0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Trupi i njeriut – Por, ç’është personaliteti?

Më të lexuarat

Dr Mustafa Mahmud

Trupi i njeriut

Të gjithë rrjedhim prej një burimi, të njëjtit trung, prej të njëjtës materie, por çdonjëri e posedon personalitetin e vet, individualitetin e vet. Sepse, dallimi ndërmjet njërës dhe tjetrës krijesë, nuk është vetëm kuantitativ në numrin e grimcave materiale, por ky dallim është edhe më i madh më i ndërlikuar në marrëdhëniet dhe mënyrën e lidhjes së këtyre pjesëzave.
Sot, për shembull dimë nga embriologjia se të gjitha qelizat e embrionit trashëgues të njeriut përbëhen prej proteinave të ndryshme të shënuara me njëzet formula kimike NNDA – RNA), diç e ngjashme sikur edhe abeceda, me të cilën janë shkruar libra dhe hartime. Në këtë mënyrë, edhe pse të gjitha librat (njëgjuhësore) janë të shkruara me shkronjat e njëjta, secili libër – në rastin tonë secili njeri do ta ketë shpirtin e vet, personalietin e vet dhe kualitetin si krijesë e veçantë, dhe pavarur. Kjo veçanti e njeriut shkon deri atje saqë secili njeri ka shenjë të veçantë të gishtit. Nuk ekziston ngjashmëri midis dy shenjave edhe sikur të ketë të bëjë edhe me bineqët.

Kështu kjo vazhdon prej njeriut të parë. Ose, ta marrim shembullin tjetër, dimë se cili organizëm njerëzor e ka “shifrën e vet personale kimike”, kështu që është mjaft vështirë, e nganjëherë dhe e pamundur, të transplantuarit e pjesës së trupit nga njëri në trupin tjetër njerëzor. Ai, së shpejti, e refuzon trupin e huaj, sikur ky është mikrob dhe për të krejtësisht i huaj. Ky dëbim paraqet problemin më të madh në kirurgjinë plastike dhe në të transplantuarit e organeve të trupit. Na është e njohur se, përkundër gjilpërave anestezike dhe barërave të vazhdueshme kundër refuzimit të trupit të huaj, zemra e transplantuar më e suksesshme ka jetuar vetëm diç më shumë se njëzet muaj(1).

Tërë kjo na tregon se individualiteti dhe veçantia personale është e vërtetë qenësore, shkencërisht e argumentuar – e vërtetë të cilës, në fillim të këtij zhvillimi ideor, nuk i kam kushtuar kujdes. Kam besuar se e rëndësishme dhe qenësore është shoqëria, bashkësia, e jo individi, njeriu, se e rëndësishme është jeta, e jo qeniet e gjalla, shoqëria, e jo anëtarët e saj. E vërteta, të kuptuarit e tillë ka qenë refleks, jehonë e filozofisë sime indiane mbi “panteizmin” (vahdetu-l-vuxhud) më herët të përvetësuar, e pastaj të lënë, e cila tërë botën fenomenale e identifikon me All-llahun, se ai është i vetmi i gjithmonshëm (permanent), e të gjitha krijesat tjera janë “MAYA”(2) dmth. mashtrime kaluese. Sipas saj, njerëzit pakthyeshëm vdesin, zhduken dhe nuk do të ringjallen. Për këtë edhe unë kam besuar se njeriu është i amshueshëm aq sa i edukon fëmijët e vet, i udhëzon dhe i mëson.
E sa i përket vetë personalitetit të tij,ai pakthyeshëm shndërrohet në pluhur. Kujtimi ynë do të zgjasë aq sa të kontribuojmë për çështjen e përgjithshme. Mirëpo, personalitetet tona – fati i tyre është që të zhduken.

Por, ç’është personaliteti?

Në fillim të formimit të konceptit tim mbi personalitetin nuk kam ditur më shumë se, individualiteti është reaksion i përkohshëm në qëndrimet e përkohshme dhe, në pajtim me këtë, kur të zhduken përkohshmëritë dhe të ndyshohet koha, prej këtij personaliteti nuk mbetet asgjë. Fundi i tij vjen me pleqërinë, kur të vijë deri te sahkatërrimi i tij si pasojë e shkatërimit të sistemit nervor në tru. Kur nervat pas vdekjes të kalben dhe të zhduken, do të zhduken edhe personalitetet të cilit i kanë takuar.
Thënë më mirë, kam besuar se termi personalitet është sinonim për karakteristikat e caktuara të njeriut të formuara nën ndikimin e përvojës aktive dhe aksioneve nervore reflektive prej të cilave disa janë trashëguar në trajtë instinkti, e disa janë arritur me prëvojat e shqisave, të cilat nëpërmjet trurit janë regjistruar dhe me memorie janë mbajtur mend. Dhe, kur pushon së punuari truri dhe qelizat e tij memorike vdesin, nuk ka nevojë të supozojmë njëfarë vazhdimi spiritual të këtij funksioni të pastër material. Kështu, në fillim, sipërfaqësisht në mënyrë materialiste e kam përfytyruar njeriun. I kam folur vetvetes se një personalitet nuk është i veçuar, i determinuar; ai s’është asgjë përpos shirit rrjedhës i personaliteteve të ndryshme e të shumënumërta. Kështu për shembull personaliteti im nga koha dhjetëvjeçare nuk është i njëjtë sikur edhe ai kur i kam pasur njëzet,e sërish tjetër prej atij kur i kam pasur tridhjetë. në çdo çast personalitetit tim diç i është shtuar, e diç i është marrë. Kam pyetur vetveten se cili personalitet do të ringjallet dhe në botën tjetër do të dënohet? Kjo lojë fjalësh, për të cilën atëherë s’kam qenë i vetëdijshëm, më ka bërë të harroj shembullin nga jeta e kësaj bote që, kur ta shtypim botimin e dytë të ndonjë libri, atëherë nuk e shtypim vetëm një faqe ose kaptinë të tij, por i shtypim tërësisht të gjitha pjesët e tij.
———————————————————
1 Duke e marrë parasysh se botimi i parë i kësaj vepre është lajmëruar më 1970,këto rezultate duhet kuptuar në kontekstin historik të asaj kohe; sot është shkuar më tej në këtë plan.
2“Mâyâ”, iluzion, mashtrim (në vedant) sipas së cilës fenomenalja na duket si e vërtetë definitive, sipas së cilës ajo që është absolute dhe e pandashme na duket relative dhe e ndashme. Mâyâ e mbulon të pamurit tonë kah e vërteta më e lartë. Ajo është fundamenti vegues i botës fenomenale. Do të thotë edhe fuqia mbinatyrore e zotërave.

 

Rasti i tillë do të jetë edhe me shpirtin: do të ringjallet me të gjitha kaptinat dhe detajet e tij, sikur që fara, e mbjellë në gjiun e tokës i përmban të gjitha kushtet dhe mundësitë që prej saj të zhvillohen edhe kërcylli edhe gjethet edhe fruti.

Mirëpo, teoria materialiste e cila sipas natyrës së vet është e dhënë kah detajizimi, obdukcioni dhe shkoqitja, gjithnjë më është imponuar, prandaj kam harruar që gjerat t’i shikoj në tërësi dhe absolutisht. Më dukej se shpirtin mund ta kuptoj nëse e studioj dhe analizoj trupin, dhe se midis këtyre dy nocioneve nuk ka kurrfarë dallimi: shpirti është trup, arsyeja tru, e personaliteti asgjë tjetër përpos reaksion dhe grumbull i qëndrimeve refleksive, se disponimi dhe simpatia, tekefundit, janë uri trupore, fizike.

Të ndalemi tash në këtë çështje: a është e saktë se njeriu është grumbull ngacmimesh në uri, seks dhe një sërë ndjenjash me të cilat trupi i njeriut i njeh nevojat e veta? Nëse këtë do ta pranonim, do të gjendeshim para shpjegimit materialist, e kjo nuk është qenësia as e shpirtit as njeriut – para temës të cilën hollësisht e kam diskutuar në dy veprat e mia “Enigma e vdekjes” (“Lagzu-l-mewti”) dhe “Enigma e jetës” (“Lagzu-l-hajâti”). Sepse, e sakrifikon kafshatën, shtëpinë dhe shtratin e vet të ngrohtë për qëllime më të larta, të cilat e privojnë nga shumë gjëra: e flijon këtë për drejtësinë, të vërtetën, të mirën e përgjithshme dhe lirinë. E ku janë këtu ngacmimet për uri dhe seks? Ose për shembull luftëtari në front, i cili mbi topin e vet flijohet për të nesërmen më të mirë, që do të pasojë? Ku është këtu shpjegimi materialist i trupit të njeriut?

Pra, është evdiente se qenësia e njeriut, komponentet e tij përbërëse, e tejkalojnë kuptimin e atij fizik, substancor dhe se qenësia e tij nuk përbëhet vetëm prej nevojave fizike, fiziologjike,të cilat tek ai reflektohen. Me fjalë tjera, ky vendim madhështor i njeriut që trupin e vet ta flijojë dhe urrejë, ky është manifestim që flet se ai e qeveris, e sundon trupin, e jo trupi atë. Nga ana tjetër, nëse “unë” jam trup, si mund ta sundoj trupin dhe ta nënshtroj?

Ose, thënë më qartë, nëse “unë” jam uria, si mundem që të detyrohem në uri? Pra, është evdiente se të ekzistuarit e atij “kontrolluesi” të brendshëm të njeriut mbi elementet dhe instinktet trupore, është argument i qartë mbi të ekzistuarit edhe të elementit tjetër, më kualitativ, i cili e përbën pjesën përbërëse të trupit të njeriut. Nëse dimë që nëpërmjet shpirtit ta sundojmë trupin, që me arsye t’i rregullojmë dëshirat tona, që nëpërmjet kundrimit të hollësishëm t’i vëmë kufijtë e arsyes – ky shkallëzim i parësores dhe sekundares e vërteton faktin i cili është më kualitativ se trupi i njeriut dhe e sundon atë, nuk i është nënshtruar dhe me trupin nuk vdes.

Atë i cili do të provonte dhe përpiqej të na shpjegonte se si njeriu është grumbull i nevojave materiale fiziologjike, do ta lusnim të na shpjegojë ku shkon ai njeri gjatë kohës së gjumit? Me fjalë tjera, atëherë, deri sa ai flen, tek ai edhe më tej kryhen proceset fiziologjike, të gjitha reflekset dhe ndërdija funksionojnë pa kurrfarë pengese. Zemra rekton, frymëmarrja funksionon gjëndrat sekrecojnë, organet digjestive punojnë, dora nga të shpuarit me gjilpërë dridhet. Dhe, përveç këtyre, ne para atij që është në gjumë jemi sikurse para drurit ose, thënë më mirë, para qenies primitive, e cila nuk dallohet prej insektit primitiv. Ku është këtu njeriu?

Gjendja alternative e gjumit dhe zgjuarësisë së njeriut, në të vërtetë, shembulli i zbehtë i vdekjes dhe ringjalljes, edhe një herë na konfirmon të ekzistuarit e atij elementi fisnik, shpirtit, në organizmin e njeriut. Me fjalë tjera, ky element me prezencën e vet në trupin e përgjumshëm, momentalisht dhe pa hyrje, e krijon Hitlerin ose Neronin, e ky trup i shtrirë zgjohet që të vrasë, sulmojë, rrënojë dhe zhdukë. Dallimi ndërmjet këtyre dy gjendjeve të organizmit të njeriut është tepër i madh që të mund të sqarohet me ndryshimet materiale momentale.

Materialistët thonë se shpirti është e vërtetë objektive, që do të thotë se është materie. Ne pyesim si mundet shpirti të jetë objekt dhe, nëse ky është, në raport me kend është objekt? Në raport me të tjerët?! me të tjerët nëse ata nuk e shohin?! Ata mund ta njohin të ekzistuarit e tij në bazë të manifestimeve, e këto manifestime, në të shumtën e rasteve janë të rrejshme dhe nuk janë autoritative. Sepse, prej përvojës dimë se të tjerëve, kryesisht, iu “shtiremi”, e madje edhe vetvetes. Nga kjo është e qartë se këto manifestime të jashtme do të jenë joreale.

Ose, shpirti është objekt i trupit, të vetë njeriut? Nuk është as, kjo, sepse të gjithë e dimë se shpirti nëse e kundrojmë si objekt nën neshterin analitik (thikën kirurgjike) do të transformohet në trup, do të tretet dhe fshihet. Këtë për shkak sepse ai nuk mund të jetë objekt, as të vendoset nën mikroskop si gjethi i drurit, sepse ai është substancë, para së gjithash për arsye se është subjekt. Thënë ndryshe, ai është fytyra tjetër e fotografisë, ai është subjekt në raport me trupin i cili është objekt. Në realitet, ky subjekt dhe objekt i përbëjnë polet e të vërtetës së njëjtë. Dhe, nëse e definojmë materien se ajo është çdo gjë që është objektive, me shqisa e kuptueshme, duhet të pranojmë se në botën kuptimore, abstrakte (vuxhud) ekziston edhe diç tjetër përveç materies, ana tjetër e të vërtetës, e ky është subjekti. Perceptimi, vrojtimi, do të na shpie kah njohja e fuqishme se në çdo çast ekzistojnë dy gjëra: objekti njohës dhe shpirti me të cilin njihet, e gjendet jashtë objektit. A thua, për shembull, kalueshmërinë kohore do të mund ta kuptonim po të mos ishte ajo fuqi njohëse, e vendosur në këndin e izoluar të kësaj rrjedhe të vazhdueshme kohore. Po të lëvizte vazhdimisht me treguesin sekondar, kurrë nuk do të mund t’i njohim as kuptojmë ato sekonda.

Njohja jonë do të zhdukej njëkohësisht me kalimin e sekondës. Më në fund, kjo ligjësi është e njohur mirë: se lëvizjen mund ta vërejë vetëm ai i cili është jashtë saj, kush nuk merr pjesë në të.
Për këtë arsye, për shembull nuk mund ta ndjejmë lëvizjen, nëse njëkohësisht edhe ne lëvizim, nëse jemi në orbitën e njëjtë. Duhet të gjendemi jashtë lëvizjes që të mund ta vërejmë atë. Nuk do ta ndjejmë, për shembull, lëvizjen e ashensorit deri sa jemi në ashensorin lëvizës, sepse jemi bërë pjesë e masës lëvizëse. Por, këtë lëvizje menjëherë do ta hetojmë nëse nëpërmjet vrimës në ashensorit shikojmë në ndonjë pikë ose trup i cili është në qetësi. Po ashtu, e pamundur do të na ishte ta vërejmë lëvizjen e Diellit nëse në të do të gjendeshim, por këtë lëvizje do ta vërejmë nga Hëna ose Toka. Sipas ligjësisë së njëjtë nuk mund ta vërejmë lëvizjen e Tokës derisa jemi në të, por këtë është lehtë ta vërejmë nga Hëna.

Pra,është e pamundur të kuptohet gjendja personale derisa gjendemi në të por ajo është menjëherë e kuptueshme nëse e vështrojmë nga jashtë,si objekt.Ligjshmëria e njëjtë ka të bëjë edhe me rrjedhën e kohës: që ta njohësh,subjekti yt njohës duhet medoemos të jetë jashtë rrjedhës kohore.
Në bazë të mëparshmes vijmë deri te konkludimi interesant: se shpirti ose subjekti njohës është ekzistencë e veçantë,kohësisht i pavarur dhe me të i palidhur.

Në këtë mënyrë u gjetëm para të vërtetës së njeriut: një pjesë e tij është e lidhur për kohën dhe zhduket me të. Kjo pjesë e tij me kohën bëhet, rritet dhe vjetërohet, e ky është trupi. Pjesa e dytë e kësaj të vërtete, është jashtë kohës. Ajo pjesa e dytë, shpirti, e vështron kohën nga pika jolëvizëse kohore dhe e njeh atë e në rrjedhën e tij nuk merr pjesë. Për këtë kjo pjesë e të vërtetës së njeriut nuk rritet, nuk vjetërohet as nuk zhduket. Dhe, atë ditë kur trupi të shndërrohet në dhe, ajo pjesë e mban veçantinë e vet, mbetet e gjallë me jetën e vet të veçantë, me kohë të pacaktuar(3).

Për pjesën e dytë të njeriut nuk kemi emër tjetër përpos atij,të cilin ia kanë dhënë fetë, e ky është shpirti. Të gjithë ne në vetvete mund të ndjejmë të ekzistuarit e shpirtit, si edhe këtë se ky ekzistim, sipas atributeve të veta, në lidhje me ndryshimet e jashtme të përditshme dinamike të botës fenomenale, është tjetër. Të gjithë mundemi që thellë në vete ta ndjejmë prezencën permanente të diçkahit që është krejtësisht e kundërt me ekzistencën relative, të jashtme pulsive. ky përjetim i brendshëm, të cilin e përjetojmë në çastet e zgjimit të brendshëm dhe ardhjes në vete, e të cilin e kam quajtur gjendja e “prezencës”, ky është çelësi i cili na shpie drejt zbulimit të ekzistencës spirituale te ne dhe e zbulon fshehtësinë, të cilën e quajmë shpirt, absolut ose abstrakt.

Në të dalluarit e të mirës prej të keqes, të vërtetës prej gënjeshtrës, drejtësisë prej padrejtësisë, i përdorim kriteret e caktuara, të cilat janë të pavarura prej objektit të matur. Notën e japim duke vështruar nga “këndi” i njëjtë “shpirtëror”. Se shpirti ekziston dëshmon në të përfaqësuesi i tij, ndërgjegjja, si edhe ndjenja se ç’është e bukur. Në të tregon ndjenja sekrete me të cilën e dallojmë të vërtetën prej të pavërtetës, origjinalin prej surrogatit, (falsifikimit). Dhe, më në fund, se shpirti ekziston dëshmon edhe liria e brendshme e aksionit. Së këndejmi edhe përfundojmë se shpirti është fushë e misterieve të fshehta njerëzore, e lirisë së pafrenueshme dhe zgjidhjes e nuancimit të lirë.

Derisa jetojmë nuk i kushtojmë kujdes vdekjes dhe deri sa veprojmë asaj nuk i japim pjesë në llogarinë tonë. Vështrojmë në vdekjen sikur në diç iracionale. Në të vërtetë, duke vepruar kështu ne persiasim dhe sillemi të mashtruar me “unin” (egon) tonë, i cili, në të vërtetë, është shpirti, e ai sipas natyrës së vet nuk di për vdekje. Vdekja, pra, në raport me shpirtin, i cili është jashtëkohor, është si ndërrimi i rrobeve. Vdekja është shkatërrim (fena-un), dhe zhdukje (adem-un) të cilën shpirti nuk e njeh. Ai është gjithnjë këtu, prezent. Koha në të nuk vepron. Me vdekjen ai nga vetja vetëm i heq teshat materiale të kësaj bote ose, si e thonë këtë sufitë, i vesh teshat e botës tjetër (berzah)(4), pastaj i heq ato të berzahit që t’i veshë ato hyjnore, spirituale (melekuti), pastaj i heq ato hyjnore që t’i veshë ato të sovranit (xheberuti). Në këtë mënyrë ai ngadhënjen shkallë shkallë në rrugën e vet kah Krijuesi i tij. Secili shpirt do t’i afrohet sipas shkallës së pastërtisë së vet, valvitshmërisë dhe mundësisë që të fluturojë. Shpirtrat, të ngarkuar e të rëndë, do të bien në gremina të errëta, duke u munduar gjithmonë që prej tyre të nxirren.

T’i lëmë sufitë dhe dëshmimet e tyre. Nuk e kam për qëllim që me këtë ese të futem përtej perdes së vdekjes, në mënyrë që të mësoj ç’ka pas saj, sepse kjo do të ishte dëshirë e parealizueshme. Kam dëshirë që lexuesi të mendojë mbi vetveten dhe ta zbulojë këtë subjekt, në vete thellë të mbjellë, të cilin e kam quajtur shpirt dhe për ekzistencën e të cilit kam dhënë prova e argumente të pamohueshme: ndjenjën tonë të brendshme, të cilën të gjithë ne në vete e ndjejmë. Kjo është ajo prezencë kontinuitive te ne, e cila është e përhershme dhe e pandryshueshme, si syri ynë i brendshëm i hapur përherë.
Shpirti është zgjimi i brendshëm. Ai është drita jonë e brendshme e padukshme, por e cila na ndriçon rrugën e të vërtetës dhe nëpërmjet së cilës e dallojmë të shëmtuarën prej të bukurës, të mirën prej të keqes. Shpirti është horizont nga i cili e vështrojmë rrjedhën e kohës dhe i njohim (kuptojmë) lëvizjet e saj. Nga ai e shohim edhe kalueshmërinë e kësaj bote.
Shpirti është pika qendrore e rrethi, qendra rreth të cilit lëvizin ndodhitë kohore të kësaj bote derisa ai qëndron stabil në vendin e vet, i palëvizshëm dhe i përhershëm. Shpirti, edhe pse është e vërteta jonë absolute, prapëseprapë është sekret. Jo në kuptimin se a ekziston, sepse këtë e argumentuam, por a është i përjetshëm apo vazhdimësia e tij është shënuar me disa kritere tjera kalendarike dita e të cilit është si një mijë vjet tonat? Kjo është sekret…
Çfarë janë raportet midis shpirtit dhe trupit?
Çfarë janë raportet midis arsyes dhe trurit?
Çfarë janë raportet midis memories, diturisë (së arritur) dhe manifestimit të diturive? Kjo është temë tjetër e cila kërkon shpjegime të gjata.

——————————————————————————-

3 Botëkuptim filozofik shkencor që, në kundërshtim me idealizmin, pranon se materia është parësore, kurse ndërgjegjja (shpirti) është dytësore dhe se fenomenet spirituale janë vetëm në funksion të materies, që është në kundërshtim me Islamizmin, i cili, siç kemi cekur, materien e konsideron vetëm mjet, vegël… për qëllime më të larta.
4 Berzah- ndërhapësirë, ndërkohë, periodë ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes; kalim ndërmjet dyshimit dhe sigurimit (në besim).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit