TUNIS (AA) – Lëvizja Nahda në Tunizi fitoi zgjedhjet lokale pasi siguroi 27,5 për qind të votave, njoftoi televizioni shtetëror i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Procesi i votimit në zgjedhjet e para lokale pas revolucionit të vitit 2011 përfundoi me pjesëmarrje të ulët.
Sipas rezultateve jozyrtare, partia Nidaa Tounes, partia e dytë më e madhe politike me 55 deputetë në parlament, u rendit e dyta në zgjedhje me 22,5 për qind të votave.
Komisioni i Lartë Zgjedhor njoftoi tri orë para përfundimit të procesit zgjedhor se pjesëmarrja në zgjedhje ishte vetëm 21 për qind.
Komisioni bëri të ditur se 1.796.154 nga 5.369.000 votues të regjistruar kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
Rezultatet zyrtare pritet të shpallen deri më 9 maj.
Ndërkohë, me 33,8 për qind të votave, kandidatja e Lëvizjes Nahda Suad Ibrahim është bërë kryetare e bashkisë së kryeqytetit Tunis. Ibrahim ka arritur të bëhet kryebashkiakja e parë grua në historinë e vendit.
Zgjedhjet lokale janë konsideruar si hapi i ardhshëm në procesin e tranzicionit demokratik në vend pas kryengritjes popullore që rrëzoi Zine El Abidine Ben Ali në janar të vitit 2011.