0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

T’i mbajnë gjynahet e veta… si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje

Më të lexuarat

Është i njohur fakti se në legjislacionet qiellore përgjithësisht e në legjislacioni islam veçanërisht se njeriu nuk ndëshkohet për shkak të veprimit të tjetrit e as nuk jep përgjegjësi për ndonjë shkelje të ndonjë njeriu tjetër. Tekstet kuranore në vërtetimin e këtij kuptimi janë të shumta, prej të cilave përmendim: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon.” (Bekare, 286), gjithashtu fjala e Tij: “Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” (En’am, 164), fjala e Tij: “që secili të shpërblehet për atë që ka bërë.” (Taha, 15) e ajete të tjera të ngjashme si këto.
Krahas këtyre ajeteve, të cilat vërtetojnë se përgjegjësinë ndëshkimore e mbart vetë kryesi i veprës, në anën tjetër gjejmë disa prej ajeteve të cilat argumentojnë se gjynahqari mund të ndëshkohet për shkak të gjynahut të tjetrit. Prej këtyre ajeteve janë edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje.” (Nahl, 25). Gjithashtu fjala e Tij: “Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera.” (Ankebut, 13)
Këto dy ajete nga pamja e jashtme na bëjnë me dije se disa njerëz do të ndëshkohen për shkak të disa veprimeve të cilat i kanë bërë të tjerët e jo ata, gjë e cila mund të duket se ekziston kundërthënia ndërmjet ajeteve mohuese për bartjen e barrës dhe gjynaheve të të tjerëve dhe atyre pohuese.
Pa dyshim se Libri i Allahut të Madhërishëm është shumë më i lartë dhe më madhështor sesa të përmbajë kundërthënie ndërmjet ajeteve të tij, për faktin se Libri është i Allahut të Lartësuar: “Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë.” (Fussilet, 42)
Ajo që duket në shikim të parë se ekzistojnë kundërthëniet ndërmjet ajeteve është thjesht për shkak të kufizimit të logjikës së njeriut, kurse në realitet nuk ekziston kundërthënia.
Dijetarët kanë dhënë përgjigje lidhur me atë që duket të ketë mospërputhje ndërmjet ajeteve duke thënë: “Në origjinë, çështja e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë në Ditën e Kiametit është që njeriu nuk e mbart barrën e tjetrit, për faktin se kjo është në kundërshtim me parimin e drejtësisë me të cilin pajtohen të gjitha legjislacionet qiellore. Por, në këtë esencë mund të ketë përjashtime për ndonjë shkak të caktuar, që do ta sqarojmë në vijim. Po e ilustrojmë me një shembull nga jeta. Sikur një individ ta nxitë një person tjetër për vrasjen e një burri, ky i fundit i përgjigjet kësaj nxitjeje dhe e vret njeriun. Në këtë situatë ndëshkohet autori i drejtpërdrejtë, respektivisht vrasësi, gjithashtu ndëshkohet edhe nxitësi i vrasjes. Nuk është e drejtë të thuhet këtu se ndëshkimi duhet t’i shqiptohet vetëm vrasësit të drejtpërdrejtë e jo shtytësit të vrasjes. Shtytësi i vrasjes konsiderohet shkaktar i vrasjes nga aspekti se ai e ka nxitur personin dhe e ka shtyrë drejt kryerjes së vrasjes.
Sikur të mos ekzistonte kjo shtytje nuk do të ndodhte vrasja. Prandaj, nuk është e qëlluar dhe e drejtë që vrasja t’i atribuohet vetëm autorit të drejtpërdrejtë e jo nxitësit. Sikur kjo të bëhej kështu, atëherë gjykimi do të ishte i pavend dhe i padrejtë. Ajetet rreth të cilave po flasim nuk qëndrojnë shumë larg asaj që ilustruam më sipër. Ajetet bëjnë me dije për mbartjen e ndëshkimit për një veprim që e kanë bërë të tjerët sepse ishin shkaktarë për largimin e njerëzve nga rruga e Allahut dhe nga ky këndvështrim do të dënohen. Prandaj, e drejtë është të ngarkohen me barrën e të tjerëve për shkak të veprimeve të tyre, të cilat çuan në humbjen e të tjerëve.
Nga kjo nuk duhet të kuptohet se të humburit do të lirohen dhe falen nga dënimi dhe llogaridhënia, por që të dy do të japin llogari për veprimet e tyre. Mashtruesit do të mbartin gjynahet e atyre që i mashtruan dhe i humbën dhe do të ndëshkohen për këtë shkak, ndërsa të humburit do t’i mbartin gjynahet e tyre për shkak të pasimit të mashtruesve.
Lidhur me ajetin: “Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera” (Ankebut, 13) është transmetuar nga Muxhahidi të ketë thënë: “Do t’i mbartin gjynahet e tyre dhe gjynahet e atyre që iu binden dhe i dëgjuan e as nuk do t’u lehtësohet aspak dënimi i tyre.”
Sikur të thellohemi më tepër në çështje, do të na sqarohet se ajo që e mbartin mashtruesit nga barra e të humburve në fakt është rezultat i punës dhe i fitimit të tyre, pasi ata janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të humbjes së pasuesve dhe është plotësisht e drejtë të dënohen dhe të japin llogari për një veprim që e shpikën vetë ata. Prandaj, ndëshkimi nuk është për shkak të veprimit që kanë bërë të tjerët, por për shkak se vetë ata e kanë kryer. Kësisoj, na bëhet e qartë se ndëshkimin e kanë fituar nga vetë dora e tyre e jo nga të tjerët.
Këtë e përforcon edhe hadithi të cilin e shënon Muslimi të transmetuar nga Xherir b. Abdullahu, i cili thotë: “Ishim tek i Dërguari i Allahut në mesin e ditës. Erdhën disa njerëz të varfër, shumica e të cilëve ishin prej Medarrit. Kur i pa i Dërguari i Allahut kështu, i ndryshoi fytyra për shkak të varfërisë që kishte parë tek ta. Një njeri dha lëmoshë nga dinarët dhe dërhemët e vet, nga veshja e tij, pastaj nga gruri dhe hurmat e tij, derisa tha se edhe gjysmën e hurmës, nëse është nevoja, do ta jap. Pastaj erdhi një njeri prej ensarëve me një pako, saqë nuk kishte mundësi ta mbante në dorë, pastaj filluan njerëzit të japin, derisa pashë dy grumbuj të mëdhenj me ushqim dhe me rroba, gjersa pashë fytyrën e të Dërguarit të Allahut të shndriste si të ishte prej ari. I Dërguari i Allahut tha: “Kush hap një rrugë të mirë në Islam (një sunet të mirë), ai do të ketë shpërblimin e vet dhe të atyre që vinë pas tij, pa iu pakësuar shpërblimi atyre që punojnë pas tij. Ndërsa kush hap një rrugë të keqe në Islam, ai do të ketë mëkatin e vet dhe të atyre që punojnë pas tij me të, pa iu pakësuar atyre dënimi.”
Në një transmetim tjetër nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ”Kush thërret në udhëzim ka shpërblim (për këtë) dhe shpërblimin e atyre që veprojnë me këtë udhëzim, duke mos iu pakësuar ky shpërblim (atij që realisht e kryen veprën). Kush fton në humbje, ka mëkat sa mëkati i të gjithë atyre që e kanë pasuar, pa u pakësuar prej mëkateve të tyre asgjë”. Shënon Muslimi.
Këto dy hadithe argumentojnë qartë për atë që sqaruam më lart. Njeriu mbart përgjegjësinë e veprës së tij nëse në veprën e tij ka ndikim të drejtpërdrejt ose të tërthortë te tjetri. Duke u bazuar mbi këtë që thamë, nëse dikush është prijës drejt së keqes dhe ftues drejt saj dhe njerëzit e pasojnë atë, ai në Ditën e Gjykimit do të mbartë gjynahet e tij dhe gjynahet e atyre që e pasuan pa u pakësuar prej mëkateve të tyre asgjë.
Në dritën e asaj që përmendëm lidhur me esencën e llogarisë dhe të ndëshkimit nuk është në mënyrë absolute dhe në formë të prerë, por është e përcaktuar a ka njeriu ndikim te tjetri apo jo. Nëse po, atëherë është pjesëmarrës në ndëshkim dhe llogaridhënie. Nga këtu mësojmë se ndërmjet ajeteve nuk ekzistojnë kundërthënie dhe mospajtime reale. Allahu di më së miri!

 

Përgatiti:Almedin Ejupi
14.6.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit