“Administrata amerikane konsideron se në këtë moment nuk do të ishte hap i mençur që të zhvendoset ambasada dhe Jerusalemi të njihet si kryeqytet i Izraelit”
WASHINGTON (AA) – Sipas një burimi të paemëruar në Shtëpia e Bardhë, mediat amerikane lajmërojnë se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka ndërmend të zhvendos ambasadën e SHBA-ve në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem dhe se kjo do të jetë edhe një nga premtimet e tij të parealizuara zgjedhore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke mbajtur identitetin e zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, shtëpia mediale Bloomberg bëri të ditur se administrata amerikane konsideron se në këtë moment nuk do të ishte hap i mençur që të zhvendoset ambasada dhe Jerusalemi të njihet si kryeqytet i Izraelit.
“Ne qartë të gjitha palëve u kemi treguar qëndrimin tonë dhe çka do të dëshironim të ndodh, por sigurisht se nuk dëshirojmë të provokojmë askënd, meqë të gjithë janë miqësor dhe të gatshëm për bashkëpunim”, tha zyrtari i paemëruar.
Gjatë fushatës parazgjedhore të vitit të kaluar Trump premtoi se do të zhvendos ambasadën e këtij vendi nga Tel Avivi në Jerusalem, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence në fillim të muajit prill deklaroi se Trump seriozisht është duke shqyrtuar këtë hap.
Ndonëse Kongresi amerikan që në vitin 1995 miratoi vendimin për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, tre presidentë amerikanë Geroge W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama anuluan ekzekutimin e vendimit për shkak të ruajtjes së interesit nacional në rajon duke mos dashur që në mënyrë shtesë të kërcënojnë procesin paqësor në Lindjen e Mesme.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në fillim të vitit se pret që ambasadat e të gjitha shteteve të zhvendosen nga Tel Avivi në Jerusalem, për të cilin tha se është kryeqyteti i Izraelit.
Bashkësia ndërkombëtare nuk pranon pretendimet e Izraelit mbi Jerusalemin si kryeqytet të këtij vendi dhe se shumica e ambasadave janë të vendosura në Tel Aviv. Pjesa më e madhe e liderëve palestinezë ka paralajmëruar se zhvendosja e ambasadës amerikane do të thoshte “miratim të politikës okupuese izraelite”.