Sedat Islami
Idealizmi si koncept, ndonëse njihet që moti, megjithëkëtë, nuk ka gëzuar ndonjë pranim të gjerë tek njerëzit. Kjo, për shkak të perceptimit imagjinar të gjërave dhe ikjes nga realiteti me të cilin ballafaqohemi.
Idealizmi urrehet si koncept për shkak të pamundësisë së implementimit të tij.
Njerëzit nuk ndaleni së kërkuari zgjidhje për problemet aktuale, për atë se si t’ia bëjmë tani, çfarë hapash duhet të ndërmarrim, konkretisht si të dalim prej kësaj krize apo atij problemi. Të gjithë duam që gjërat të jenë perfekte, por kjo as fetarisht dhe as racionalisht nuk është e mundur. Njerëzit, deshëm apo jo, nuk do të na pasojnë të gjithë. Madje ky do të ishte një synim i gabuar.
“Po ti edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.“ (Jusuf: 103)
Muhamedi [alejhi salatu ve selam] na ka mësuar se shoqëria ideale ku të gjithë do të jenë besimtarë, ku nuk do të ketë asnjë njeri që gabon, nuk arrihet edhe për faktin se ajo bie ndesh me vet përcaktimin hyjnor për njerëzit. Imam Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga sahabiu i nderuar Ebu Hurejre [radijeAllahu anhu] se Muhamedi, alejhi salatu ve selam] ka thënë:
“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur ju të mos bënit mëkate, Allahu do t’iu shkatërronte e pastaj, në vend tuajin, do të sillte njerëz që gabojnë e të cilët i kërkojnë falje Allahut dhe Ai i fal ata!”
Nuk do të doja të keqkuptohem sikur me këtë po thërras që misionin për t’i thirrur njerëzit në Islam ta reduktojmë në një grup të caktuar njerëzish ose vendesh. Jo, obligimi ynë mbetet që t’i thërrasim të gjithë, që tua kumtojmë fjalën e Allahut të Madhëruar të gjithëve, në Lindje e Perëndim, në çdo vend ku ka njeri, t’i thërrasim të pendohen dhe të kërkojnë falje, por jo edhe të mendojmë se të gjithë do të na besojnë. Allahu i Madhëruar i ka thënë të Dërguarit [alejhi salatu ve selam]:
“Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.“ (Kasas: 56)
Kështu, ajo që kërkohet prej nesh është që të kumtojmë, ta heqim barrën prej vetes dhe të mos iu lëmë argument të tjerëve para Allahut të Madhëruar se nuk kanë ditur për këtë fe.
Kjo gjë, marrja me realitetin në vend të idealizmit (si t’ia bëjmë e jo kështu do të duhej të ishte) ka bërë që disa dijetarë, në të kaluarën dhe të tanishmen, ta braktisin shkrimin dhe të merren drejtpërdrejtë me udhëzimin dhe edukimin e njerëzve. Ata kanë kuptuar se realizmi është ajo me të cilën ndeshemi drejtpërdrejtë, është bota e mjeteve (shkaqeve), të cilat duhet t’i përfillim doemos për të ardhur deri tek synimet e larta.
Ne duhet të merremi me kohën, duhet të punojmë në rrethanat në të cilat gjendemi. Dua të them, duhet të kemi realizmin në dorë, ndërsa idealizmin në kokë. Kjo na bën që të jemi në tokë dhe në qiell në të njëjtën kohë. Kështu do të ishim në kategorinë e besimtarëve më të mirë. I Dërguari i Allahut [alejhi salatu ve selam] ka thënë:
“Besimtari që përzihet me njerëzit dhe duron bezditë – shqetësimet që i vijnë prej tyre ka shpërblim më të madh se ai që nuk përzihet me ta dhe nuk duron bezditë e tyre.” (Transmeton Ibën Maxhe në Sunen, ndërsa Albani e vlerëson për autentik)