“Asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë dhe mënyrën e zgjidhjes së problemeve të SHBA-ve”. Kështu është shprehur presidenti amerikan Donald Trump, duke iu referuar tensionit me Korenë e Veriut, gjatë diskutimit të tij me trupat ushtarake në bazën ajrore të Yokotas, në perëndim të Tokios. Numri një i Shtëpisë së Bardhë, do të ndalojë në kryeqytetin japonez deri të martën.
Sipas burimeve diplomatike, pas testeve balistike koreano-veriore, miliarderi ka kritikuar qeverinë japoneze për faktin që nuk arriti “të rrëzojë” raketat e ardhura nga Pheniani që kanë fluturuar mbi vend për të përfunduar më pas në Paqësor.
Mësohet se Trump i ka kërkuar shpjegime Tokios mbi mungesën e reagimit, duke mos kuptuar pse “një vend “i luftëtarëve samuraj”, nuk ka mundut t’i neutralizojë raketat. Në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare, Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike në 29 gusht dhe 15 shtator, të cilat kanë fluturuar mbi ishullin Hokaido, duke rënë më ps në Paqësor.
Forcat ushtarake të Japonisë nuk ndërhynë, sepse vektorët nuk do të kishin rënë mbi territorin japonez, por edhe në bazë të disa aspekteve ligjore dhe të vshtirësisë për të arritur shënjestrën.
Takim i mundshëm me Putin – Gjatë turit të tij aziatik, presidenti amerikan do të takojë me shumë mundësi edhe homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Ka qenë vetë Trump ai që e ka konfirmuar para gazetarëve në bordin e avionit “Air Force One”, gjatë udhëtimit në Japoni.
“Kërkojmë ndihmën e Putinit për zgjidhjen e krizës gjeopolitike me Korenë e Veriut”, – pohoi ai, duke i hapur rrugën një takimi dypalësh që do të mbahet me shumë mundësi në Vietnam ose në Filipine, kur dy liderët të marrin pjesë në takimin e Bashkëpunimit ekonomik të Apec-ut. Trump shtoi po ashtu se do të diskutojë mbi kërcënimin e regjimit të Phenianit me krerë të ndryshëm shtetesh gjatë vizitës së tij në kontinentin aziatik.