“Nëse ka vullnet do të gjendet një zgjidhje. Kjo do të ishte një zgjidhje e përafërt me ndonjë model tjetër, por secili model është i veçantë andaj dhe nuk mund të bëhet ‘copy-paste’.
Kështu e komentoi çështjen e veriut të Kosovës, analisti britanik Tim Judah, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, raundi i ardhshëm i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçic, do të mbahet në Bruksel më 17 janar. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, ka bërë me dije se dëshiron të flasë për çështjen e veriut të Kosovës. Çfarë prisni ju nga këto diskutime?
TIM JUDAH
Mendoj se vetëm do ta hapin çështjen. Pra, do të jetë më shumë një hapje e temës në formën e shkëmbimit të pikëpamjeve. Askush nuk pret ë çështja e veriut të zgjidhet brenda një takimi në Bruksel. Por, ky do të jetë vetëm fillimi i një procesi.
RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Thaçi ka thënë se do të shtrojë për diskutim çështjen e institucioneve paralele serbe në territorin e Kosovës, përderisa Serbia insiston në paraqitjen e një platforme mbi Kosovën. A mendoni se ka hapësirë për konsensus në këto çështje?
TIM JUDAH
Mendoj se nuk ka hapësirë për konsensus, por ka mundësi për gjetjen e një rruge drejt zgjidhjes së problemit. Zoti Daçiq ka përmendur një fond ekonomik. Nuk kam parë detaje për këtë. Më sa kuptoj ai ka folur për financimin e institucioneve serbe, por jo në mënyrën se si janë financuar deri më tani-pra, bëhet fjalë për një mënyrë tjetër të financimit.
Nëse ju kujtohet, plani i Ahtisaarit parasheh një mënyrë për financimin e institucioneve serbe në Kosovë, por me kalimin e parave përmes buxhetit të Kosovës. Nuk jam i sigurt, por besoj se ky lloj financimi mund të jetë një qasje e re (që vjen nga dera e prapme) për planin e Ahtisaarit.
RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët planin e Ahtisaarit. Në anën tjetër, platforma serbe mbi Kosovën kërkon një autonomi më të lartë politike e territoriale për enklavat serbe në Kosovë. A bëhet fjalë këtu për planin e Ahtisaarit apo po lëvizin gjërat drejt një autonomie më të zgjeruar?
TIM JUDAH
Mendoj se platforma serbe duhet të shihet si lëvizja e parë përpara meqë të dyja palët mbajnë qëndrimet e tyre maksimale. Nëse ka ndonjë zgjidhje negociatat do të duhej të çonin tek zgjidhja përfundimtare që do të ishte diku në mes (të këtyre qëndrimeve). Plani i Ahitsaarit, në fakt, parasheh një autonomi mjaft të madhe për zonat ku ajo kërkohet.
Pyetja do të jetë se si të ripaketohet kjo për të mundësuar arritjen e një marrëveshje që esencialisht është e njëjta me atë që parasheh Ahtisaari për ato zona. Për arsye të ndryshme politike Serbia do të dëshirojë ta ripaketojë atë në një mënyrë tjetër, por nuk e di se si do të duket kjo në të ardhmen.
RADIO EVROPA E LIRË
Ju e quani “ripaketim të planit Ahtisaari”. A mendoni se edhe BE-ja do të insistojë në këtë apo ka ndonjë zgjidhje tjetër?
TIM JUDAH
Unë vetëm po flas për mundësitë e gjetjes së zgjidhjes që, në esencë, bazohen në planin Ahtisaari, por që paraqiten në mënyra të ndryshme. Vet BE-ja nuk mendoj se ka ndonjë qëndrim në këtë çështje.
Zonja Ashton po ndërmjetëson bisedimet dhe BE-ja nuk mund të ketë një qëndrim të prerë meqë pesë shtete nuk e njohin Kosovën. Por, ajo që bën BE-ja si tërësi është puna në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.
RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, janë përmendur një varg modelesh për zgjidhjen e çështjes së veriut si modeli i dy Gjermanive, ai i Slavonisë Lindore dhe të tjera. A ka ndonjë model në botë që do të ishte i përshtatshëm për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës?
TIM JUDAH
Nuk ka ndonjë model në botë që do të mund të bëhej ‘copy-paste’ për këtë rast. Por, meqë ka shumë modele në Evropë si ai i Tirolit Jugor, ai i Irlandës Veriore e kështu me radhë, zgjidhja do të varet nga gatishmëria e palëve.
Nëse ka vullnet do të gjendet një zgjidhje. Kjo do të ishte një zgjidhje e përafërt me ndonjë model tjetër, por secili model është i veçantë andaj dhe nuk mund të bëhet ‘copy-paste’.
RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston, në fakt, për momentin vullneti i të dyja palëve për të biseduar për veriun dhe për të gjetur një zgjidhje? I kemi parë zhvillimet e fundit në Beograd lidhur me monumentin e UCPMB-së, ndërsa e pamë edhe kundërshtimin e autoriteteve kosovare për vizitën në Kosovë të presidentit serb, Tomisllav Nikoliq. Cila është pikëpamja e juaj për reagimet e të dyja palëve karshi njëra-tjetrës?
TIM JUDAH
Deri më tani janë bërë dy hapa përpara e një prapa dhe kështu do të vazhdojë. Do të ketë gjithmonë disa hapa përpara e disa prapa. Në përgjithësi, mendoj se më e rëndësishmja për momentin është fakti se kryeministri, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Daçiq, kanë marrë personalisht përgjegjësinë dhe se duan të shohin përparime. Është gjithmonë e mundshme që të ketë probleme dhe ngecje.
Pra, do të ekzistojë frika për provokime: a do të vijë Nikoliq në Kosovë për të provokuar? A do të shkaktojë vizita e tij provokime? Pyetje të tilla do të shtrohen gjithmonë. Kjo është çështje diskutabile, por e padobishme dhe jondihmuese. Por, ekziston gjithashtu mundësia që çështja e lapidarit në Preshevë të jetë e dëmshme derisa të gjendet një zgjidhje. Por, sërish them: nëse ekziston vullneti, ekziston edhe zgjidhja.
Mund të thuhet se qëndrimi i monumentit në qendër të qytetit është në rregull, por mund të thuhet gjithashtu se ai do të duhej të vendosej në varreza. Nuk them se duhet bërë kështu apo ashtu. Por, do të ishte për keqardhje nëse mospajtimet mbi një lapidar do t’ia merrnin anën zhvillimeve mjaft pozitive që i kemi parë në muajt e fundit ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiq./rel