0.9 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

TRINITETI DHE VËRTETËSIA E TIJ (Pjesa e dytë)

Më të lexuarat

Triniteti dhe vërtetësia e tij (2)
Rreth citateve të doktrinës së trinitetit

Senad Maku

v Këta të tre janë një. (1 Gjoni 5:7)

Këtu kemi të bëjmë me një citat tjetër te 1 Gjoni 5:7-8, të cilin e gjejmë në tri përkthime të ndryshme. Sipas Biblës, Diodati i Ri, përkthim 1991-1994, është kështu: “sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë, dhe këta të tre janë një”.

Sipas Biblës që e përktheu Dom Simon Filipaj është kështu: “Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti i shenjtë, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme”.

Te shkrimet e shenjta, përkthim nga “Bota e Re”, shkruan kështu: “Sepse tre janë ata që japin dëshmi, fryma, uji dhe gjaku, dhe që të tre janë në përputhje me njëri-tjetrin”.

Këtu shohim një dallim ndërmjet citateve të Biblave të ndryshme. Citati i lartpërmendur (Ati, fjala dhe fryma e shenjtë dhe këta të tre janë një) nuk paraqiten në asnjë nga dorëshkrimet e vjetra të Biblës, por janë shtuar më vonë me qëllim që të mbështetin doktrinën false të trinitetit. Megjithatë, dijetarët e dinë se fjalët e tilla janë false dhe në përkthimet e sotme të Biblës i lënë jashtë.[1]

Citati “Ati, Fjala dhe Shpirti i Shenjtë dhe të tre këta janë një”, gjendet në versionin e mbretit Xhejms, botuar në vitin 1916 dhe në atë kohë përbënte njërën ndër bazat më të forta për doktrinën e trinisë. Por tani, kjo pjesë është hequr nga “Revised Standard Version”, i vitit 1952 dhe 1971, si dhe nga mjaft Bibla të tjera, pasi kishte depërtuar gabimisht në tekstin grek.[2]

Pra, këtu kemi përsëri të bëjmë me fjalën “Një”, sikurse e shqyrtuam më parë te citati “Unë dhe ati jemi një” (Gjoni 10:30), duke shikuar edhe citatet e biblave të tjera, këtu kuptojmë se fjala “Një”, nuk do të thotë unitet duke aluduar në trinitet, por në një qëllim, në një veprim, rreth një dëshmie të vetme, apo që janë në përputhje me njëri-tjetrin. P. sh., nëse tre persona në gjyq japin deklaratë të njëjtë, nuk do të thotë se tre personat janë i njëjti person, por dëshmia e tyre është e njëjtë. Mirëpo, këtu shihet qartë se është një shtim i citatit në Bibël, me qëllim të mbështetjes sipas tyre të Doktrinës së Trinitetit.

Më 1690 Isak Njutoni (1642-1727) shkroi një dorëshkrim mbi korruptimin e tekstit të Dhiatës së Re, sa u përket citateve te 1 Gjoni 5:7 dhe 1 Timoteu 3:16, titullohej “A Historical Account of Two Notable Corruptions of Scripture” (Një llogari historike e dy korruptimeve të shquara të shkrimeve). Lidhur me citatin 1 Gjoni 5:7, Njutoni thotë se ky varg për herë të parë është shfaqur në edicionin e tretë të Dhiatës së Re, tek Erasmusi.

“Kur ata krijuan Trininë; në edicionin e tij ata futen gjëra nga dorëshkrimi i tyre, në qoftë se ata kishin një të tillë, si një almanak që i ka kaluar koha. Dhe a ka mundësi që këto metoda jo të pastra ta kënaqin një njeri të arsyeshëm?… Është më tepër rrezik se sa avantazh në besim, që ta bësh atë të mbahet në një kallam të thyer”.[3]

Këtë citat nuk e kanë biblat e botuara të mëparshme, si: “The revised standard version”, “The new revised standard version”, “The new american standard bible”, “The new english bibla”, “The philips modern english bibla”, e shumë të tjerë. Përse kështu? Përkthyesi Benjamin Willson bën këtë sqarim: “Ky tekst nuk gjendet në asnjërin prej shkrimeve greke që është shkruar para shekullit XV. Nuk është cituar prej asnjë autori, as prej etërve të hershëm latinë… “. Po ashtu edhe dr. Herbert W. Amstrog pajtohet me atë se ky verset është shtim, sepse nuk gjendet në shkrimet greke.[4]

Lidhur me këtë një hulumtues përfundon: “Mua nuk më duket se doktrina e trinitetit nuk ka të bëjë vetëm me themelet e besimit të krishterë; meqë nga faktet del qartë se lidhur me të nuk gjejmë të shkruar asgjë të drejtpërdrejtë në Dhiatën e Re; ndërsa i vetmi pasazh ku bëhet fjalë për tre që janë dëshmitarë (1 Gjoni 5:7) është pa dyshim i rremë dhe stili i të shkruarit i tij, krejt i panatyrshëm, dëshmon për faktin se sa e huaj është një përmbledhje e tillë nga stili i shkrimeve të Dhiatës së Re”. [5]

v Perëndia u shfaq në mish. (1 Timoteu 3:16)

Një citat tjetër, në të cilin, sipas të krishterëve, mbështetet doktrina e trinitetit është te 1 Timoteu 3:16: “Perëndia u shfaq në mish”,(Bibla-Diodati i Ri), që tregon se si Perëndia u shfaq në mish, u bë njeri. Po ta shohim të njëjtin citat te Bibla e Dom Simon Filipajt, na del se Jezusi erdhi në natyrën e njeriut, e jo Perëndia: “Krishti u dëftua në natyrën e njeriut”. Kurse te Bibla, shkrimet e shenjta, shkruan: “Ai u shfaq në mish” (Këtu aludohet në Jezusin).

Vërehet qartë dallimi ndërmjet Perëndisë dhe Jezusit; në citatin e parë tregohet Perëndia, ndërsa në dy Biblat tjera fjala është për Jezusin. Çfarë ndryshimi i madh!

Në manuskriptet e vjetra nuk qëndron “Perëndia u shfaq në mish”, veçse “Ai u shfaq në mish”, por zbulimi i manuskripteve të vjetra e vuri në pah mashtrimin e bërë.[6] William Miller thekson: “Zoti nuk ka një trup si të njeriut dhe Ai nuk është i kufizuar në një vend, apo në një kohë, por është gjithmonë kudo i pranishëm”.[7]

Bart Ehrman lidhur me këtë citat biblik thotë: “Në Kodikun Aleksandrin, që tashmë gjendet në Bibliotekën Britanike (British Library), arritëm në përfundimin se te 1 Timoteu 3:16, ndërkohë që shumica e dorëshkrimeve të vonshme flisnin për Krishtin si “Perëndi i shfaqur në mish”, ky dorëshkrim i hershëm e përshkruan Krishtin si ai, “i cili u bë i shfaqur në mish”. Në gjuhën greke ndryshimi është shumë i vogël. Dallimi qëndron mes një thete dhe një omikroni që grafikisht ngjajnë, pak a shumë, kështu: ÈÓ dhe OÓ. Skribët e mëvonshëm e kanë ndryshuar tekstin fillestar, ndaj edhe tani aty nuk lexojmë më “i cili”, por “Perëndi” (i shfaqur në mish). Me fjalë të tjera, një korrigjues i mëvonshëm e ka ndryshuar tekstin në atë mënyrë që ta vërë në pah sa më mirë hyjninë e Jezusit”.[8]

v Perëndia i ngjashëm me njeriun. (Zanafilla 1:26)

Te Zanafilla 1:26 shkruan: “Perëndia tha: Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne …”.

Gjithashtu, mundohen që ta argumentojnë doktrinën e tyre me këtë citat, kinse Jezusi është Zot dhe se Zoti u bë njeri në formën e Jezusit. Sipas citatit këtu tregohet në përgjithësi se si njerëzit janë sipas shëmbëlltyrës së Zotit, d.m.th. ne i ngjajmë Zotit (I pastër është Zoti nga shpifjet e tyre).

Shtrohet pyetja: Nëse Zoti është në ngjasim me ne, apo ne jemi të ngjashëm me Zotin? Nëse mendojmë pakëz, del se Zoti sipas Biblës na qenka në shumë forma, sepse ndër njerëz ka të bardhë, të zinj, të kuq, të verdhë, ka njerëz të gjinisë femërore dhe mashkullore etj. Në cilin grup të njerëzve hyn Zoti?! Këtu shihet një shpifje e madhe, një trillim që i bëhet Zotit të Plotfuqishëm. Kur i lexojmë citatet e tjera të Biblës, hasim në kontradiktë ndërmjet teksteve dhe njëherësh e kundërshton citatin e lartpërmendur. Pasi gjinden shumë citate që i kundërvihet citatit që sapo e përmendëm, ne do t’i paraqesim vetëm dy prej tyre.

Profeti Jeremia e kundërshton këtë citat duke thënë: “Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot … nuk ka njeri të ngjashëm me ty”. (Jeremia 10:6-7) Por edhe Jezusi e kundërshton, kur thoshte: “Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij”. (Gjoni 5:37)

Këtu shihet qartazi mënyra e manipulimit të njerëzve me Biblën.

Në njërën ndër enciklopeditë e njohura të religjionit, lidhur me këtë çështje, pohohet: “Sot teologët janë të një mendjeje se Bibla hebraike nuk përmban ndonjë doktrinë të trinitetit, edhe pse ishte e zakonshme që në tekstet dogmatike të së kaluarës lidhur me trinitetin të citoheshin tekste të ngjashme me ato të Zanafillës 1:26, “Le ta bëjmë njerëzimin të ngjashëm me ne, sipas shëmbëlltyrës sonë.” (Shih gjithashtu Zanafilla 3:22, 11:7; Isaia 6:2-3) si një provë e shumësisë së zotave. Edhe pse Bibla hebraike e paraqet Zotin si Atin e Izraelit dhe përdor edhe personifikime të Zotit si: fjala (davar), shpirti (ruah), urtia (hokhmah) dhe prania (shekhinah), do të dilte përtej qëllimit dhe frymës së Dhiatës së Vjetër lidhja e këtyre koncepteve me doktrinën e mëvonshme trinitare. [9]

Në një tjetër enciklopedi të njohur gjendet edhe kjo shprehje: “Vështirë se mund të gjenden gjurmë të trinitetit në Dhiatën e Vjetër…”[10] Së fundmi nuk do ta lëmë pa e përmendur Levi Leonard Painen, profesor i historisë kishtare, i cili në njërën nga veprat e tij shprehet: “Dhiata e Vjetër është rreptësisht monoteiste. Perëndia është një qenie më vete, një person i vetëm. Ideja që në të gjendet një trinitet…është krejtësisht pabazë” [11]

v Unë jam në Atin, Ati është në mua. (Gjoni 14:11)

Gjoni tregon se si Jezusi tha: “Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua”. (Gjoni 14:11)

Disa citate më poshtë, përsëri nga ungjilli i Gjonit, pohojnë se Jezusi tha për dishepujt: “që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, që je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”. (Gjoni 17:21)

Pra, këtu tregohet se si Zoti dhe Jezusi janë një, por gjithashtu edhe dishepujt janë një në Jezusin dhe Zotin, sepse ai është në Zotin. Në qoftë se Jezusi është zot, pse atëherë nuk janë edhe dishepujt zot, duke qenë se edhe ata janë si Jezusi, janë perëndi? Nëse Ati, Jezusi dhe shpirti i shenjtë, janë në trininë, atëherë po qe se do t’i përfshinim edhe dishepujt, bashkësia perëndi do të përbëhej nga pesëmbëdhjetë veta [12]

Po ashtu te Gjoni 14:20 thuhet: “Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju”. Dhe te Efesianëve 4:6 thuhet: “një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë”.

Askush nuk tha se apostujt apo efesianët janë zota, sepse madhështimi, poshtërimi, dashuria, etj., që u përshkruhen më të ulëtëve, u përshkruhen të lartëve në mënyrë metaforike, prandaj Jezusi, për apostujt në ungjillin e Mateut 10:40, tha: “Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar”. [13]

v Unë jam. (Gjoni 8:58)

Referimi i të krishterëve për të mbrojtur tezën e tyre sipas së cilës Jezusi është Zot, i referohen citatit, në të cilin Jezusi thotë se ishte para Abrahamit me fjalën “Unë jam”, te Gjoni 8:58: “Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam“”.

Nëse Jezusi është Zot për arsye se tha që ishte para Abrahamit, çka do të thoshim edhe për të tjerët që ishin më parë se Abrahami, bile edhe para krijimit të maleve dhe burimeve, para krijimit të tokës, siç e cek Bibla për Solomonin, Melkisedekun, Jereminë, Kirin e shumë të tjerë. Ja disa citate biblike të të përmendurve:

“Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi…. Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim”. (Hebrenjve 7:1,3)

“Para se unë të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet i kombeve”. (Jeremia 1:5)

“Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet: Po, unë do të zgjidh brezat që mbretërit mbajnë në ijë, për të hapur para tij”. (Isaia 45:1)

Pra, siç pamë te citatet e lartpërmendura, a mund të themi se edhe këto janë zota? Jo, por fjala e përmendur e Jezusit “Unë jam”, nuk do të thotë se është Perëndi. Për ta krahasuar shprehjen “unë jam” do ta cekim të njëjtën fjalë te Gjoni 9:9, ku lypësi e përdori këtë fjalë, pasi që Jezusi e shëroi nga verbëria, a mund të themi se edhe lypësi ishte Zot? Disa thoshin: “Ai është”. Të tjerë: “I përngjan atij”. Dhe ai thoshte: “Unë jam”.

Një nga librat e krishterë me titull “Bazat e Biblës” thekson: “Vetë përshkrimi i Marisë në ungjill si “nëna” e Krishtit, e shkatërron në vetvete idenë se ai ekzistoi përpara lindjes së tij nga Maria”.[14]

v Zoti Jezus. (Marku 16:19)

Në ungjillin e Markut 16:19 thuhet: “Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë”. Ndërmjet fjalës “Zoti Jezus”, siç e cek Diodati i Ri, dhe asaj te Bibla e Dom Simon Filipajt e te Shkrimet e Shenjta, ku e gjejmë të potencuar si “Zotëria Jezus”, kemi një dallim.

Së dyti, nëse Jezusi është Zot, si ulet zoti te Zoti? Mirëpo, nëse Jezusi është pjesë e trinitetit, po shpirti i shenjtë ku ulet në qiell, pasi që pranë Perëndisë është vetëm një vend; në të djathtën e Perëndisë? Nëse të krishterët mendojnë se fjala “Zot” apo “Zotëri”, që i është referuar Jezusit, është e njëjtë dhe megjithatë mundohen ta mbrojnë tezën e tyre, atëherë ç’të bëjmë kur në Bibël kemi personalitete të ndryshme të cilat quhen “Zotëri”. P. sh. fjala “Zotëri” përdoret për Esaun, i cili quhej Zotëri (shih Zanafilla 32:4), pastaj edhe Jozefi u quajt Zotëri (Zanafilla 44:20), Davidi po ashtu, bile Davidi quhet edhe “imzot” që do të thotë “Zoti im” (a mund të themi për të se është Zot?) (1 Samueli 25:24) e shumë të tjerë.

Pra, a mund të themi se këta janë zota? Jo, sepse fjala “Zotëri” nuk aludon në “Zot”.

Po ashtu Bibla na tregon se fjala Zot është përdorur edhe në vend të emrit Zotëri dhe jo për Krijuesin e qiejve dhe tokës. Në rastin e Marisë kur shkon tek varri, Maria mendon se është kopshtari dhe i thotë zot, po kështu edhe priftërinjtë e emërtojnë Pilatin zot. Pra, kjo tregon qartë se fjala Zot në Bibël, kur iu drejtohet njerëzve si Jezusit, Pilatit etj. ka kuptimin zotëri dhe jo Perëndi. Le t’i referohemi Biblës lidhur me këto argumente:

“Jezusi i tha: “O grua, pse po qan? Kë kërkon?”. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: “Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr”. (Gjoni 20:15)

“Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi.. .”. (Mateu 27:62-63)

Sikurse thuhet te Korintasve: “Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotërinë tonë?”. (1 Korintasve 9:1)

Sipas R. P. Roge, vargjet 16:19 të ungjillit të Markut, përbëjnë një tekst “të shtuar më vonë”, edhe pse për kishën është kanonik[15]! [16] Vargjet 9 deri në 20 të kapitullit të 16 në ungjillin e Markut, janë hequr nga mjaft Bibla. Shih në shënimet në “Revised Standart Version”, “New American Standard Bible”, “New World Translation of Holy Scriptures”. [17]

Nëse, vërtet, sipas citatit besohet se Jezusi ishte i shenjtë, ngaqë u ngrit në qiell, pse nuk pranohen si të shenjtë edhe ata profetë të tjerë, të cilët po ashtu u ngritën në qiell? Shih p.sh. te 2 Mbretërve 2:11-12: “… dhe Elija u ngrit në qiell përmes një shtjelle ajri. Elisha e pa dhe thirri… E më ai nuk e pa… “. Po kështu Perëndia ngriti në qiell edhe Enokun: “Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete”. (Zanafilla 5:24) Kjo përsëritet edhe te Hebrenjve 11:5. [18]

v Adhurimi i Jezusit. (Mateu 28:17)

Shprehja se “Jezusi është Zot” arsyetohet me atë se populli e kanë adhuruar atë, siç ceket te Gjoni 9:38 dhe Mateu 28:17, ku thuhet: “Atëherë ai tha: “Unë besoj, o Zot”; dhe e adhuroi”. “dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan”.

Fjala e përkthyer si “adhurim” apo “lutje” është fjala greke “Prosekunesan” e nxjerrë nga fjala “Proskuneo” (Pros-ku-neh’o), letrarisht e ka kuptimin e “të puthurit”. Kjo fjalë gjithashtu ka domethënie të përgjithshme, si: përshëndetje, kruspullim, zgjatje e fjalës, gjunjëzim, apo i shtrirë përdhe. Në këtë rast është akt i të puthurit të dorës së dikujt, në shenjë të adhurimit ndaj tij. [19]

Nëse e marrim Biblën – shkrimet e shenjta, do të vërejmë se nuk përputhet me citatin e lartpërmendur, sepse fjala “adhurim” këtu ceket me fjalën “nderime”. Citati është kështu: “atëherë ai i tha: Unë tregoj besim tek ai, Zotëri. Dhe i bëri nderime”. Kurse citati tjetër te Mateu 28:17 është kështu: “Kur e panë, ata i bënë nderime, por disa dyshuan”. Këtu shihet qartazi ndryshimi ndërmjet fjalës “adhurim” dhe “nderime” dhe përkthimi i tyre gabim, diku si “adhurim” e diku si “ra përmbys”.

Shprehje të tilla biblike nuk i referohen vetëm Jezusit, por edhe të tjerëve, si p.sh:

“Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit. (1 Samueli 25:23)

“Ajo hyri dhe u hodh në këmbët e tij, duke u shtrirë për tokë; pastaj mori djalin e saj dhe doli”. (2 Mbretërve 4:37)

“Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: “Ja, ne jemi shërbëtorët e tu”. (Zanafilla 50:18)

A mund të themi që edhe këta janë perëndi, sepse njerëzit ranë përmbys përpara tyre, me fytyrë për toke?

Vijon në numrin e ardhshëm me elaborimin e këtyre citateve biblik:

Biri i vetëmlindur. (Gjoni 1:14/ 3:16,18)
Jezusi nuk është prej kësaj bote. (Gjoni 8:23)
Emanuel – Zoti me ne. (Isaia 7:14 / Mateu 1:23)
Zoti im dhe Perëndia im. (Gjoni 20:27-28)
Shëmbëllimi i Perëndisë. (2 Korintasve 4:4)

——————————————————————————–
Fusnotat:

[1] “The Eerdmans Bible Dictionary”, Edited by Allen C. Myers, p.1020, sipas: Misha’al Ibn Abdullah, “What did Jesus really say?”, fq. 36-37; dhe në: “Si mund ta gjejmë rrugën për në Parajsë”, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, shtypur në Itali, nga Dëshmitarët e Jehovait në gjuhën shqipe, Romë, 1993, fq. 2.
[2] Hasan Baxhil, “Dialog ndërmjet të krishterit dhe myslimanit”, fq. 27.
[3] A. Wallace, “Anti-Trinitarian Biographies”, vol III, pp. 428-439, 1850, sipas: www.geocities. com/alcislam/ tjera/njuton_ bibel.html; shih edhe te: Misha’al Ibn Abdullah, “What did Jesus really say?”, fq. 39. Lidhur me pikëpamjet e Isak Njutonit për trinitetin, të dhëna mund ta gjeni edhe te Enciklopedia Britanike, te webfaqja e saj zyrtare: www.britanica. com/eb/article? eu=115657&tocid=12258&query=isaac% 20newton
[4] Hajrudin Muja, “Krishterimi paulian”, shih te webfaqet: www.zeriislam. com dhe www.bibladhekurani. com
[5] Neander, “History of Christian religjion”, vol. II, fq. 286, sipas www.erasmusi. org, “Disa thënie në lidhje me trinitetin”, Përmblodhi Rrezart Beka.
[6] Halil Ibrahimi, “Islami dhe krishterimi”, fq. 50.
[7] William Miller, “Besimet dhe ritet e krishtera”, England, 1991, fq. 2.
[8] Bart D. Ehrman, “Të keqcitosh Jezusin-Si dhe përse u ndryshua Bibla”, fq. 86.
[9] “Encyclopaedia of Religion”, Mircea Eliade, editor in chief, 1987, vol 15, (Macmillan Publishing Company, NY) fq. 54.
[10] “Encyclopaedia of Religion and Ethics”, Charles Scribner’s Sons, vol. XI, New York 1928, fq. 458. E njëjta gjë tregohet dhe vërtetohet në Enciklopedinë e re katolike, shih M.A.C. Cave, “Is the Trinity doctrine divinely inspired”, fq. 36.
[11] Levi Leonard Paine, “A Critical History of the Evolution of Trinitarianism”, 1900, [Houghton, Mifflin, and Company, Boston and New York; The Riverside Press, Cambridge] fq. 4; shih edhe “Harper’s Bible Dictionary”, edited by Paul J.Achtemier, San Francisco: Harper and Row, 1985, fq. 1098; ky citat gjindet edhe tek “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 12.
[12] Hasan Baxhil, “Dialog ndërmjet të krishterit dhe myslimanit”, fq. 29.
[13] Rahmetullah El-Hindi, “Triumfi i së vërtetës”, Shkup, 1998, fq. 91.
[14] “Bazat e Biblës – udhëzim kapitujsh” (Shpalosja e gëzimit dhe paqes së krishterimit të vërtetë), fq. 141.
[15] Kanon-i (gr.) – norma, mostra, kriteri, dispozita apo ligji kishtar; në fenë krishtere – si në atë katolike, ashtu edhe në atë ortodokse – tërësia e atyre shkrimeve që kanë të bëjnë me fenë krishtere, të cilat organi apo personi i autorizuar kishtar i ka shpallur dhe i ka konfirmuar si të vërteta, burimore, të padyshimta dhe, si të tilla, të shenjta. (Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, fq. 178.)
[16] Dr. Maurice Bucaille, “Bibla, Kur’ani dhe Shkenca”, fq. 120.
[17] Hasan Baxhil, “Dialog ndërmjet të krishterit dhe myslimanit”, fq. 50.
[18] Po aty, fq. 50.
[19] Hajrudin Muja, “Krishterimi paulian”, shih te webfaqet: www.zeriislam. com dhe www.bibladhekurani. com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit