Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit do të dërgojë ndihma humanitare në Gazë në vlerë 1 milionë dollarë.
Koordinatori i Programit të TIKA-së për Palestinën, Bulent Korkmaz i bëri një vlerësim ndihmave emergjente në vlerë 1 milionë dollarë që do ti dërgojë Turqia në Gazë dhe aktiviteteve të TIKA-së në Palestinë.
“Zhvillimet e fundit që u jetuan në Gazë shkaktuan indinjatë të thellë në Turqi dhe në botë”, bëri të ditur Korkmaz, ndërsa shtoi se Zëvendëskryeministri, Hakan Çavusoglu publikoi vendimin për dërgimin e ndihmave emergjente në Gazë në vlerë 1 milionë dollarë që organizohet me urdhër të Presidentit Erdogan.
Korkmaz tha se në kuadër të ndihmave në fjalë 12 mijë familjeve refugjate që jetojnë në kamp në Gazë, gjatë muajit të Ramazanit do tu shpërndahen pako me ushqime. Krahas ushqimit të ngrohtë që do ti shpërndahet çdo ditë para iftarit 1 mijë familjeve në vende të ndryshme të Gazës, do të dërgohen ndihma në ilaçe dhe pajisje mjekësore edhe në spitale në vlerë 200 mijë dollarë.
Duke e bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për shpërndarjen e ndihmave në ushqim familjeve në nevojë, Korkmaz tha se për shkak të bllokadës së Izraelit kanë vështirësi në blerjen e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore në Rripin e Gazës.
Korkmaz bëri të ditur se aktualisht në tregje ka materiale mjekësore dhe ilaçe të cilat mund të plotësojnë vetëm 10% të nevojave në Gazë, për këtë arsye synojnë që ndihmat në ilaçe që do të bëjë TIKA ti dërgojnë brenda 8 dhe 12 javëve në Rripin e Gazës.
“Ky vend ka kushtet e veta për shkak të pushtimit të Izraelit dhe ndasisë që po jetohet në mesin e palestinezëve”, bëri të ditur Korkmaz dhe shtoi se TIKA si rezultat i shërbimeve që ofron në rajon prej vitit 2005 e këtej ka fituar përvojë dhe se herë pas here po ballafaqohen me pengesa të cilat nuk po arrijnë ti kapërcejnë.