-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Tingujt (vargjet) e agjëruesve

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.
Agjëruesit kanë tingujt e tyre të rrallë, vargjet e tyre të veçanta dhe poemat e tyre të pavdekshme.
Agjëruesit janë njerëzit që më së shumti e përkujtojnë All-llahun e Madhërishëm, duke e madhëruar, lavdëruar, lartësuar dhe duke kërkuar falje prej Tij.
Nëse dita e agjëruesve është e gjatë ata nuk e ndiejnë këtë, ngase janë të angazhuar me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, e nëse uria u vështirëson agjërimin atëherë është madhëria e All-llahut ajo që ua zbut atë, andaj i gjen se si gëzohen nga përkujtimi dhe buzëqeshin nga lavdërimi ndaj All-llahut të Madhërishëm. Ata e përmendin All-llahun e Madhërishëm dhe All-llahu i Madhërishëm i përmend ata. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe më përmendni Mua që t’ju përmend.” Falënderojnë All-llahun e Madhërishëm që t’u shtojë mirësitë e Tij: “E nëse më falënderoni Mua do t’ua shtojë mirësitë juve.”
Agjëruesit që e kanë agjërimin e tyre për hir të All-llahut të Madhërishëm padyshim që e përmendin Atë në çdo kohë dhe pavarësisht nëse janë duke punuar, pushuar, ulur apo shtrirë.
Agjërueseve trupi u pushon me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, zemra u kënaqet me dashurinë ndaj Tij, ndërsa shpirti u ndizet nga mallëngjimi për takimin me Të.

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë se: “Shembulli i atij që e përmend All-llahun e Madhërishëm dhe atij që nuk e përmend All-llahun e Madhërishëm është sikurse shembulli i të gjallit me të vdekurin.”
Sa prej “të vdekurve” në këtë botë që ecin, gëzohen, ushqehen, por nuk arrijnë ta njohin të vërtetën dhe realitetin e fjalës “La ilahe il-la All-llah” (Nuk ka zot tjetër përveç Allllahut) e që realisht ata janë sikur të ishin të vdekur pasi nuk e njohën jetën e vërtetë, nuk e njohën kënaqësinë dhe qëllimin e kësaj jete e që padyshim është të jetuarit me All-llahun dhe për All-llahun e Madhërishëm. Po ashtu, është vërtetuar nga Profeti (sal-all-llahu alejhi ve sel-lem] të ketë thënë se: “Kanë ecur larg të veçuarit.”
Ndërsa të pranishmit e pyetën se kush janë ata. Profeti (sal-all-llahu alejhi ve sel-lem) u tha: “Permendësit dhe përmendëset e pandalshëm të All-llahu të Madhërishëm.”
Ligjeruesit dhe përkujtuesit e shumtë të All-llahut te Madhërishëm janë ata që do të hyjnë me nxitim në Xhennet. Shkojnë me shpejtësi drejt mirësive dhe shpërblimeve të kësaj bote; janë shumë larg prej zjarrit të Xhehenemit dhe regjistrat e tyre janë të stërmbushur me vepra të mira, andaj lum për ata agjërues dhe përkujtues ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Në një tjetër transmetim të vërtetuar nga Profeti (sal-all-llahu alejhi ve sel-lem) thuhet: “se një njeri e kishte pyetur për një vepër që do të shpërblehej me të e Profeti (sal-all-llahu alejhi ve sel-lem) i tha: “Mos lejo që të thahet gjuha, mbaje çdoherë të freskuar me përmendjen e All-llahut.”
Kjo shprehje është shumë metaforike dhe shumë e lartë në stilin e të shprehurit, pasi tregon se nuk ka mundësi që agjëruesi të ndiejë uri apo etje përderisa është çdoherë në përkujtim të All-llahut të Madhërishëm, e kjo pasi ushqimi shpirtëror është më i rëndësishëm se ai trupor apo fizik.

“Na përkujtoni siç ju përkujtuam juve.
Se shumë prej përkujtimeve janë thirrje për lumturi.
Na përkujtoni kur ne kalojmë pranë jush. Se loti rrjedh dhe thërrasim për lumturi.”

Përkujtuesit e shumtë të All-llahut të Madhërishëm janë ata që e përkujtojnë Atë në çdo frymëmarrje, me çdo lëvizje të buzëve dhe në çdo çast.
Përkujtuesit e shumtë të All-llahut të Madhërishëm janë ata që me përkujtimin e tyre kanë marrë shpërblimet më të mëdha, kanë realizuar dëshirat më të larta dhe kanë marrë mirësitë më të çmuara.
E nëse të pakujdesshmit nuk e përkujtojnë All-llahun e Madhërishëm atëherë do të ballafaqohen me probleme, me sprova, me preokupime dhe do të jenë të shqetësuar. Ata e kanë ilaçin, por nuk e përdorin, e kanë zgjidhjen, por nuk e shfrytëzojnë, e padyshim se këtë na e vërteton fjala e All-llahut të Madhërishëm ku thotë se: “A nuk i qetësoni zemrat me përmendjen e All-llahut.”
Ndërsa nga Profeti (sal-all-llahu alejhi ve sel-lem), është vërtetuar të ketë thënë se: “Kush thotë: “SubhanAll-llahu ve bihamdihi”, do t’i mbillet një hurmë në Xhennet.” E sa prej këtyre hurmave do të humbin gjumashët dhe përtacët që përtojnë të përkujtojnë All-llahun e Madhërishëm dhe thellohen në gjumin e tyre?

“Kërkon falje për këmbëngulësin në gabime.
Dhe e fal atë, ndërsa veten tënde nuk e fal.
Mua më injoron për shkak të teprimit.
Ndërsa ti kohën e kalove duke e tepruar.

I Dërguari i All-llahut (sal-all-llahu ve sel-lem) të ketë thënë se: “Të them “SubhanAll-llah, Elhamdulil-lah, La ilahe il-la All-llahu dhe All-llahu Ekber; është më e dashur për mua se tërë çka ndriçuar dielli.”
Çfarë është bota? Cili është ari i saj? Po argjendi is cili është? Cilat janë kështjellat dhe sarajet e saj? Kështu peshonte dhe e vlerësonte Muhamedi (sal-all-llahu alejhi ve selem] dhe se çdo gjë që është nën dritën e diellit nuk është më e vlefshme se: “SubhanAll-llah, Elhamdulil-lah, La ilahe il-la All-llah, dhe All-llahu Ekber”.
A ka përkujtues që do të kalojë kohën e tij me këto fjalë në mënyrë që kur të vijë Dita e Gjykimit të gjejë para vetes shpërblimin e madh, gëzimin e flaktë dhe lumturinë e paskajshme?
Nga Muhamedi (sal-all-llahu alejhi ve sel-lem] është vërtetuar të ketë thënë: “A nuk doni që t’ju tregoj për punët tuaja më të mira, më të dobishme tek Krijuesi juaj, më përfituese se shpenzimi i arit dhe i pasurisë që keni dhe më të vlefshme sesa takimi juaj me armikun dhe goditja juaj ndaj tyre dhe e tyre ndaj jush?” Ndërsa të pranishmit i thanë: “Gjithsesi, o i Dërguar!” Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) tha: “Përkujtimi i All-llahut të Madhërishëm.”
Të parët tanë kur falnin namazin e sabahut uleshin dhe përkujtonin All-llahun e Madhërishëm derisa nuk lindte dielli, ndërsa disa prej tyre edhe pas lindjes së diellit meditonin në Kur’an dhe nxirrnin mësime e urtësi prej ajeteve të tij, kështu që koha e tyre ishte e begatshme dhe dituria e tyre ishte e ndritshme me fjalët e All-llahut të Madhërishëm. Ndërsa humbja e të gjithë humbjeve është ai që e humb muajij e tamazanit dhe nuk e përkujton All-llahun e Madhërishëm, nuk ndan kohë për ta përmendur Atë dhe nuk vetmohet vetëm me Krijuesin e tij në mënyrë që të ushqejë shpirtin e tij.
A ka kush që shfrytëzon frymarrjet dhe çastet e kësaj bote duke i kthyer në të mirën e tij?

“Rrahjet e zemrës të tregojnë
se kjo botë është vetëm caste,
andaj ngrije emrin tënd para vdekjes
se përkujtimi është një jetë tjetër.”

Aid el Karni: “30 Mësime për agjëruesit”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit