0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Tre shanset e Ramazanit

Më të lexuarat

Prof. Dr. Nasir Ibn Sulejman el-Umer
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet janë për të Dërguarin e Tij!
Jemi në një muaj të madh, në një muaj të bereqetshëm, muaj në të cilin më ndaluan për meditim tri thënie të vërtetuara nga i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam]. Fjala është për thëniet:
1) “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
2) “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
3) “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Buhariu.)
Këto, në fakt, nuk janë (vetëm) tri thënie, por janë (edhe) tre shanse të mëdha për të shlyer mëkatet. Ndalesa për meditim më bëri edhe të ndihem keq. Sa njeriut i kalojnë këto shanse?! Edhe më keq, ka njerëz që agjërojnë, falen, e ndoshta edhe e arrijnë Natën e Kadrit, por nuk i falen mëkatet, ngase ai nuk agjëron me besim dhe as që kërkon shpërblimin e Allahut. Agjërimi për të është thjesht një traditë. Ndoshta (në rast tjetër) agjëron pse beson, por sjelljet e tij nuk lënë shumë për të dëshiruar. Shiko gjendjen e disa njerëzve në mbarim të ditës (pak para iftarit), do të ndihesh keq.
Po kështu disa që falin namaz, nuk falen me besim dhe përkushtim për të fituar shpërblimin e Allahut. Këtë e bëjnë për hatër të njerëzve. Edhe nëse falet, ndoshta e humb shpërblimin për shkak të ankesave nga zgjatja e tepërt e sexhdes nga Imami, nga vapa e madhe në Xhami, nga mosfunksionimi i klimës, etj. Apo, nëse qëndron në shtëpi, sillet vrazhdë me familjen e tij. Sikur të falet nën tutelën e automatikut.
Këta njerëz mbase mund ta arrijnë Natën e Kadrit dhe të falen në të, por jo nga besimi apo duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.
Për dallim prej tyre, ka njerëz, falë Allahut të Madhëruar, të cilët Nata e Kadrit i gjen me rroba dhe zemër të pastër, njerëz që iu falen mëkatet për shkak se agjërojnë dhe falen me besim dhe llogari në shpërblimin e Allahut. Të tillët, Allahu nuk do t’i privojë nga shpërblimi, përkundrazi, Natën e Kadrit ata do t’i shmangen ndëshkimit të Allahut ndërsa pozitat e tyre do të lartësohen dhe nderi i tyre do t’iu shtohet edhe më. Kjo është mirësi që Allahu ia jep kujt të do.
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka përmendur se ‘Xhenneti i ka tetë dyer’ (Buhariu), dhe në secilën prej këtyre dyerve ftohet një grup i caktuar njerëzish. Kush të jetë prej namazfalësve, thirret nga dera e namazit, kush ka luftuar në rrugën e Allahut, thirret nga dera e xhihadit, kush është dëshmuar më shumë në lëmoshëdhënie, thirret nga dera e lëmoshës, e kush ka agjëruar, thirret nga dera rejjan. Ebu Bekri [Allahu qoftë i kënaqur me të] tha: Vërtetë, ai që thirret prej një dere, nuk ka nevojë të thirret prej tjerave, por, (sa për kureshtje,) a ka ndonjë që thirret prej të gjitha dyerve o i Dërguari i Allahut? Po, dhe shpresoj të jesh një prej tyre ti o Ebu Bekir! –i tha Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
Me këtë rast, ne shpresojmë dhe lutemi të thirren nga këto dyer vëllezërit tanë në Siri, Kuds, e të cilët ani pse luftojnë me pasuritë dhe vetët e tyre, nuk ndalen së agjëruari, faluri dhe dhëni Zekatin!!!
Qëllimi (nga përmendja e dyerve) është që kësisoj të veprojmë edhe me shanset e Ramazanit. E vërtetë, ka njerëz që iu falen mëkatet në Ramazan për shkak të agjërimit, namazit, Natës së Kadrit, ani pse me dallime në pozita dhe grada, dhe ne lutemi që të jemi prej fitimtarëve më të dalluar, por, ajo që ne duam është që në rast të lëshimit të një shansi, ta shfrytëzojmë tjetrin. Këtë e mëtojmë ngase nuk ka më humbës se ai që humb në Ramazan. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Humbës dhe dështak është ai që ka zënë Ramazanin ndërsa nuk i janë falur mëkatet!” (Transmetojnë Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani e ka vlerësuar për të vërtetë –sahih.)
Të supozojmë për një njeri që i janë dhënë tri mundësi për një punë të lehtë por ja që në të tri herët ka dështuar për shkak të pakujdesisë dhe joseriozitetit të tij; dështoi herën e parë, të dytën, dështoi edhe për herë të tretë, e çfarë të pritet prej tij?! Ke kujdes që Allahu të të largojë ty nga mëshira e Tij! Është vërtetë poshtërim. Kam parë njerëz që në dhjetëshin e fundit ani pse haremin nuk e kishin më larg se disa metra dhe dëgjonin leximin e Imamit, megjithëkëtë ata bënin mëkate, madje disa sosh në të njëjtën kohë. Qëndron afër haremit por nuk i kushtoni vëmendje shumë. Luanin lojërat e tyre, tymosnin duhan nga shishet ndërsa nuk kursenin veten nga fjalët e këqija. Haremin e kishin shumë afër, por nuk faleshin, e ç’privim më i madh se ky mund t’iu ndodhë këtyre të mjerëve?!
Fatkeqësisht, ka njerëz të cilëve Ramazani nuk ua shton vetëm se distancën nga feja. Para ca kohe pata pranuar një studim statistikor sipas të cilit përqindja e flirtimit të djemve dhe femrave shtohet në muajin Ramazan. Allahu na ruajt!
O rob i Zotit! T‘ia kesh frikën Allahut dhe mos lejo që muaji i mëshirës të jetë argument kundër teje. Shfrytëzo shanset e tij dhe dije se ato janë më shumë se tri shanse, andaj hulumto për to! Nëse të kanë kaluar disa, të kanë mbetur ende shumë, dhe mos harro se veprat vlerësohet sipas përfundimit të tyre.
E lus Allahun të na përmbyllë veprat dhe jetët tona me të mirë!
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
Burimi: http://saaid.net/mktarat/ramadan/570.htm
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
Ramazan, 2012
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit