-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Tregimi inspirues për vrapuesin maroken

Më të lexuarat

Prej kur kishte nisur me vrapime, si djalosh i ri në Marok, Hichal El Guerroj kishte vetëm një ëndërr.

Ëndrra e tij e madhe ishte të bëhej kampion olimpik. Ajo ëndërr gati iu realizua në “Atlanta 1996”. Ishte në grupin që po e udhëhiqte vrapimin final në 1500 metra, por papritmas u rrëzua. Ai u rrëzua kur kishin mbetur edhe 400 metra vrapim deri në fund të garës. Si sportist i vërtetë u ngrit dhe vazhdoi garën, por u rendit vetëm i 12-ti.

Kampion olimpik në Atlanta doli Noureddine Morceli i Algjerisë.

Rrëzimi në finale nuk ndali karrierën impresive të marokenit El Guerrrouj. Por ëndrra e madhe për të mbetej e arta olimpike.

Pasi vendosi rekord botëror dhe fitoi titullin e dytë të botës, El Guerrouj ishte favorit absolute për të fituar të artën në “Sydney 2000”.

Ai kishte plot 28 fitore rresht në vrapim 1500 metra, dhe udhëhoqi finalen olimpike thuajse deri në fund. Por mbeti pa forcë në finish dhe në 30 metrat e fundit u kalua nga Noah Ngeny që fitoi të artën për Keninë. El Guerrouj fitoi vetëm medaljen e argjendtë.

“Për mua, Ngeny e meritoi të bëhej kampion olimpik në vitin 2000. Ne ishim rival të mëdhenj”, kishte thënë El Guerrouj.

Për të vendi i dytë ishte vlerësuar dështim i madh, marrë për bazë sukseset që kishte pasur në ato vite. Ai vazhdoi prapë. Fitoi edhe dy tituj të botës dhe ishte i pamposhtur për tri vjet.

Para fillimit të edicionit 2004, El Guerrouj, kishte fituar 80 prej 83 garave në 1500 metra vrapim. Dy “humbjet” i erdhën në finale të Lojërave Olimpike, në Atlanta dhe Sydney.

Tre muaj para Lojërave Olimpike ”Athina 2004”, vrapuesi legjendar ishte shkatërruar nga alergji dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Humbi dy herë para Lojërave të Athinës dhe nuk pritej të paraqitej mirë në Olimpiadën e 2004-ës.

“I kam menduar humbjet në Sydney dhe Atlanta edhe një herë. I kam menduar të gjitha gjërat. Vendosa të nxitoja dhe të merrja kryesimin në finale. Fillova të flas me veten, t’i thosha trupit tim të paraqitej mirë dhe të qëndronte i durueshëm”, ka thënë El Guerrouj.

Ai herët doli në krye të vrapuesve. Udhëhoqi gjatë dhe në fund i rezistoi sulmit të vrapuesit nga Kenia. Finishi i tij këtë herë ishte i duhuri. Festa e tij për medaljen e artë olimpike ishte emocionale.

Nuk ia doli të mbajë lotët. Për shumë minuta mbeti në shteg, fillimisht në gjunjë e më pas i shtrirë në shpinë. Më pas doli në tribuna.

Skenë tjetër emocionale ishte me rastin e pranimit të medaljes nga një prej vrapuesve më të mirë në histori.

Katër ditë pas finales në 1500 metra, Hicham El Guerrouj vrapoi në finale e tij të parë olimpike në 5000 metra. Me një vrapim impresiv kaloi dy rivalë në fazën finale të garës dhe fitoi të artën. U bë vrapuesi i parë që nga Paavo Nurmi në vitin 1924, që fitoi të artat në dy ngjarjet.

El Guerrouj është ende rekordmen botëror në vrapim 1500 metra, në një mile (1609 metra) dhe në 2000 metra.

Ai ka dhënë shembull se në jetë dhe në sport asnjëherë nuk duhet të hiqet dorë.

El Gurrouj, tani 45-vjecar, vlerësohet nga shumë njerëz si vrapuesi më i mirë në histori sa i takon distancave të mesme. Ai natyrisht është në Hollin e të Famshmëve të atletikës, ndërsa mban shtatë prej dhjetë kohërave më të shpejta në vrapim 1500 metra. Pos tri medaljeve olimpike ka edhe katër medalje të arta botërore dhe dy medalje të argjendta botërore. I ka edhe tri të arta nga Botërorët e palestrës. Por janë garat në Athinë që e bëjnë njërin prej më të mëdhenjve të atletikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit