Një tender i shpallur nga Ministria e Kulturës u bën thirrje kompanive që të bëjnë oferta për të intervenuar në 31 objekte të trashëgimisë kulturore në vend.
Tenderi i cili do të jetë i hapur deri në mesin e këtij muaji parasheh intervenime emergjente në objektet e trashëgimisë kulturore në qendrat rajonale të Kosovës, si në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë. Në secilën nga këto qytete është paraparë që të intervenohet në objekte, si: kulla, xhami, shtëpi të vjetra, mullinj, shkolla të para të shqipes, minare e mejtepe.
Në Ministrinë e Kulturës kanë thënë se kjo përzgjedhje është bërë nga qendrat rajonale të trashëgimisë.
“Vlera totale e buxhetit të ndarë për intervenime emergjente është mbi 200 mijë euro. Se sa do të jetë shuma finale varet edhe nga procesi i ofertimit në tender”, ka thënë Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi.
Sipas tij, qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore të Kosovës kanë bërë propozimet e tyre duke marrë për bazë objektet që kanë më shumë nevojë për intervenim.
”Varësisht prej prioriteteve nga ana e tyre, në bashkëpunim me Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, është vendosur se në cilat objekte duhet të intervenohet këtë vit”, ka thënë Haxhijaj. Fituesit e tenderit do të dihen më vonë gjatë këtij muaji nëse, siç thonë në MKRS, procesi i tenderimit shkon në rregull.
“Në momentin që të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj do të nisin edhe punimet”, ka thënë Haxhijaj. Në këtë kontekst Haxhijaj nuk ka dhënë asnjë afat kohor se sa do të zgjasë puna e intervenimit në këto objekte.
Objektet për ndërhyrje emergjente janë:
1. Rregullimi i murit rrethues të ndërtesës së Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës
2.Konservimi i Kullës së Avdullah Pashë Drenit
3.Konservimi i Tyrbes së Tahir Efendisë
4.Xhamia në Smolicë
5. Rregullimi i Teqesë në Duzhnje
6. Tyrbja e Dervish Danës
7. Përforcimi dhe konservimi i Atik Xhamisë në Gjilan
8. Shtëpia e Isak Pozharanit në Gjilan
9. Ndërtesa e ish-Depos ushtarake turke në Gjilan
10. Masat mbrojtëse për Xhaminë e Trepçës në Mazhiq
11. Konservimi i Kishës Katolike në Vinarc
12. Konservimi i mullirit në Kopiliq të Poshtëm, Skënderaj
13. Xhamia në Syriganë
14. Rregullimi i shtëpisë së familjes, pronar z. Luan Rudi
15. Konservimi i kullës në Burojë, pronar z. Rexhep Thaçi
16. Konservimi i mullirit në Kishnarekë
17. Konservimi i shtëpisë së vjetër në Kukaj
18. Konservimi i mullirit në lokalitetin e Ulpianës
19. Konservimi i shkollës së parë shqipe – Mejtep
20. Konservimi i mullirit të Tahir Lush Bërdynajt
21. Konservimi i kullës së Selim Hoxhës në Junik
22. Konservimi i Mejtepit të Tahir Efendi Llukës
23. Konservimi i kullës në Gllogjan
24. Konservimi i kullës se Haxhi Kamer Bicajt
25. Kulla e Xhafer Sylës
26. Kulla e Abdurrahman Kajtazit
27. Rregullimi i kulmit të shtëpisë së familjes Bajmak
28. Konservimi i fasadës së shtëpisë së familjes Grazhdo
29. Rregullimi i kulmit të shtëpisë së Haxhi Izet Mashkullit
30. Konservimi i minares së xhamisë në Drenoc ( Rahovec)
31. Konservimi i mullirit në Banjë të Malishevës./koha/kohaislame