Fabrika për përpunimin e vajit të ullirit me vlerë prej 250.00 Euro që do të hapet në Komunën e Ulqinit do të jetë sipas standardeve bashkëkohore evropiane.
Agjencia turke TIKA do te financoj ndërtimin e një fabrike për përpunimin e vajit të ullirit në fshatin Pistull, komuna e Ulqinit. Në kabinetin e Kryetarit të Ulqinit Z. Nazif Cungu u nënshkrua protokolli për ndërtimin fabrikës moderne me vlerë 250,00 euro, e cila duhet të montohet deri në fund të muajit tetor. Në këtë ceremoni merrnin pjesë zyrtarë komunal, Ambasadori i Turqisë në Podgoricë Serhat Galip,koordinatori i TIKA-s në Mal të Zi Ahmet Alltun, dhe Kryetarja e Shoqatës së ullishtarëve Fahira Kraja.
Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi Serhat Galip, tha se Turqia i jep mbështetje të rëndësishme zhvillimit ekonomik të Malit të Zi dhe se Ulqini zë vend të rëndësishëm në projektet e TIKA-s.
“Jemi te mendimit që qyteti bregdetar i Ulqinit, krahas turizmit duhet të ketë dhe brendin e vajit të ullirit me të cilin do te behej i njohur në botë. Protokolli i sotëm do të jetë hapi i parë që nënshkruhet midis komunës së Ulqinit dhe Agjencisë turke për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe zhvillim TIKA dhe Shoqatës së Ullishtarëve nga Pistulla. Fjala është për një investim prej 250.000 Euro e qëllimi jonë është që ky projekt të jetë i gatshëm në muajin Tetor. Dëshira jonë shtoi më tej Ambasadori Galip, është projekti sa më parë të jetësohet dhe anëtarët e tubuar rreth kësaj Shoqate të kenë sa më shumë përfitime. Ai edhe me këtë rast falënderoi komunën e Ulqinit dhe kryetarin Nazif Cungun për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti, duke shtuar se me aq sa na lejojnë kushtet do të jemi të pranishëm në Ulqin dhe të realizojmë projekte të tjera”.
Shoqatave të prodhuesve të ullirit Koordinatori i TIKA- s Ahmet Alltun vlerëson se nga realizimi i këtij projekti , përfitime do të ketë komuniteti, do të hapen vende te reja të punës dhe linja bashkëkohore për përpunimin e vajit. Kjo linjë e re do të jetë në dispozicion jo vetëm të ullishtarëve nga komuna e Ulqinit por edhe atyre nga komuna e Tivarit.
“Kemi parë që shumë amvisëri merren me kultivimin e ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit. Mirëpo kemi vërejtur që në këtë degë mungon teknologjia bashkëkohore e kjo ndikon në rendimentin e prodhimit kualitativ të vajit. Ne jemi përcaktuar që të mbështesim kërkesën e arritur nga Shoqata “Ullishtarët e Pistulla” pasi jemi interesuar për punën dhe seriozitetin e angazhimit të tyre ne këtë prodhimtari. Qëllimi jonë, shtoi më tej z. Alltun është që në këtë shoqatë të kyçen dhe shoqata të tjera të ullishtarëve nga Tivari dhe Ulqini dhe kjo të shërbej si shembull i një suksesi të garantuar. Për hapjen e kësaj fabrike janë konsultuar edhe ekspertët nga Turqia dhe fabrika e ardhshme do të jetë sipas standardeve bashkëkohore Evropiane. Ne edhe në të ardhmen, tha në fund z. Alltun do të vazhdojmë t’i japim përkrahje këtij sektori të bindur që Mali i Zi do të formoj brendin e vet të vajit të ullirit”.
Kryetarja e “Shoqatës së ullishtarëve Pistulla“ Fahira Kraja, falënderoi Agjencinë turke TIKA për mbështetjen e këtij projekti . Në vazhdim ajo bëri një prezantim të fabrikës e cila do të punojë sipas standardeve të Bashkimit Evropian, por edhe për planet e Shoqatës e cila i ka venë synim vetes që të zgjerohet me anëtarë të rinj dhe të shtojë numrin e trungjeve të ullinjve.
Përndryshe komuna e Ulqinit me rrethinë është e njohur për ullishtat dhe komplekset që ndodhen në një territor të njohur që në lashtësi për rritjen e ullinjve qindravjeçar. Këtu rriten disa variete me vlera të mëdha ushqimore. Banorët vendas ullirin dhe vajin e ullirit e kanë pasur traditë prej shekujsh. Vaji me shije dhe cilësi të veçantë prodhohet në disa mënyrë, ai ka depërtuar në tregje të ndryshëm dhe është nderuar me çmime në Panaire dhe konkurse ndërkombëtare.