1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Topi në familjen Jashari

Më të lexuarat

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka vizituar të shtunën herët në mëngjes familjen Jashari në Prekaz, ku u prit nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.
“Është një emocion i veçantë që ndodhem në familjen e Adem Jasharit”, tha me këtë rast presidenti Topi, megjithëse kjo nuk është hera e parë që ai ndodhet në Prekaz.

Topi tha se vjen këtu për të satën herë “sepse ky vend simbolizon më shumë se çdo vend tjetër në Kosovë atë qëndresë të jashtëzakonshme dhe ato sakrifica të panumërta që kanë bërë qytetarët e Kosovës”.

Ai e ka cilësuar familjen Jashari si “familja emblemë e të gjithë shqiptarëve”, njofton KosovaPress. Duke folur për figurën e heroit Adem Jashari, presidenti Topi tha se trimi legjendar historinë e tij e ka shkruar me shkronja të arta dhe se jo vetëm Kosova, por mbarë shqiptarët krenohen me këtë trim të madh.

“Sa herë që vijë te familja Jashari shoh një rigjenerim të saj dhe sa herë që e gjej me më shumë njerëz”, tha Topi.

Ndërsa Rifat Jashari në emër të familjes e ka falënderuar presidentin për vizitën e tij në Kullë. “E falënderoj gjithë popullin shqiptar, i cili që nga ajo ditë nuk na lë vetëm”, tha me këtë rast ai.

Edhe pse sipas agjendës zyrtare, ishte planifikuar që presidenti të bënte homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz ku prehen trupat e Adem Jasharit me familje, të cilët ranë për lirinë e Kosovës, kjo vizitë nuk është realizuar.

Sipas burimeve të Kosovapress, kjo vjen si pasojë e një lëndimi të lehtë në këmbë të presidentit shqiptar Topi. Megjithatë kurora lulesh pranë varrit të Adem Jasharit ka vendosur bashkëshortja e presidentit, zonja e parë Teuta Topi. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit