Hoxhë Sedat Islami
Përmbledhje
Tekstet fetare që trajtojnë jetën në varreza apo berzahun -siç e njohim në gjuhën fetare- janë të shumta dhe të ndryshme. Disa trajtojnë thjesht aspekte doktrinare, pra konfirmojnë ekzistimin e jetës në varreza, e disa trajtojnë vepra të cilat janë shkak o për shpërblim, o për ndëshkim në jetën në varreza. Ky punim në fokus ka një hadith në të cilin përmenden tre vepra të cilat ruajnë besimtarin nga ndëshkimi në varr. Qëllimi thelbësor i punimit është të zbërthejë këto tre vepra dhe të argumentojë anën shpëtuese të tyre në varr ndërsa rëndësia e tij qëndron në nxitjen për vepra të mira dhe parapërgatitjen për botën tjetër. Punimin e kemi ndarë në dy pjesë kryesore: në pjesën e parë jemi marrë me anën doktrinare të jetës në varreza ndërsa në pjesën e dytë kemi shpjeguar hadithin. Në fund kemi përshkruar disa nga rezultatet e punimit dhe literaturën e konsultuar.
Fjalët kyçe: varri, shpërblimi dhe ndëshkimi në varr, leximi i Kur’anit, sadakaja, shkuarja në xhami.
Hyrje
Në metodologjinë fetare, inkurajimi ka rëndësi të veçantë edukative. Në të fshihet sekreti i suksesit të predikimit, sepse, për të pasur sukses dhe pranim një ide, nuk mjafton vetëm të jetë e saktë dhe e vërtetë, por edhe të ofrohet në mënyrë tërheqëse[1]. Këtu qëndron arsyeja pse Kur’ani dhe Sunneti janë përplot tekste që nxisin e motivojnë për vepra të mira duke përmendur shpërblimin joshës të tyre. Rëndësia e tyre qëndron në fuqinë motivuese që ofrojnë sepse premtues i shpërblimit është Allahu xh.sh., fjala dhe premtimi i të Cilit nuk thyhen.
﴿ مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِنْ ذَكَرٍ أَوْ أُنْثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُمْ بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ ﴾
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” [Kur’ani: Nahl: 97]
﴿ إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ إِنَّا لَا نُضِيعُ أَجْرَ مَنْ أَحْسَنَ عَمَلًا ﴾
“Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.” [Kur’ani: Kehf: 30]
Shpërblimi për veprat e mira, pavarësisht që ndodhë edhe në këtë botë, pjesa kryesore e tij mbetet në botën tjetër, atje ku është përjetësia.
Në këtë punim shpjegohet një hadith, i cili shpërblimin për veprat e mira e trajton qysh nga momentet e para të ndarjes nga kjo botë, në jetën e varrit. Fjala është për hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a., e në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë:
«يُؤتَى الرجلُ في قبرِه فإذا أُتِيَ من قِبَلِ رأسِه دفَعَتْه تلاوةُ القرآنِ وإذا أُتِيَ من قِبَلِ يدَيه دفعَتْه الصدقةُ وإذا أُتِيَ من قِبَلِ رِجلَيه دَفَعَه مَشيُه إلى المساجدِ»
“Besimtari do të ballafaqohet me dënim në varr, por, kur dënimi t’i vjen nga ana e kokës, do t’ia largojë leximi i Kur’anit; kur dënimi t’i vjen nga ana e përparme, do t’ia largojë sadakaja; kur dënimi t’i vjen nga e poshtme, do t’ia largojë ecja që ka bërë për të shkuar në xhami.[2]”
Pra janë tre vepra të mira të cilat do ta mbrojnë besimtarin nga dënimi i varrit:
- Leximi i Kur’anit,
- Dhënia sadaka – lëmoshë, dhe
- Shkuarja në xhami.
Këto tre vepra janë temë e këtij shkrimi, të cilat do të trajtohen nga këndi akaidologjik fillimisht e më pas edhe nga ai edukativ. Punimin e kemi ndarë në dy pjesë kryesore: në pjesën e parë kemi folur për jetën në varreza, pra trajtimin doktrinar të jetës në varreza, ndërsa në pjesën e dytë jemi marrë me shpjegimin e hadithit të lartpërmendur, gjegjësisht anën edukative të tij. Në fund të punimit, sa për përkujtim, kemi përmbledhur disa prej gjërave që gjatë shpjegimit i kemi nënvizuar si më të rëndësishmet. Kemi përshkruar po kështu edhe literaturën të cilës i jemi referuar gjatë përgatitjes së këtij punimi.
- BERZAHU – JETA NË VARREZA
I.1. ARGUMENTE KURANORE PËR JETËN E BERZAHUT
Në Kur’anin Famëmadh ekzistojnë argumentojnë të cilat dëshmojnë për jetën në varreza, gjegjësisht shpërblimin dhe ndëshkimin në të.
﴿حَتَّىٰ إِذَا جَاءَ أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ رَبِّ ارْجِعُونِ ﴿٩٩﴾ لَعَلِّي أَعْمَلُ صَالِحًا فِيمَا تَرَكْتُ ۚ كَلَّا ۚ إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَائِلُهَا ۖ وَمِن وَرَائِهِم بَرْزَخٌ إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُونَ﴾
“Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, 100. që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” [Kur’ani: El-Mu’minunë: 99-100]
‘Kohë ndarëse’ është për qëllim jeta në varreza.
Argument tjetër nga Kur’ani, madje të marrë bazë nga Ehlu Sunneti për çështjen në fjalë, është dhe ajeti në vijim, ku Allahu përshkruan dënimin e ithtarëve të Faraonit në varr:
﴿النَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَعَشِيًّا ۖ وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ﴾
“Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!”” [Kur’ani: Gafir: 46]
Natyrisht ka edhe argumente tjera që dëshmojnë për jetën në varreza por këto ishin vetëm sa për ilustrim.
I.2. ARGUMENTE PROFETIKE PËR JETËN E BEZAHUT
Edhe në hadithet e Muhammedit a.s., gjejmë dëshmi për jetën në varreza. Sa për ilustrim, do të mjaftojmë me dy hadithe:
Uthmani r.a., transmeton: “Pejgamberi a.s., pasi që i vdekuri varrosej, qëndronte tek varri dhe thoshte: Kërkoni falje për vëllain tuaj dhe lutuni që Allahu ta përforcojë sepse ai tani merret në pyetje.[3]”
Në një hadith tjetër të regjistruar nga Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi a.s., përmend dy të varrosur të cilët janë dënuar në varret e tyre për shkak të bartjes së fjalëve, gjegjësisht moskujdesit gjatë urinimit. Me atë rast, ai kishte marrë një degë të njomë të një peme, e kishte ndarë në dysh dhe e kishte vënë sipër varreve të tyre duke thënë: “Ndoshta do tua lehtësojë sado pak dënimin derisa të mos thahet.”
I.3. DIJETARËT PËR JETËN E BERZAHUT
Ibn Ebi el-Izz në komentarin e Akides Tahavijje, duke folur për jetën në varreza shpjegon: “Hadithet profetike që konfirmojnë dënimin dhe shpërblimin në varr për ata që e meritojnë dhe marrjen në pyetje nga melekët janë mutevatire andaj duhen besuar dhe vërtetuar. Këtu nuk po flasim për formën e këtij dënimi ose shpërblimi sepse nuk është në mundësinë tonë intelektuale njohja e një gjëje të tillë…Dije se dënimi i varrit është dënimi i berzahut, dhe se kushdo që vdes, pavarësisht se është varrosur apo jo, e kanë ngrënë egërsirat, është djegur derisa është shndërruar në hi dhe është hedhur në ajër për tu shpërndarë gjithandej, është kryqëzuar apo është fundosur në det, do ta merr hisen e dënimit që ka merituar. Shpirtit dhe trupit të tij do t’i arrijë dënimi ashtu siç i arrin të varrosurit.[4]”
- TRE GJËRA SHPËTUESE NGA DËNIMI I VARRIT
II.1. LEXIMI I KUR’ANIT
II.1.1. Rëndësia e Kur’anit në jetën e besimtarit
Leximi i Kur’anit është një ndër veprat më të mira në fe. Besimtari më i mirë është ai që e mëson Kur’anin për vete dhe ua mëson të tjerëve[5]. Kjo për shkak të rëndësisë orientuese që ka leximi i tij në jetën e besimtarit. Mësimet e Kur’anit janë më të mirat të mundshme. Allahu xh.sh., duke na folur për këtë thotë:
﴿إِنَّ هَـٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ وَيُبَشِّرُ الْمُؤْمِنِينَ الَّذِينَ يَعْمَلُونَ الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًا كَبِيرًا﴾
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” [Kur’ani: Isra: 9]
Kur’ani arrin të projektojë karakterin e besimtarit në formë më të përsosur të mundshme duke ia mundësuar që falë tij që të ngritët e lartësohet edhe në këtë botë[6]. Këtu mbase qëndron sekreti i lartësimit dhe gradimit të Muhammedit a.s. Ajshja r.a., kur qe pyetur për moralin apo sjelljen e tij, pati përmbledhur përgjigjen në këto fjalë: “Morali i tij ishte Kur’ani.[7]”
E, nëse mësimet e tij janë më të mirat, atëherë ndërtimi i jetës sipas tyre nuk ka si të mos prodhojë lumturi në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër. Ky angazhim i tyre në Kur’an është quajtur ‘tregti që nuk dështon.[8]’ Kjo për shkak se ata që e duan Kur’anin, e mësojnë dhe e pasojnë atë, i do Allahu dhe i veçon nga të tjerët. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Allahu xh.sh., ka evlija (miq dhe të dashur) nga njerëzit! O i Dërguari i Allahut, e kush janë ata? -e pyetën. Tha: Ata janë ithtarët e Kur’anit, të dashurit e Allahut dhe të veçuarit e Tij![9]”
Në fakt, është premtim i Allahut se ata që i mbahen udhëzimeve të Tij do të jenë të shpëtuar në të dy botët. Në kaptinën Taha, ajeti 123, Allahu xh.sh., na premton:
﴿ فَمَنِ اتَّبَعَ هُدَايَ فَلَا يَضِلُّ وَلَا يَشْقَىٰ ﴾
“…kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.”
Ibn Abbasi r.a., duke komentuar këtë ajet, shpjegon se, kushdo nga besimtarët që i përmbahet fjalëve të Allahut xh.sh. në këtë jetë do të gjejë udhëzimin, ndërsa në botën tjetër shpëtimin[10].
Pra, nuk është thjesht leximi ai që i garanton besimtarit mirësitë e Kur’anit por praktikimi i tyre në jetë. Allahu xh.sh., thotë:
﴿الَّذِينَ آتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ يَتْلُونَهُ حَقَّ تِلَاوَتِهِ أُولَـٰئِكَ يُؤْمِنُونَ بِهِ ﴾
“Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, ata besojnë vërtet në të…” [Kur’ani: Bekare: 121]
Ibn Mes’udi, duke e komentuar këtë ajet, shpjegon se leximi i njëmendtë i Kur’anit nënkupton ta lejosh atë që është e lejuar, ta ndalosh atë që është e ndaluar, ta lexosh ashtu siç e ka shpallur Allahu duke mos ua ndërruar fjalëve vendin e tyre (pra duke mos i shtrembëruar) dhe as duke mos i interpretuar ashtu siç nuk interpretohen[11].
Nëse Kur’ani ka këtë prani në jetën dhe veprimtarinë tonë, atëherë efektet e tij shpëtuese fillojnë që nga momenti i vdekjes.
II.1.2. Kur’ani si shpëtues në varr
Fetarisht, njeriu do të shpërblehet dhe ndëshkohet në varr, varësisht nga veprat që ka bërë sa ka qenë gjallë, dhe se veprat e tij të mira do të mbarojnë atë në varr[12]. Në një hadith të gjatë, të regjistruar nga Imam Ahmedi, përveç tjerash qëndron: “…besimtarit në varr i vjen një burrë me fytyrë të bukur, rroba të bukura dhe erë të këndshme, dhe i thotë: Përgëzohu me atë që të kënaq, kjo është dita që të është premtuar! Kush je ti?- e pyet besimtari, sepse fytyra jote është fytyra e atij që sjell sihariq? Unë jam vepra jote e mirë! -i përgjigjët….[13]”
Pra, veprat e mira marrin trajtë njeriu dhe e mbrojnë besimtarin. Padyshim, ndër veprat e mira është edhe leximi i Kur’anit. Pejgamberi a.s., për kaptinën e gjashtëdhjeteshtatë të Kur’anit, kaptinën el-mulk ka thënë: “Kaptina el-mulk është mbrojtëse nga dënimi i varrit.[14]”
Ndërsa lexojmë hadithin bazë, mendja na shkon tek disa pyetje:
- Përse u përzgjodh Kur’ani të na mbrojë nga dënimi i varrit? Cila është lidhja e tij me varrin?
- Përse u përzgjodh të na mbrojë nga pjesa e sipërme e trupit, koka pra?
Mungesa e Kur’anit, si lexim dhe praktikë, jetën e njeriut e shndërron në gërmadhë dhe varrezë. Pejgamberi a.s., na ka mësuar se është Kur’ani ai që shtëpitë tona i kthen në ndërtesa të qeta e të sigurta banimi. Në hadithin e regjistruar nga Muslimi qëndron: “Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza, (lexoni Kur’an në to sepse) djalli ikën nga shtëpia në të cilën lexohet kaptina el-bekare.”
Pra, ne duke lexuar Kur’an, shtëpitë tona i kthejmë në ambiente të sigurta. Ky efekt i sigurisë depërton edhe në varr, të cilin, nga diç e frikshme, e ngushtë, vetmuese, e kthen në diç ku besimtari gjen qetësi dhe shoqëri. A nuk përmendëm më lartë hadithin e Muhammedit a.s., se si veprat e mira besimtarit i shndërrohen në shoqërues në varr?
Ndërsa arsyeja pse Kur’ani na mbron kokën në varr mund të qëndrojë në atë se, në të gjallë të besimtarit, është ruajtur në kokë, andaj edhe e mbron kokën. Në një hadith përmendet dhe namazi, i cili përbëhet nga Kur’anit dhe lutjet, si mjet që mbron besimtarin nga koka[15].
II.1.3. Kur’ani si ndërmjetësues në ahiret
Kur’ani është shoqërues që besimtarit nuk i ndahet as pasi të hyjë në Xhennet. Në Ditën e Llogarisë ndërmjetëson për të[16], ndërsa në Xhennet ndikon në rritjen e gradave të tij[17].
II.2. LËMOSHA
II.2.1. Vlera
Lëmosha ka rëndësi të madhe në fe. Shpërblimi për të është i shumëfishuar. Ajo i ngjan një kokrre gruri nga e cila mbijnë shtatë kallinj në secilin prej të cilëve ka nga njëqind kokrra.
﴿مَثَلُ الَّذِينَ يُنْفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ كَمَثَلِ حَبَّةٍ أَنْبَتَتْ سَبْعَ سَنَابِلَ فِي كُلِّ سُنْبُلَةٍ مِائَةُ حَبَّةٍ وَاللَّهُ يُضَاعِفُ لِمَنْ يَشَاءُ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ﴾
“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” [Kur’ani: Bekare: 261]
Duke qenë se ka të bëjë me anën materiale, pra me atë që njeriu e do dhe sakrifikon për të, atëherë dhënia e lëmoshës është përshkruar si shenjë dhe tregues i besimit, ndryshe vështirë se do të kishte ndonjë gjë që e motivon aq shumë sa besimi për të dhënë. Muhammedi a.s., ka thënë: “Lëmosha është dëshmi.[18]”
Lëmosha, si e këtillë, ka efekt të madh në faljen e mëkateve. Në hadithet e Muhammedit a.s., qëndron se: “Lëmosha shuan zemërimin e Allahut.[19]”, “Lëmosha shuan mëkatin ashtu siç uji shuan zjarrin.[20]”
Nga këtu, nuk ka si të mos ketë efekt shpëtues në varr.
II.2.2. Efekti shpëtues i sadakasë në varr
Ibrahim Nah’iu, siç citohet nga Ibn Kajjimi, duke numëruar të mirat e shumta të lëmoshës apo sadakasë, përmend edhe këtë të shpëtimit në varr. Në fakt, ai i referohet një rregulli fetar sipas të cilit ‘shpërblimi është sipas llojit të veprës.[21]’ Pra, përderisa besimtari jep lëmoshë, ai e ndihmon një besimtar, andaj edhe meriton ndihmën e Allahut xh.sh. Në të vërtetë, këtë lloj ndihme Allahu xh.sh., besimtarit ia konsideron hua, të cilën ia kthen shumëfish (Kur’ani: Bekare: 245). Një nga format e kthimit është dhe ofrimi i sigurisë. Ja çfarë thotë Allahu xh.sh., për ata që japin lëmoshë:
﴿الَّذِينَ يُنْفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ بِاللَّيْلِ وَالنَّهَارِ سِرًّا وَعَلَانِيَةً فَلَهُمْ أَجْرُهُمْ عِنْدَ رَبِّهِمْ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” [Kur’ani: Bekare: 274]
Se lëmosha e ka këtë efekt flet edhe fakti se ajo ngel si vepër nga e cila besimtari përfiton edhe pas vdekjes. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kur të vdes njeriu, i ndërpritet përfitimi nga veprat me përjashtim të tre veprave: lëmoshës rrjedhëse, diturisë nga e cila përfitohet dhe fëmijës së mirë që lutet për prindin. [22]”
E përse lëmosha e mbron njeriun nga zjarri që i vjen përpara qëndron në atë se njeriu ka dhënë me dorën e vet, pra me pjesën e përparme andaj edhe i mbrohet ajo pjesë nga zjarri.
II.2.3. Lëmosha vazhdon me mirësitë e saj edhe në ahiret
Në hadithet e Muhammedit a.s., gjejmë shpjegime se si lëmosha i ofron pushim dhe qetësi besimtarit në Ditën e Llogarisë. Përveç hijes nën arsh[23], lëmosha ka dhe një derë të posaçme për të hyrë në Xhennet për të gjithë ata që janë dalluar me të[24].
II.3. SHKUARJA NË XHAMI
II.3.1. Vlera e ecjes për në xhami
Vepra tjetër shpëtuese në varr është ecja për të shkuar në xhami. Vlera e saj si vepër është e madhe. Pejgamberi a.s., e ka radhitur në mesin e veprave që shlyejnë mëkatet dhe rrisin gradat njëkohësisht[25]. Madje shpërblimi për namaz rritet varësisht nga hapat që bën njeriu. “Njeriu me shpërblimin më të madh për namazin është ai që larg e më larg me hapa prej xhamisë.[26]” Për këtë shkak, kur dikush nga besimtarët i kërkoi Muhammedit a.s., të zhvendosej afër xhamisë me banim meqë e kishte larg, ai ia kujtoi vlerën e ecjes për në xhami dhe shpërblimin e madh. Ecjen për në xhami, siç shënojnë Buhariu dhe Muslimi, Muhammedi a.s., e konsideronte si gosti të cilën ai përgatit Zoti robit sa herë që shkon në xhami.
II.3.2. Rëndësia në varr
Ecja për të shkuar në xhami nënkupton përgjigje thirrjes së Allahut xh.sh., pra është dëshmi për besimin. Ecja, siç pamë edhe në hadithet e mësipërme, nënkupton distancat jo të vogla. Madje, në disa hadithe ku temë është kjo çështje, shihet se si janë dhënë propozime për tu zhvendosur afër xhamisë apo për të blerë ndonjë kafshë për ta shaluar deri në xhami[27]. Nga këtu, ecja në distanca të mëdha nuk ka si të mos jetë shenjë e besimit.
Përse shkuarja në xhami dhe jo ndonjë vepër tjetër ka këtë shpërblim?
- Ngase namazi është prej veprave më të rëndësishme në fe, është shtyllë e fesë.
- Namazi është gjëja e parë për të cilën besimtari merret në llogari, andaj nëse namazi është kryer siç duhet, llogaria për veprat tjera është më e lehtë.
- Shkuarja në këmbë shpërblehet fizikisht, pra dënimi nuk e prefshin besimtarin nga ana e këmbëve, sepse, siç përmendëm edhe më parë, shpërblimi për veprën është sipas llojit të veprës.
Shpërblimi për ecjen nuk mbaron këtu. Në botën tjetër, në ahiret, ka një përgëzim të veçantë. Duke qenë se besimtarët kanë ecur në errësirë për t’iu përgjigjur thirrjes së Allahut xh.sh., atëherë shpërblimi për ta fillimisht do të jetë një dritë, një hije nën arsh, një derë për në Xhennet[28] dhe përfundimisht Xhenneti. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Përgëzoji besimtarët që në errësirë shkojnë për ta falur namazin me një dritë të plotë në Ditën e Llogarisë.[29]” Po kështu ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish do të jenën nën hijen e arshit atë ditë kur nuk ka hije tjetër…njeriu zemra e të cilit është e lidhur për xhamisë.[30]” Ndërsa për shpërblimin me Xhenet, Allahu thotë:
﴿وَالَّذِينَ هُمْ عَلَى صَلَوَاتِهِمْ يُحَافِظُونَ * أُولَئِكَ هُمُ الْوَارِثُونَ * الَّذِينَ يَرِثُونَ الْفِرْدَوْسَ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ﴾
“Dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre. (9) Të tillët janë mu ata trashëgimtarët, (10) të cilët e trashëgojnë Firdeusin, aty janë përgjithmonë.” [Kur’ani: Mu’minunë: 9-11]
Përfundim
Në përfundim të shpjegimit të këtij hadithi mund të nxjerrim disa mësime me rëndësi:
- Vërtetimi i jetës në varreza dhe shpërblimi ose ndëshkimi sipas veprës së bërë.
- Rëndësia e adhurimeve për besimtarin në këtë botë, varreza dhe botën tjetër. Adhurimi i jep kuptim jetës sonë në këtë botë, na shpëton në varr dhe na siguron Xhennetin në botën tjetër.
- Shpërblimi sipas llojit të veprës.
- Që këto vepra të kenë efektin shpëtues, duhet të kryhen për hir të Allahut, ndryshe nuk kemi dobi nga vepra që kryhet për syefaqësi. Gjatë shpjegimit pamë se si motiv i këtyre veprave ishte thjesht besimi.
Literatura e konsultuar:
Kur’ani Fisnik.
Abdullah bin Abbas, Tenvir el-mikbas min Tefsiri Ibni Abbas, përmbledhur nga: Mexhduddin Ebu Tahir Muhammed bin Ja’kub el-Fejruzabadi, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijje, 1992).
Ismail bin Umer bin Kethir, Tefsiru el-Kur’ani el-adhim, ver. Sami b. Muhammed Selame, (Rijad: Dar Tajjibe li en-neshr, 1999).
Ibn Ebi el-Izz, Sherhu el-akideti el-tahavijjeh, ver. Shuajb Arnauti – Abdullah b. Muhsin Turki, (Bejrut: Muessesetu err-rrisale, 1997)
Ibn Rexheb el-Hanbeli, Ehval el-kubur va ahvalu ehliha ila en-nushur, ver. Halid Abdul Latif Seb’ el-Alemij, (Bejrut: Dar el-kitab el-arabij, ed.3, 1994)
Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Muhammed bin Ebi Bekr, Uddetu es-sabirine ve dhehiretu esh-shakirine, (Damask – Bejrut – Medine Munevvere: Dar Ibn Kethir – Mektebetu Dar et-Turath, ed. 3, 1989)
Sulejman bin Abdul Aziz ed-Duvejsh, Vesail et-tergib ve envauhu fi Da’veti en-Nebijj sal-laAllahu alejhi ve sel-lem, (Arabi Saudite: botim privat, 1997).
Sahihu i Buhariut.
Sahihu i Muslimit.
Suneni i Ebu Davudit.
Suneni i Tirmidhiut.
Suneni i Ibn Maxhes.
Suneni i Nesaiut.
El-mu’xhem es-sagir dhe El-Muxhem el-eusat të Taberaniut.
Et-tergib ve et-terhib të Mudhiriut.
Sahih et-Tergib, Sahih el-xhami, Sahihu Suneni Ebi Davud të Albanit.
[1] Shih: Sulejman bin Abdul Aziz ed-Duvejsh, Vesail et-tergib ve envauhu fi Da’veti en-Nebijj sal-laAllahu alejhi ve sel-lem, (Arabi Saudite: botim privat, 1997), f. 5.
[2] Hadithin e transmetojnë Taberaniu në El-mu’xhel el-eusat dhe Mundhiriu në Et-tergib ve et-terhib. Albani konsideron se hadithi është hasen. Shih: Sahih et-Tergib, nr. 3561.
[3] Hadithin e transmeton Ebu Davudi në Sunen ndërsa Albani në Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 3221, e konsideron të saktë.
[4] Ibn Ebi el-Izz, Sherhu el-akideti el-tahavijjeh, ver. Shuajb Arnauti – Abdullah b. Muhsin Turki, (Bejrut: Muessesetu err-rrisale, 1997), 2/578; 579.
[5] Shih hadithin 5027 në Sahihun e Buhariut.
[6] Pejgamberi a.s. ka thënë: “…Allahu i ngrit disa njerëz me këtë Kur’an dhe i ulë disa të tjerë.” Hadithin e transmeton Muslimi, nr. 817.
[7] Shih hadithin 4811 në Sahih el-Xhami.
[8] Shih kaptinën Fatir (35), ajeti 29.
[9] Hadithin e transmeton Ibn Maxheh ndërsa Albani në Sahihu Ibni Maxheh, nr. 179, e vlerëson të saktë.
[10] Abdullah bin Abbas, Tenvir el-mikbas min Tefsiri Ibni Abbas, përmbledhur nga: Mexhduddin Ebu Tahir Muhammed bin Ja’kub el-Fejruzabadi, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijje, 1992), f. 267.
[11] Cituar sipas: Ismail bin Umer bin Kethir, Tefsiru el-Kur’ani el-adhim, ver. Sami b. Muhammed Selame, (Rijad: Dar Tajjibe li en-neshr, 1999), 1/403.
[12] Ibn Rexheb el-Hanbeli, Ehval el-kubur va ahvalu ehliha ila en-nushur, ver. Halid Abdul Latif Seb’ el-Alemij, (Bejrut: Dar el-kitab el-arabij, ed.3, 1994), f. 52.
[13] Albani në librin Ahkam el-xhenaiz, nr. 156, e konsideron të saktë.
[14] Hadithin e shënon Sujuti në El-xhamiu es-sagir ndërsa Albani në Sahih el-xhami, 3643, e konsideron të saktë.
[15] Shih: Sahih et-Tergib, hadithi nr. 3561.
[16] Pejgamberi a.s., ka thënë: “Lexojeni Kur’anin sepse ai ndërmjetëson për lexuesit në Ditën e Kiametit…” Hadithin e shënon Muslimi, nr. 804.
[17] “I thuhet lexuesit të Kur’anit: lexo dhe ngritu dhe lexoje siç e lexoje në dynja sepse pozita jote e fundit (më e larta) do të jetë tek ajeti i fundit që lexon.” Hadithin e shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi, ndërsa Albani e konsideron hasen sahih. Shih: Sahihu Ebi Davud, nr. 1464.
[18] Hadithin e shënon Muslimi në Sahih, nr. 223.
[19] Hadithin e shënon Taberaniu në El-mu’xhem el-eusat ndërsa Albani në Sahih el-xhami, 3759, e konsideron të saktë.
[20] Shih: Sahih et-Tergib, nr. 868.
[21] Shih: Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Muhammed bin Ebi Bekr, Uddetu es-sabirine ve dhehiretu esh-shakirine, (Damask – Bejrut – Medine Munevvere: Dar Ibn Kethir – Mektebetu Dar et-Turath, ed. 3, 1989), f. 254-255.
[22] Hadithin e shënon Muslimi në Sahih, nr. 1631.
[23] Hadithin e shënojnë Buhariu 1421 dhe Muslimi 1022.
[24] Hadithin e shënojnë Buhariu 3666 dhe Muslimi 1027.
[25] Shih hadithin nr. 251 në Sahihun e Muslimit.
[26] Hadithin e shënon Muslimi në Sahih, nr. 662.
[27] Shih hadithin 663 në Sahihun e Muslimit.
[28] Hadithin e shënojnë Buhariu 3666 dhe Muslimi 1027.
[29] Hadithin e shënon Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 561, e konsideron të saktë.
[30] Hadithin e shënojnë Buhariu nr. 660, dhe Muslimi nr. 1031.