Miratimi i Statutit të Trepçës në fundjavën që shkoi, me më shumë se dy të tretat e votave, ka hapur rrugë që njësitë thelbësore të ndërmarrjes, që ishte nën menaxhimin e AKP-së, të regjistrohen si pjesë të shoqërisë aksionare “Trepça”.
Ky miratim ka sjellë një reagim nga ana e Serbisë, pasi, një pjesë e njësive ndodhen në veriun e banuar me serbë, Beogradi zyrtar ka reaguar dhe ka paralajmëruar se nuk do të kthehet në dialogun e sponsorizuar nga Brukseli, pa shfuqizimin e Statutit.
Pas deklaratave të Beogradit, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Maja Kociançiq, zëdhënëse e Federica Mogherini, e cila ka thënë se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet në Bruksel.
E kjo deklaratë e Kociançiq, ka bërë që spektri kosovar të bëhen njëzëri kundër përfshirjes së Trepçës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare publike, përfshirja e Trepçës në dialog është absurde, duke pasur parasysh që është pasuri kombëtare aq më tepër të negociohet për të.
Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, Kosova dhe askush tjetër nuk ka të drejtën të negociojë për të mirat publike, derisa janë aseste brenda territorit të tij shtetëror.
“Në asnjë rrethanë pala kosovare (ekipi i dialogut, apo kushdo tjetër që përfaqëson Kosovën) në bisedimet e Brukselit nuk guxon të lejoj që pikë e agjendës së dialogut të futët Trepça apo ndonjë aset kombëtar si kjo. Nëse kjo ndodh, do të përbënte një presedan të rrezikshëm që mund t’i hapë rrugë apetiteve të Serbisë edhe për asetet tjera që dikur i ka shfrytëzuar në Kosovë, por, që janë ndërtuar më paratë dhe djersen e kosovarëve”, ka thënë Gashi.
Gashi, shton se nuk din nëse ka në ndonjë vend të botës që të mirat publike që ndodhën në territorin e një shteti mund të aspirohen nga shtetet tjera fqinje.
“Unë nuk e di që në ndonjë vend të botës të mirat publike që ndodhën në territorin e atij shteti mund të aspirohen nga shtetet tjera fqinje. Kjo mund të ndodh vetëm në ato raste kur këto resurse janë dhënë më koncesione apo blerë nga një shtet tjetër, por ky nuk është rasti në Kosovë sa i takon Trepçës”, përfundon Gashi.
E profesori i së drejtës ndërkombëtare publike, Afrim Hoti, duke folur për Syri.net Kosova, thotë se është befasuar për të keq nga deklarata e Kociançiq, e cila lëshohet në një detaj kaq të vogël duke bërë Bashkimin Evropian si të një anshëm, e jo neutral siç duhet të jetë.
Hoti thotë se që nga momenti i shpalljes së pavarësisë të një shteti i cili ndahet territorialisht nga një shtet, të mirat publike të cilat janë në territor të shtetit të ri kalojnë automatikisht në pronësi të tij.
“Është e pakuptimtë dhe jo logjike që të mirat publike (minierat, fabrikat, pyjet, rrugët, hekurudhat etj), që janë brenda një territori të një shteti i cili tashmë është i pavarur dhe nga momenti i shpalljes së pavarësisë, gjitha këto të mira i kalojnë në mënyrë automatike. Prandaj, konsideroj që është jo e drejtë dhe nuk duhet të merret absolutisht në konsideratë për më tepër nuk ka asnjë rast të tillë. Shtetet mund të involvohen njëra më tjetrën kur bëhet fjalë për ndarjen e pasurisë, borxheve publike etj. Por jo për pronën e cila është pjesë e territorit të vet”.
Sipas profesor Hoti, Kosova nuk guxon dhe nuk e ka komoditetin e përfshirjes së temave të tilla në dialog, kur duhet apriori politikisht dhe juridikisht dihet që i takojnë njërës palë.
Më tutje, Hoti deklaron se është paradoksale se si Serbia kushtëzon dialogun njëherit Kosova tregon rezerva karshi kësaj.
“Është paradoksale të flitet për kushtëzim nga ana e Serbisë, në të njëjtën kohë nuk e kuptoj një lloj rezerve nga ana e Kosovës, sepse, pothuajse faji është adresuar tek kosovarët sikur ne e kemi bllokuar dialogun. Kosovarët duhet të shkojnë në dialog me vendime që kanë marrë dhe heqja e taksës duhet të reflektohet në mënyrë të dyanshme dhe nëse duhet patjetër të hiqet bashkë me efektet që kanë shtyrë vendosjen e taksës, në mënyrë që palët të jenë të barabartë në dialog”.
I pyetur se a mund të jetë përfshirja e Trepçës në dialog si një rrugëdalje për korrigjim kufiri ashtu siç po pretendon Presidenti Thaçi, profesor Hoti thotë se ndryshe nuk mund të komentohet veç se kjo është në atë vi.
“Unë kam përshtypje që deklarata është dhënë në atë vi e para dhe e dyta kur flasim për Trepçën, do të kishte kuptim sikur të flisnim nën konglomeratin e Trepçës që përfshihet edhe pjesë të cilat shtrihen në Serbi e Mal të Zi. Nëse flasim për këtë konglomerat që kalon kufijtë e shteteve atëherë mund të jetë pjesë e bisedimeve në të kundërtën përfshirja vetëm e pjesë së Kosovës do të ishte deklaratë tendencioze prapa secilës fshihen planet për ndryshim të kufijve”, përfundon Hoti.
Kundër përfshirjes së Trepçës në dialog ka dal edhe ish-kryenegociatoria për dialog, Edita Tahiri.
Tahiri, për Syri.net Kosova, tha se kundërshton fuqishëm këtë deklaratë skandaloze dhe luftënxitëse që tregon se Mogherini me zyrën e saj kanë marrë anën e Serbisë dhe kanë humbur besueshmërinë për të qenë ndërmjetësues parimor të dialogut të Brukselit.
Ndërsa sot sërish Maja Kocijançiq, tha se Bashkimi Evropian e bëri të qartë se agjenda e bisedimeve Prishtinë-Beograd përcaktohet nga vet palët e përfshira. /A.ZH/syri