8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Tkurret tregu i telefonave celularë në prag të publikimit të iPhone 5

Më të lexuarat

Sipas ndërmarrjes hulumtuese Gartner, tregu botëror i telefonave celularë është tkurrur në çerekun e dytë të këtij viti duke pësuar rënie të shitjeve prej 2.3 përqind, në krahasim me të njëjtin çerek të vitit të kaluar.

Arsyeja për rënie ishte “ambienti sfidues ekonomik”, tha Gartner, e po ashtu edhe për faktin që zotëruesit e telefonave janë duke pritur hedhjen në treg të pajisjes së teknologjisë së fundit gjatë këtij viti, si iPhone 5 i Apple.

Garnter paralajmëroi që çereku i tretë i Apple mund të jetë “një tjetër (çerek) më i dobët se zakonisht” për ndërmarrjen, meqenëse varet nga data e publikimit të iPhone 5. Pajisja pritet të paraqitet në shtator dhe të hidhet në treg një ose dy muaj më vonë.

Nokia pësoi një rënie të pjesës së vet të tregut prej 3 përqind vit-për vit, për çerekun e dytë, shtoi Gartner, pasi shitjet ranë për 14.8 përqind. Motorola, LG, HTC dhe prodhuesi i BlackBerry, Research in Motion, patën rënie në treg, ndërsa Apple dhe Samsung u rritën me 2.3 dhe 5.3 përqind përkatësisht.

Rritja e Samsung-ut është arritur nga shitjet e shumta të Galaxy – pjesërisht të Galaxy S III, që arriti 10 milionë shitje gjatë dy muajve të parë të hedhjes në treg.

Në përgjithësi, tregu i pajisjeve mobile arriti 419 milionë njësi në këtë çerek të vitit, ku shitja e smartfonëve po rritet me më tepër se 42 përqind vit-për-vit.

Tregjet në zhvillim si Kina dhe prodhuesit e telefonave 3G do të vazhdojnë ta çojnë përpara tregun e smartfonëve, tha Gartner, ndërsa shitjet e telefonave të zakonshëm do të mbesin nën presion. Smartfonët arritën 37 përqind të të gjitha pajisjeve të shitura në çerekun e dytë të këtij viti.

Ndërmarrja hulumtuese ka thënë para pak kohësh se pret që numri i telefonave të shitur gjatë vitit 2012 të jetë 1.9 miliardë. (PC World Albanian)/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit