Një imam senegalez ka bërë thirrje për “xhihad të gjelbër” kundër ndotjes, duke i bërë thirrje parlamentit të vendit të tij, si dhe tërë komunitetit musliman që të angazhohen, në atë që ai e quan, detyrë të qartë islame për mbrojte të mjedisit.
Duke përmendur parimet islame që kanë të bëjnë me mjedisin, imami Youssouph Saar në intervistën javore për kanalin televiziv Al-Jazeera në gjuhën angleze tha se nuk mund të beson se njerëzit në vendin e tij, kryesisht musliman, janë mësuar të jetojnë në një mjedis të ndotur me qese plastike dhe lloje tjera të mbeturinave.
“Islami është i pastër. Çdo formë e ndotjes ose sulmit ndaj mjedisit është mëkat dhe i ndaluar në mënyrë të qartë. Ky nuk është problem lokal, por edhe global, të cilin po e igrnoron bota muslimane. Ruajtja e mjedisit është thirrje morale,” tha imami Saar.
Thirrja e imamit për masa të ashpra kundër ndotjes ka ngritur në këmbë parlamentin senegalez, prandaj, kohët e fundit, ky vend afrikan ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike. Ata që i hedhin në rrugë dhe vende tjera mund të përballen me burg deri në 6 muaj, si dhe gjobë me të holla.
Megjithatë, njerëzit në këtë vend, ende përdorin qese plastike dhe konsiderojnë se Parlamenti nuk duhet të miratoj ligje të tilla, pa ofruar një alternativë.
Ka vite që Senegali është duke luftuar ndotjen e mjedisit në të cilin kryesisht ndikojnë industritë e mëdha të tilla si ajo e përpunimit të peshkut, e tekstilit, prodhimit të ngjyrave dhe përpunimit të ushqimit, të cilat mbetjet e tyre i asgjësojnë zakonisht në det ose në fusha të hapura.
Muslimanët përbëjnë 94 % nga popullata 13 milionëshe senegaleze, ndërsa të krishterët 5 %, pjesa tjetër ndjekin besimet indigjene.