-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Tortura, dhunime, keqtrajtime – Raporti i KB për gjendjen e fëmijëve në Siri

Më të lexuarat

Regjimi në Siri përdor në luftën civile rregullisht dhunë kundër fëmijëve.

Kombet e Bashkuara e kanë vendosur Sirinë, po ashtu si Jemenin dhe Sudanin në “listën e zezë”.
Dhuna në Siri është duke u bërë gjithnjë e më brutale. Për herë të parë edhe një përfaqësues i lartë i Kombeve të Bashkuara e ka quajtur konfliktin në Siri “luftë civile.” Sepse regjimi i atjeshëm nuk përdor kundër kryengritësve dhe opozitës vetëm tanke dhe artileri, por edhe helikopterë luftarakë. Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara raportuan ditën e martë (13.06.2012) edhe se regjimi i Assadit përdor rregullisht dhunën kundër fëmijëve. Kombet e Bashkuara e kanë vendosur Sirinë, po ashtu si Jemenin dhe Sudanin në “listën e zezë”.

Çdo vit në qershor Kombet e Bashktuara prezantojnë një raport mbi gjendjen e fëmijëve në konfliktet e armatosura. Çdo vit raporti përmend vrasjet dhe gjymtimet, zorturat dhe dhunimet. Megjithatë, ato që janë raportuar muajt e fundit nga Siria, nuk janë parë ende thotë Radhika Coomaraswamy. Ajo punon prej pesë vitesh si e ngarkuara e KB me viktimat e luftrave që kanë moshë minorene. “Ne kemi parë fëmijë që rrihen me kabell elektrik dhe të cilëve u shuhen cigaret në lëkurë. Kjo formë torture e ushtruar mbi fëmijët e kapur është e tmerrshme.”
Viktimat janë pjesërisht të moshës nëntë vjeçare. Fëmijët janë marrë me dhunë nga shkollat dhe banesat, zvarritur, torturuar dhe dhunuar. Regjimi i shfrytëzon fëmijët si tabela njerëzore për t’u mbrojtur nga goditjet:
“Në një autobus të mbushur me ushtarë të qeverisë, fëmijët janë mbajtur para dritares së automjetit, për të mbrojtur ushtarët nga sulmet.”
Coomaraswamy bën përgjegjëse për dhunën e pashembullt të ushtruar kundër fëmijëve ushtrinë e rregullt siriane, shërbimin sekret të regjimit të Assadit dhe bandat Shabiha, të nxitura prej tij. Megjithatë ajo pranon se edhe rebelët rekrutojnë fëmijë për të bërë punët ndihmëse dhe për t’u kujdesur për të plagosurit. “Duhet të shtojmë se udhëheqja e rebelëve në ushtrinë e lirë siriane foli në bisedat tona kundër përdorimit të fëmijëve si ushtarë. Megjithatë në jetën e përditshme ka raste të tilla.”
Me regjimin e Assad-it nuk ekzistojnë kontakte direkte. Nga Damasku ka ardhur një letër zyrtare. “Ata kanë dërguar një letër të gjatë sqaruese, në të cilat hidhen poshtë akuzat dhe vendosen pikëpyetje mbi burimet e informacioneve tona.”
Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara Peter Wittig drejton grupin e punës së Këshillit të Sigurimit për fëmijët në konfliktet e armatosura. Ai i quan përshkrimet në raportin e fundit të pështira dhe të frikshme: “Kjo tregon sa brutalish e zhvillon Assadi luftën e tij për mbajtjen e pushtetit. Dhe na tregon sa e domosdoshme është t’i jepet menjëherë fund dhunës.”
Wittig kërkon krijimin e një komisioni ndërkombëtar që të hetojë krimet kundër fëmijëve. Ai kërkon po ashtu trajtim më të ashpër të Këshillit të Sigurimit të regjimit të Assad-it, duke e dënuar me sanksione dhe masa të tjera: “Ne kemi bërë këtë propozim. Shpresojmë që të gjejë përkrahje, duke e bërë më të dukshme dhunën e forcave siriane të sigurisë.”
Shpresat drejtohet ndaj Rusisë dhe Kinës, të cilat e kanë kthyer mbrapsht vendosmërinë e Kombeve të Bashkuara kundër Assadit, duke përdorur në mënyrë të përsëritur të drejtën e tyre të vetos. Megjithatë ka dëshmi se Moska dhe Pekini do të ndryshojnë qëndrimin e tyre bllokues, në mënyrë që të kontribuojnë që mijëra fëmijë në Siri të mbrohen nga dhuna dhe vdekja./dw/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit