Nga Doan Dani*
Një mori studimesh ndërkombëtare raportojnë për larminë e abuzimeve me liritë fetare në Greqi, që shfaqen në diskriminimet më banale, në ligjërimin politik – kryesisht te demagogjia me ind fetar e një partie fashiste si Agimi i Artë – e deri te pengesat ligjore, siç është paragrafi 2 i nenit 13 të kushtetutës, i cili, duke ndaluar prozelitizmin, ka shërbyer si bazë juridike për ndëshkimin e veprimtarive fetare jashtë spektrit të Kishës Ortodokse. Lidhja e këtij shteti europian me Kishën sanksionohet që në krye të kushtetutës, me sloganin “Në emër të Trinisë së Shenjtë, të Pandashme”, e përforcohet me nenin e saj të tretë, ku praktikisht shteti detyron pandryshueshmërinë e Shkrimeve të Shenjta dhe përcakton ekskluzivitetin e përkthimit të tyre, dhe merr formë konkrete në një ministri të veçantë, mes tjerash, për punët e fesë. E me gjithë këtë panoramë, ndonjë syresh, teksa trajton akrobacitë fetare të emigrantëve shqiptarë në Greqi, pa hezituar fajëson pragmatizmin e tyre dhe aspak (edhe) politikat e strukturave me pushtet në Greqi (Ne, jo Ata), ndërsa përdor detyrimin, e jo më pragmatizmin, për thjeshtimin e akrobacive shqiptare nën shtetin osman (Ata, jo Ne), si për të ilustruar në mënyrë sintetike ndryshimin e rregullave të lojës sipas kundërshtarëve, edhe pse Greqia, ndryshe nga “Turqia” e djeshme, i përket një konteksti konventash e retorike me bazë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Vështirë të thuhet nëse imami Ahmed Kalaja ka menduar vetëdijshëm këtë standard të dyfishtë, që nga njëra anë denigron e nga ana tjetër përkëdhel, kur ka vendosur të bëjë publike bisedën me futbollistin Andi Lila, të cilit nën sipërfaqen e parodisë, duket sikur niveli i depërtimit të fesë në shoqërinë greke i shkakton ilaritet, më shumë se sa konkretizimi i ritualeve në vetvete, sepse e shikon nga perspektiva e një individi të kultivuar në një kontekst multifetar që pas 1990 iu mbivendos asfaltimit të pranisë publike të feve tradicionale (gjatë regjimit). Në këtë rast, në varësi të identifikuesve të kategorive Ne dhe Ata, superioriteti prej ku buron kinse cinizmi i Lilës (për ironi nuk mund të flitet në atë bisedë) dallon nga superioriteti fetar ku pozicionet Kalaja për ta nënvlerësuar “ujin e knum”. I nisur për të gjeneruar audiencë, Kalaja (1) mbyll sytë përpara etikës në një kontekst bashkëjetese, (2) anashkalon tërësisht se, përveç vetironisë, shoqëria shqiptare është e ndjeshme ndaj raportit të komikes me fenë (kujtojmë incidentin me imitimin e Gjon Palit II në RTSH), (3) se mjaft segmente shoqërore ose bashkësi myslimane e refuzojnë (nganjëherë me dhunë) këtë raport, duke harruar shpeshherë – të zëna nga përcaktimi ‘hallall/haram/bidat’ – edhe të qeshin, (4) se ujë, gurë, vende, kohë, rituale e njerëz më pak ose më shumë të “knum” ka plot në fenë e tij, (5) se humanizimi i njeriut përmes lirisë (Diversiteti) dhe limitit të dëshirave personale (Tjetri) është leksion i dhënë me njeriun e parë.
Për audiencë u shit edhe reagimi. Gazeta Panorama i dha hapësirë një komenti të Dom Agustin Bardhit, ku bëmat e Lilës me disa klerikë grekë projektohet në skenarin e viktimizimit si “tallje e bashkëvëllezërve të krishterë ortodoksë”, që në fakt nuk duket se e morën edhe aq me prioritet. Ndërkohë që biseda merr konotacion tjetër me përfshirjen e tërësisë së vëllezërve, Bardhi iu kujton futbollistëve “ta nderoni atë Flamur të Gjergj Kastriotit (…) që nuk e pati kurrë problem bekimin me ujë”, dhe në fund, siç e do trendi, e mbyll me “forca djema”. Gjergji nuk pati problem me bekimin siç nuk pati me emrin Skënder e titullin Bej, përkundër Dom Agustinit, i cili higjienën e nënvizon dhe e shpjegon në një tjetër koment, sërish me sebep futbollistik, kësaj here referuar tifozëve arbëreshë: “Kur Gjergj Kastrioti të mbështet fuqishëm edhe në 2017 me ADN Shqiptare të papërlyme”. Për ironi ADN-ja e përlyer është ajo e Lilës. Në një ligjërim me bazë ADN-je, i përditshëm në Europën e viteve ‘20-40, është e mundur të konsiderohet si i “përlyem” Skënderi “fqinj”, e kësisoj të refuzohet, dhe njëkohësisht të bëhen statuse binjakëzimi shpirtëror me Skënderin në Halep të Sirisë, që në mënyrë cinike garantojnë tifozeri: duke konsideruar subjektin dhe objektin, tallja këtu është eufemizëm. Ndërkohë që Lila është futbollist në sprova humori infantil, cilësia e ADN-së në fjalën e bariut shpirtëror nuk ka gjurmë humori, tejkalon talljen dhe nuk pranon Tjetrin as në përkufizimin shqiptar.
Tradita e do që në të tilla raste të rihapet tema e laicitetit. Faktikisht e ka një precedent serioz në Francë ku shoqata e kryebashkiakëve publikoi në 2015 një dokument i cili, ndër të tjera, kërkonte që futbollistët e kombëtares të mos bënin shenjën e kryqit, me pretendimin e shkeljes së laicitetit. Ndodh në Francë, e jo rastësisht vetëm aty, sepse procesi i higjienizimit të publikes nga feja ka një traditë të gjatë përpara zbritjes te futbolli. Ndërsa në Kosovë e Shqipëri objekti përmbyset! Kjo për shkak të potencialit të futbollit në komunikimin publik në shoqëritë e sotme, që në rastin shqiptar amplifikohet nga varfëria e pranisë sonë në vitrinën ndërkombëtare. Këtej bën vaki që në Prishtinë të ndjehen “me zemër të thyme” dhe nga Tirana të propozohen si zgjidhje frekuentimi i objekteve të kultit në privatësi (Si mund të kenë privatësi persona kaq publikë? Të shkojnë veçmas? Nëpër objekte të ndryshme? Natën? Të maskuar?), ose postimi (në facebookun e futbollistëve) i statuseve me Dua Lipën!
Të njëjtët syresh, për më tepër politikanë të djeshëm e aspirantë të ardhshëm, përdorin Nënë Terezën si lojtare futbolli, athua se nuk ia kushtoi ekzistencën misionit fetar (le pastaj që në librat shkollorë e gjejmë herë si “germë Z” e herë si model “qytetarie”). Asnjë fjalë prej “zemrave të thyera” për simbolikat fetare që ngrihen mbi lartësi gjeografike, pa u trazuar për privatësi, laicitet, harmoni e polikromi fetare. Prandaj shqetësimi për praninë publike të fesë, në komentues që deri edhe për të thënë se “uji i detit është i kripur” citojnë Anton Harapin (e jo Ermonela Jahon), kuptohet vetëm ngaqë futbollistët janë me kultin e gabuar.
*Historian