0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Trajtimi Biblik dhe Kuranor në lidhje me fjalën “Jezusi Bir i Zotit”

Më të lexuarat

Senad Maku

Lindja e Isaut a.s. (Jezusit) dallon nga lindja e çdo të dërguari tjetër përveç Ademit a.s. që u krijua pa pasur prindër. Lindja e Isaut a.s. (Jezusit) është një mrekulli në vehte ku vet Allahu xh.sh. dëshiroj që ky i dërguar të lind nga një prindër, vetëm nga nëna e tij, pa pasur baba.
Allahu xh. sh. në Kuranin Famëlartë na shpjegon lindjen e Isaut a.s., mënyrën se si Zoti dërgoi tek Merjemja (Maria) melekun Xhebrail (Gabriell), për ta përgëzuar me lajmin, për lindjen e një fëmije si mrekulli nga ana e Zotit Fuqiplotë. Ku thotë:

“Ajo, vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhebrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi. Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirëshmit prej teje, nëse je që frikësohesh Atij (pra më le të lirë)!” Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”. (Merjem 17-19)
“Përkujto kur engjujt i thanë: “Oj Mejreme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në dunja e ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit)”. (Ali Imran 45)

Në këtë ajet përmendet, “Fjalën e vet”, “Fjalë e Zotit”. Fjala nuk është “Logos”, ose ndonjë person tjetër në mendjen e Zotit, siç bëjnë të krishterët (që Logosi është Jezusi, zot), por është urdhër ose komandë e Allahut xh.sh.: “KUN”, që d.m.th. “BËHU”.
Thotë Allahu xh.sh.:
“Ai është shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: “Bëhu!” në atë moment bëhet”. (Bekare 117)
“Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kamë qenë e pamoralshme”. (Merjem 20)
“Ajo tha: “Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s’më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar)? Ai (Allahu) tha: “Ja, kështu, Allahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështe, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet”. (Ali Imran 47)
“Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!”. (Merjem 21)

Në suren Ali Imran ajeti 59, Zoti na sqaron në lidhje me Ademin a.s. dhe Isain a.s., duke iu larguar dyshimet e atyre që mendojnë se Jezusi është zot, sepse nuk ka pasur baba. Por çështja e Isait te Allahu është sikurse çështja e Ademit, ku thotë:
“Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha “Bëhu!” ai u bë”.

Duke mos e zgjatur në lidhje me lindjen e këtij të dërguari të Zotit, veç deshëm të theksojmë mënyren se si erdhë deri tek ngjizja e Merjemes për të lindur Isain a.s. si një mrekulli nga ana e Zotit Fuqiplotë. Por ne do të elaburojmë një fjalë e cila është tepër e hapur dhe e përdorur në fenë e Krishterë dhe e cila sipas tyre po nuk besove në këtë nuk je besimtar i krishterë sipas të gjitha sekteve të tyre (krishtere). Kjo fjalë ka të bëj në besimin se “Jezusi është Bir i Zotit”. Të krishterët, mrekullin e Zotit xh.sh. që bëri ndaj Isaut a.s. që të lindë vetëm nga nëna Merjeme, ato e konsideruan dhe shpifen ndaj Zotit që Isau a.s. (Jezusi) është Biri i Tij. (I pastër është Zoti nga ato që i shpifin)

Duke pasur parasysh këtë fjalë apo këtë besim të tyre në lidhje me Jezusin (Isaun a.s.) ne në vazhdim do të theksojmë disa nga argumentet Biblike dhe ato Kuranore dhe duke ua bërë të qartë atyre se, a është në të vërtet “Jezusi Bir i Zotit”, dhe si e përshkruajnë këto dy libra këtë thënie të tyre.
Po të marrim në dorë për të lexuar dhe shfletuar çdo literaturë të krishterë do të vërejmë që në shkrimet e tyre, e cekin Jezusin si djalë të Zotit (por në të njëjtën kohë edhe si Zot), duke ia atribuar Zotit, Bir. Konstatimi se Jezusi është “Bir” i Zotit, paraqet edhe një shtrembërim të mësimeve të Jezusit dhe me logjikë të thjeshtë kontradikton urdhërat Biblike. Po të marrim burimin e tyre Biblën do të vërejmë se Bibla i atribon shumë bijë Zotit, p.sh.:

• “djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë”. (Zanafilla 6:2)
• “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im”. (Exodi 4:22)
• “….Efraimi është i parëlinduri im”. (Jeremia 31:9)
• “Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: “Ti je biri im, sot më linde”. (Psalmi 2:7)
• “Unë kam thënë: “Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit”. (Psalmi 82:6)
• “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë”. (Romakëve 8:14)
• “Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj…” (Ligji i Përtërirë 14:1)
• “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”. (Mateu 5:9)
• “Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: “Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit”. Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut”. (Psalmi 89:26-27)
• “Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua…” (2 Samueli 7:14)
• “Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: “Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje”. (Isaia 1:2)
• “Ju nuk jeni populli im”, do t`u thuhet atyre: “Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë”. (Hosea 1:10)
• “…dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm”. (2 Korintasve 6:18)
• “por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij”. (Gjoni 1:12)
• “Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten përpara Zotit”. (Jobi 2:1/1:6)

Për hebrenjët fjala “Bir i Zotit” është përdorur për të emërtuar besimtarët e sinqertë të Zotit, shërbyesit e Tij, robt e Zotit. Në Bibël vetëm në dy vende ekziston ku Jezusi i referohet vehtes si “bir i Zotit” në kaptinat 5 dhe 11 të Ungjillit të Gjonit(1). Jezusi shumë herë e ka quajtur vehten “bir i njeriut” dhe atë mbi 80 herë, mbi 80 vende në Bibël.
Nëse ne e marrim termin “Bir i Zotit” si Zot, atëherë pra të gjithë jemi zotëra. Por fjala në Bibël “bir i zotit” kuptohet si robtë e Zotit. Siç pamë më lartë nga citatet Biblike, fjala “bij” dhe fëmijë të perëndisë janë quajtur mjaft profet, njerëz të thjeshtë etj. Kuptimi i fjalës “Bir i Perëndisë” nuk është i drejtpërdrejt, por metaforik. Ato fjalë mund të përdoren për të gjithë ato që i do Perëndia. Jezusi ju tha se, Perëndia nuk është vetëm Ati i tij, por gjithashtu edhe Ati juaj:
“për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët…. Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”.(Mateu 5:45,48)(2)

“Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj”. (Gjoni 20:17)
Një prift nga Roma, Riccardo Di Segni, kur ia parashtruan pyetjen “A ishte Krishti bir i Perëndisë” ai u përgjigjë natyrshëm: “Të gjithë jemi bij të Perëndisë, e në këtë aspekt Jezusi është si të gjithë. Nëse në atë kohë në aramaisht kalon fjala bir i Perëndisë, kjo kurr nuk ka pasur nuancat që më vonë i dhanë kongreset ikumenike, pasi në aramaisht “bir” e “rob”, ka të njëjtin kontekst”.
Fjalët Greke të testamentit të Ri të përdorura për “bir” janë “pias” dhe “paida”, të cilat kanë kuptimet “shërbëtor” apo “bir në kuptimin e shërbëtorit”. Shprehja “bir i Zotit” nuk mund të thuhet se ka ardhur nga vet Jezusi(3), por është një shtrembërim që i është bërë testamentit të ri.

Holumtuesja e njohur Ulfe Azizus Samed për citatet që përmendin Jezusin si “bir” të Zotit, thotë: “Këto fraza nuk do të thonë tjetër, përveç “afërsi me Zotin në dashuri”. Themeluesi i krishterimit vet ka thënë se çdo njeri i cili punon sipas vullnetit të Atit në qiej është bir i Hyjit (Zotit). Këta janë ata, të cilët bëjnë jetë të devotshme, kanë fisnikëri, mirënjohje e cila e bën njeriun qenie të nënshtruar, të tillët quhen Bijë të Zotit.(4) Këtë e vërtetojnë shumë thënie të Jezusit si:
“E unë po ju them: Doni armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell”. (Mateu 5:44-45)
Po ashtu ai tha: “Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit” (Mateu 5:9)

Ndërsa dijetari islam Ibn Tejmije r.h., i cili ka radhitur disa pika konkluduese që e aludojnë përdorimin e termit “Bir” me konotacion metaforik. Ai thotë: “Fakti që Davudi a.s. është quajtur “Bir i Tij”, bëhet e qartë se termi “Biri” nuk është specifik vetëm për Mesihun a.s./ Jezusin, sepse janë emëruar edhe robërit tjerë të Tij me këtë. Prandaj, dihet se “Biri” nuk është prej cilësive të Zotit të Plotfuqishëm, por është emër për të gjithë ata robër që i përkushtohen Atij në adhurim”.(5)
Pas kërkimeve të shumta nëpër dokumentet e vjetra, Dr. Robert Alley nxorri në përfundim se: “Paragrafet e Biblës ku Jezusi flet për birin e Zotit janë shtesa të bëra më vonë…. ato që kisha thotë për të”.(6)

Nëse i shikojmë dhe i analizojmë me vëmendje citatet e lartpërmendura do të gjejmë edhe kontradikta në mes tyre, ne po paraqesim vetëm një, p.sh. tek Jeremia 31:9 thotë se Efraimi është biri i parë i Perëndisë, kurse tek Exodi 4:22 biri i parë u quajt Izraeli. Cili pra në të vërtetë është biri i parë i Perëndisë? Ndërsa te Mateu 1:1 tregon që Jezusi është biri i Davidit, birit të Abrahamit:
“Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit”.

Ndërsa Allahu xh.sh. në Kuranin e Madhëruar dëshiron të na tregojë dhe t’i demantojë shpifjet që i bëhen Atij, duke i përshkruar fëmijë, ku thotë:
“Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar. Aq të shëmtuar sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodra nga ajo (fjalë). Për atë se të Gjithëmëshirshmit i përshkruan fëmijë. E të Gjithëmëshirshmit nuk i takon të ketë fëmijë. Nuk ka tjetër, vetëm se githë çka është në qiej e në tokë ka për t’iu paraqitur Zotit si rob”. (Merjem 89-93)

Aspekti Islam ndaj birësisë hyjnore në përgjithësi dhe në këtë rast ndaj Isaut a.s./ Jezusit është qartë prerazi: Nuk mund të quhet Zot, ai që lind fëmijë, apo që lindet, dhe ai që ha dhe pi, sepse patjetër duhet të ndijë edhe nevojë për jashtëqitje, e si është e mundur të jetë zot, ai që ndijën nevojë dhe dalin prej tij fëlliqësira!? Kjo është e qartë dhe absurde, sepse të lindurit fëmijë, do të thotë atribuim i dobësive njerëzore dhe antroporfizëm i Krijuesit. Dhe kjo nuk i përket të Lartmadhërishmit. Prandaj Allahu xh.sh. na lajmëron se nga atributet e Tij janë: as nuk është i lindur nga dikush, e as nuk e ka lindur dikend, dhe ai është që ushqen dhe që nuk ka nevojë të ushqehet.

Allahu xh.sh. na tregon në Kuranin Famëlartë ku thotë:
“Ai, All-llahu është Një! All-llahu është mbështetja (Atij i mbështetet çdo krijesë). As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë”. (El-Ihlas 1-4)

Emri i Isait a.s. përmendet në Kuran 25 herë në 11 sure, kurse si Mesih përmendet 11 herë në 4 sure, e gjithsej bëhen 36 herë në 12 sure.(7) Në shumicën e rasteve emri i tij vjen i ngjitur me emrin e nënës, Isai biri i Merjemes, duke hedhur poshtë aludimin që Isai a.s./ Jezusi është bir i Zotit. Kontekstualisht është shumë interesante, sikurse siç thamë edhe më lartë, se si Allahu e shoqëron fjalën Mesih me fjalën Ibnu Merjem (Mesihu ibnu Merjem- Mesihu/Isau djalë i Merjemes), në mënyrë që të shuhet çdo përgenjështrim, ngase ai është djalë i Merjemes (Ibnu Merjem), e jo djal i Zotit (Ibnullah).

Por ne iu drejtohemi atyre që mendojnë së Jezusi është bir i Zotit, apo Zot, ashtu siç është urdhëruar nga Allahu xh.sh. i dërguari i fundit Muhamedi s.a.v.s. që tju thojë Ithtarëve të Librit (të Krishterëve dhe Jehudive): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njejtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos Allahut!” (Ali Imran 64)
“O ithtarë të librit, përse nuk i besoni ajetet (Kuranin) e Allahut, e duke e ditur të vertetën? O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vërtetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe fshihni realitetin?”. (Ali Imran 70-71)

Edhe në Bibël thuhet:
“Ata e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë”. (Romakët 1:25)

_______________________

1) Dr. Maneh Hammad Al Johani, “E vërteta rreth Jezusit”, Tiranë 1993, fq. 14
2) Hasan Baxhil, “Dialog ndërmjet të krishterit dhe myslimanit”, Prishtinë 2001, fq. 42
3) Dr. Maneh Hammad Al Johani, vep. e cit., fq. 14
4) Ulfe Azizus Samed, “Islami dhe Krishterimi”, Prizren 1992, fq. 40
5) Ibn Tejmijje, “El-xhevabus-sahihu limen bed-dele dinel mesih”, pjesa e parë (pa vend dhe vit botimi), fq. 2/238
6) Gazeta “The Washington Post”, 5 Janar 1978, sipas: Dr. Maneh Hammad Al Johani, vep. e cit., fq. 17
7) “Isai Biri i Merjemes a.s.”, Omer Myrta, Argumenti, revistë mujore e botuar nga shtëpia botuese “Mirësia”, Prishtinë, Shkurt 2006, fq. 16; shih edhe tek Hassan Hathout, “Leximi i mendjes së Muslimanit”, fq. 23

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit