemrën e robit të Allahut, i cili kërkon të veprohen disa gjëra:

– Fjala e Pejgamberit: “Të kujdesesh për kokën dhe organet e saj”, tregon se koka përfshinë organet e dëgjimit, shikimit, të folurit dhe shijimit, pra në të gjeden shumica e shqisave të njeriut. Prandaj, nëse ai ka turp nga Allahu atëherë kërkohet që të kujdeset për të gjitha organet që përfshinë koka; kërkohet të kujdeset për dëgjimin e tij, pra kërkohet që të ketë turp nga Allahu dhe të mos dëgjoj gjëra që e hidhërojnë Allahun, të ketë turp nga Allahu dhe të kujdeset për shikimin e tij që të mos shikojë në ato gjëra që e hidhërojnë Allahun, të ketë turp nga Allahu dhe të kujdeset për gjuhën e tij që të mos flas gjëra që e hidhërojnë Allahun.

– Nga turpi është që “Të kujdesesh për brendësinë e trupit dhe organet e tij”; organi më me rëndësi që gjendet në brendësinë e trupit është zemra, sepse gjëja më madhore që duhet të realizohet në zemrën tënde është turpi nga Allahu, bile zemra është vendi i turpit, burimi dhe baza e tij. Prandaj nëse në zemër relizohet turpi ndaj Allahut, atëherë të gjitha organet tjera të njeriut do të jenë të shëndosha, siq thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): “Në trup është një organ prej mishi, nëse ai është i shëndoshë atëherë i gjith trupi do të jetë i shëndoshë, por nëse ai organ është i prishur atëherë i gjithë trupi është i prishur, e ajo është zemra”.

– Turpi ndaj Allahut realizohet nëse njeriu nuk preokupohet me sprovat, mashtrimet dhe dëfrimet e kësaj bote. Por ai duhet të përkujtoj se do ta takoj Allahun dhe do ta braktis këtë botë dhe një ditë do të hyjë në varr i vetëm pa shoqërimin e askujt, përveç veprave të tij të mira. Sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Përkujtoje vdekjen dhe kalbjen”; sepse nëse përkujton se do të vdesësh dhe do të kalbesh, do të qëndrosh para Allahut dhe do të pyetesh se çfarë ke punuar në këtë botë, atëherë të gjitha këto gjëra janë ndihmë dhe shtytje e madhe për ta realizuar turpin nga Allahu.

Gjithashtu për realizimin e turpit ndaj Allahut të ndihmon kthimi i shikimit kah bota tjetër dhe kah begatitë dhe dënimi që Allahu ka përgatitur në të, prandaj Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Ai që e dëshiron botën tjetër duhet t’i braktisë stolitë e kësaj bote”, pra që me veprat e tua të synosh fytyrën e Allahut dhe ahiretin, e që pastaj nga ti të dalin vepra të mira dhe morale të larta të cilat duhet të jenë të vazhdueshme në këtë botë. Allahu thotë: “Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet.” (El A’raf: 19).

O Allah, të lusim me emrat e Tu të bukur dhe cilësitë e Tua të larta, të lusim sepse Ti je Allahu që askush pos teje nuk meriton adhurim, të lusim sepse mëshira dhe dituria Jote ka përfshirë çdo gjë, të lusim të na bësh prej atyre që turpërohen nga Ti me turp të vërtetë.
Robër të Allahut, kur turpi largohet nga njeriu – Allahu na ruajt nga kjo – atëherë mos pyet për shkatërrimin dhe të këqijat që mblidhen tek ai, sepse është transmetuar nga Pejgamberi ynë (salallahu alejhi ve selem) të ketë njoftuar se ndër fjalët që janë trashëguar brez pas brezi që nga kohët e lashta, të clat janë dëgjuar nga pejgamberët e kohërave të ndryshme është fjala: “Nëse s’ke turp bë ç’të duash”. Pra në hadithin e Pejgamberit (salallahu lejhi ve selem) është trasnmetuar të ketë thënë: “Ndër fjalët e pejgamberllëkut të hershëm, që njerëzit kanë arritur ti mësojnë është fjala: “Nëse s’ke turp bë ç’të duash”. Ky hadith madhështor tregon qartë se atij që i është larguar turpi nuk brengoset për të këqijat dhe mëkatet që i vepron, sepse ai nuk ka turp nga Allahu dhe për këtë as nuk brengoset për mëkatet dhe as nuk kujdeset t’i mbulojë, dhe ato mëkate e bartin në luginat e shkatërrimit, luginë pas lugine derisa ta takoj Allahun dhe të qëndroj para

Tij i shkatërruar nga mëkatet.
Kurse ne e kemi obligim që ta përmirësojmë veten tonë derisa jemi në këtë botë të veprave, ta përmirësojmë veten tonë me turp ndaj Atij që na ka krijuar dhe na ka begatuar me mirësi të llojllojshme, sepse me gjithë këtë ne vazhdojmë të jemi neglizhent karshi Tij dhe karshi realizimit të obligimit ndaj tij, edhe pse e dimë se Ai na sheh dhe asgjë s’mund t’i fshihet nga ne.
Robër të Allahut, rob i mençur është ai që i bën llogari veprave të tij dhe punon për jetën pas vdekjes, ndërsa i pamençur është ai që pason teket e tij dhe mban shpresa të kota tek Allahu.

Dr. Abdurrezak el Bedr

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit