1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Torturat e maqedonasve: Gjëra që mendja e njeriut s’mund t’i paramendojë, të burgosurit kërkojnë vdekjen…

Më të lexuarat

Burime të sigurta për Agjencinë e lajmeve Zhurnal tregojnë tmerrin që kanë përjetuar dhe po përjetojnë akoma të paraburgosurit shqiptarë në burgun e Shutkës në Shkup.
Sipas burimit në fjalë, të paraburgosurit shqiptarë janë torturuar në mënyrën më çnjerëzore dhe brutale nga pjesëtarët e Policisë maqedonase dhe nga inspektorët e MPB-së.
 
Brutaliteti i paparë policor ndaj të paraburgosurve shqiptarë ka filluar që nga Kumanova dhe i njëjti nuk është ndalur as në burgun e Shutkës në Shkup.
 
Burimi në fjalë ka folur si dëshmitar që i ka parë të arrestuarit shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia pas përfundimit të aksionit policor në Kumanovë.
 
Ai thotë se ka parë gjëra “që mendja e njeriut nuk mund t’i paramendojë” dhe se një numër i madh i të burgosurve – si pasojë e dhunës dhe torturave të ushtruara – e kanë kërkuar vdekjen pas goditjeve të pandërprera me shufrat e hekurit nga të gjitha anët e trupit.
 
Madje, disa prej atyre e kanë të thyer edhe nofullën, ndërsa gjithë trupin e kanë me plagë nga rrahjet më ç’njerëzore dhe barbare.
 
Jozyrtarisht mësohet se Policia “torturën dhe dhunën mbi të arrestuarit shqiptarë e ka filluar që në Kumanovë”.
 
“Inspektorët e policisë maqedonase na goditnin me shufra hekuri në tërë trupin. E humbnim vetëdijen dhe kërkonim vdekjen! Tre ditë s’kemi ngrënë bukë dhe as ujë nuk kemi pirë. Në mesin e tyre ishte edhe komandant Sokoli”, i ka thënë dëshmitarit njëri nga të arrestuarit.
 
“Tortura është bërë në vende të ndryshme, ndërsa më vonë jemi sjellë në stacionin policor në Autokomandë të Shkupit”, rrëfen burimi duke u mbështetur në atë që e ka parë dhe dëgjuar nga disa të paraburgosur me të cilët edhe ka kontaktuar.
 
“Neve të mbijetuarve na dërguan në burgun e Shutkës, ku e keqja vazhdoi dhe sigurisht që kurrë nuk ndaloi” tha burimi konfidencial.
 
Ndryshe, me siguri që autoritetet maqedonase që të fshehin torturën çnjerëzore ndaj të paraburgosurve shqiptar nuk i lejuan dje Avokatit të Popullit të Maqedonisë, Ixhet Memeti, që të vizitojë të paraburgosurit shqiptar në burgun e Shutkës.
 
Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit ka të drejtë të vizitojë të paraburgosur me ose pa paralajmërim në të gjitha burgjet e Maqedonisë.
 
Sipas ekspertëve juridikë me këtë sjellje çnjerëzore Policia maqedonase ka shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare dhe standardet për trajtimin e të paraburgosurve. Zhurnal mëson se përfaqësues të Organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty International” shumë shpejtë do të vijnë në Shkup për tu njoftuar për së afërmi me trajtimin e të paraburgosurve shqiptarë në burgun hetues të Shutkës në Shkup.
 
“Kërkohet urgjentisht ndërhyrja e Qeverisë kosovare e kryeministrit Isa Mustafa, misionit të OSBE-së, Ambasadës së SHBA-ve, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar pasi në të kundërtën rëndë është të mbijetojnë disa të paraburgosur për shkak të trajtimit çnjerëzor dhe mos trajtimit nga mjekët”, thotë burimi. /Zhurnal/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit