4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Thirre si të duash tironcin, ai nuk përgjigjet – Elton Hatibi

Më të lexuarat

Thirre si të duash tironcin, ai nuk përgjigjet

Elton Hatibi

“Na mytët ju labt”, i thoshte një humorist i njohur tiranas vite më parë një mikut të tij vlonjat, ndërkohë që tjetri, mjek stomatolog, ia kthente me ironi: “Njeh ti ndonjë lab që bën qeleshe, po ndonjë që pastron kukurec apo ndonjë tjetër që zien salep? Asnjë oficeri tiranas nuk ia kemi zënë vendin.” Kjo anekdotë, megjithëse joautentike, përveçse thjeshtëzon maksimalisht, por qartësisht, një marrëdhënie pushteti, i jep jehonë një opinioni qytetar të përhapur gjerësisht mbi raportin e “autoktonëve” dhe të ardhurve në Tiranë, mbi “miqtë” e shpeshtë në kryeqytet, që me ardhjen e tyre thjesht plotësuan një vakum të natyrshëm në këtë trevë. Një hapësirë shoqërore funksionale që kurrkush nuk e shpjegon dot se si qëndronte ashtu prej kohësh të hershme në pritje për t’u plotësuar. Sipas këtij imagjinari që evokon një kohë primitive paramoderne, tiranasit thurnin opinga, gatisnin vorba e poçe, përzhisnin mishra në prush e freskoheshin në vija uji, duke mos harruar të grindeshin për ndonjë avlli, sakaq qytetaria e vërtetë vjen e formësohet nga të ardhurit në qytet si e kundërta e kësaj mënyre jetese. Tiranasi i futur dhunshëm në veshjen e ndonjë zanati tradicional, së bashku me rrënimin e Pazarit të Vjetër dhe shumëçkaje tjetër, arkivohet në memuaristikën e re urbane, për t’u nxjerrë prej saj vetëm si klishe utilitare. Kjo lloj narrative me gjithë arsenalin e saj piktoresk, zë vend ende rëndom në mjedisin urban, si thjeshtëzim i një realiteti që nuk meriton shumë vëmendje dhe humbje kohe, një triumf i modernitetit mbi arkaiken, por pa ditur ta tregojë saktësisht shtegun prej nga mbërrin aty.

Ekziston, së fundmi, një tregim interesant, rrëfyer prej pinjollëve të familjeve autoktone, personazhe aktive në jetën publike, ku nuk fshihet doza e nostalgjisë mbi atë çfarë është Tirana dhe tiranasit, raportin e tiranasve autoktonë me të ardhurit, risitë e sjella prej tyre në këtë habitat kulturor, dhe që hedh dritë disi mbi transformimet, por dhe të pandryshueshmen e identitetit tiranas. Janë gratë me “veçoritë” e tyre që më së shumti shërbejnë si modele identitare të reduktuara, tipologji ku shquhet “urtia” si karakteristikë, dhe që shërbejnë si përfaqësuese të identitetit më të gjerë shoqëror lokal që merr trajta femërore, duke risjellë edhe nuanca të vjetra orientalizmi në këtë terren ligjërimi. Me orientalizëm në këtë rast, kur vjen puna te Tirana, kemi ndërmend temat që përsëriten në narracione të ndryshme mbi të shkuarën e qytetit, në lidhje me gjeografinë, përshkrimin urban etj., në paralelizëm kjo me atë që në thelb orientalizëm është sistem për citimin e veprave dhe autorëve. Një qasje tjetër që buron nga orientalizmi është edhe tipologjia dhe karakteri imagjinar ose jo i tiranasit, i cili, shpesh i heshtur, vetëm përshkruhet, dhe dallohet nga një distancë e lehtë me narratorin, gjithashtu tiranas. Artikulli është bazuar kryesisht në dy tekste, njëri një traktat elektoral i Linda Ramës drejtuar tiranasve autoktonë në prag të zgjedhjeve të parafundit parlamentare; ndërsa tjetri është një ese e Eda Dërhemit mbi atë që ka humbur në qytetin e saj të fëmijërisë, Tiranën e hershme. Tjetër tekst ku mbështetet shkrimi është një pjesë e një interviste të shkurtër të Ledi Shamku-Shkrelit, dhënë për një të përditshme, mbi përvojën e saj religjoze me rastin e Krishtlindjeve.

Tirana

Imazhi i një Tirane me hapësira të gjelbra, gati rurale, është investuar herët në publicistikë dhe në këtë analizë nuk kemi përjashtime. Në rrëfimet e këtyre zonjave për qytetin e tyre, aty ku u rritën dhe kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre, kjo lloj narrative gjen sërish vend. Një imazh të ngjashëm do ta hasim tek “Doktor Gjilpëra…” i Konicës, ku plepat e dendur paralajmërojnë lexuesin për hyrjen në një qytet të zhytur në vegjetacion. Por para Konicës, misionar i qytetërimit, qytetin më të njëjtat ngjyra e ka përshkruar cilido konsull i huaj, studiues ose udhëtar kurioz, sado anonim, e përbashkëta e të cilëve përmbledh këto përshkrime thjeshtëzuese për natyrën e qytetit. E veçantë këtu është vëmendja ndaj transformimit, gjurmës së re e cila konstatohet pas humbjes pa kthim të një porcioni identitar për Tiranën. Ky ndryshim urban, që gjetiu paraqitet rëndom nën shenjën e progresit, në optikën e këtij ligjërimi luhatet me ambiguitet mes përshkrimit faktik dhe nostalgjisë për të pakthyeshmen. Ishujt e natyrës dhe veçantitë e lokales, përherë e më shpesh nën kërcënimin e urbanizimit të dhunshëm, meritojnë një homazh liturgjik që përsëritet dhe shënohet në memorien kolektive si melhem për shpirtrat e trazuar.
Imazhi i lagjes së saj në Tiranë, Eda Dërhemit i kthehet në formën e një ëndërrimi, kjo nga fakti i të qenit larg atdheut, padurimi i prekjes me të e ndez natyrshëm më tej ëndërrimin. Rrëfimi i saj nis si një mirazhi i nxehtë nga zemra e një mesdite vere, ku vajza e vogël ndodhet në një ecejake në xhadenë pranë shtëpisë, mes çezmës me ujin brisk të ftohtë dhe kureshtjes në efektet e ziftit përcëllues të asfaltit. Simbioza e ndjesive ekstreme që përçojnë ato, na vijnë si simbolika të kundërta, gati si eksperienca mistike. Me pas në rrëfimin e saj, zhegu i vapës ia lëshon vendin freskisë së kopshtijeve të gjelbra dhe të gjera tiranase, kopshtije deng me pemë dhe fruta:
“Veç rrugicave, Tirana ishte plot me kopshtije, dhe pallatet qenë shumë të rralla. Shtëpitë e vogla tiranase rrethoheshin nga oborre gjigante, shpesh plot fruta, sidomos hurma, fiq, kumbulla e rrush. Më vonë u bë modë të kishe agrume në oborr, por kujtesa ime bën hurmën mbret të frutave në Tiranën e largët.”
Kujtesa e fëmijës ngadalë nis dhe del prej kopshtijeve të pasura për t’u endur në atë që përbën shtratin jetësor ku eksperimentohen përvojat fëmijërore qytetase. Rrugicat me kalldrëm ose jo, që popullohen me gjithçfarë lojërash, fushat sportive në oborret e shkollave, kundrimi i pemëve dhe kafshëve shtëpiake renditen njëra pas tjetrës për të mbërritur në përmbyllje të një rituali ciklik përpara portave monumentale të larmishme stilistikisht, pas të cilave fshihen banesat dhe kopshtijet e bashkëqytetarëve të saj.
“Unë jetoja në një lagje të vjetër të Tiranës, me shumë rrugica, porta të mëdha e në prishje, si përmendore vdekjesh fisnike por të harruara. Portat nuk hapeshin komplet, por u hapej veç një deriçkë e pjesshme brenda, që funksiononte si portë aktuale. Secila kishte zhurmën dhe marifetin e vet të hapjes; shumë prej tyre mbanin mbi vete shule të ndryshkura mbushur me rrjeta merimangash nga mospërdorimi, brava e doreza gjigante që rrinin të harruara, se nuk kishin më asnjë funksion.”
Përfytyrimi që arrijmë të marrim mbi Tiranën arkaike dhe oborret e saj, depërtondrejt nesh nëpërmjet kanatit të vogël të portës tiranase, mbetur ashtu hapur. Magjepsja pas këtij imazhi, sado të pjesshëm, lë jashtë fokusit shumëçka misterioze që mbetet pas mureve dhe portës së ngecur.
Pothuajse të njëjtin imazh ruan për Tiranën dhe zonja Linda Rama. Kopshtijet e gjelbra ngushtohen disi për t’u rifreskuar në kujtesën e zonjës si oborre me gjelbërim që gumëzhijnë nga popullimi, agora të qytetit në miniaturë. Fjalën e saj në një aktivitet elektoral ku e ka ftuar bashkëshorti i saj, atëkohë lideri i opozitës, ajo e fillon kështu:
“Kur Edi më pyeti a ke dëshirë të vish në një takim ku do mblidhen tironcit, më shkoi mendja në oborrin e shtëpisë së fëmijërisë sime me avlli qerpiçi, ku bisedohej nën aromën e trëndafilave e të karafilave, selfijonit e hidershasë, mes ngjyrave të luleve të borës e mëllagave, poshtë kumbllave, kajsive e hurmave. Gratë e shtëpisë vinin rrotull miqve duke i qerasur me ujë brisk të ftohtë nga pusi në hajat, shurup trëndafili e reçel të mrekullueshëm përgatitur nga petalet e luleve dhe frutat e pemëve të oborrit. Ende sot ai oborr është me mua dhe gjyshi e gjyshja ime apo “nona” siç i thërrisnim, janë aty, megjithëse me vite larguar nga jeta. Kujtimi i tyre është këshilla më e mirë për mua.”
Bie menjëherë në sy spërkatja e lehtë me dialekt e standardit, që fillon me emra lokalë lulesh dhe kulmon me termin “nona”, si një mënyrë autentike identifikimi krahinor. I gjithë përshkrimi është një pikturë e gjallë e cila maksimalisht përmbledh një dekoracion të harlisur floreal rreth tiranasve që kuvendojnë, por ku imazhe qendrore mbesin gratë, të cilat frutat dhe lulet që i kanë shndërruar në të mira gastronomike, i servirin sakaq për miqtë kuvendues. Avllia e qerpiçit, pusi në hajat dhe oborri me aromë lulesh është trualli ku rrotullohet ky mikrokozmos identitar domosdoshmërisht transhendues i kujtimit të të parëve, vend i mistereve, haresë dhe zhgënjimeve.

Transformimi

Situata është gati parajsore deri kur këtyre hapësirave u vjen ngadalë ngushtimi asfiksues. Dërhemi sheh që manat, rrushi, qershitë dhe agrumet u prenë për të mbjellë më pas beton dhe asfalt. Ndryshimi i pashmangshëm urban zëvendëson pandalshëm jo vetëm peizazhin tradicional, por dhe mënyrën e jetesës së banorëve të këtyre lagjeve; e vjetra nostalgjike por e kërrusur sakaq, nis e shkërmoqet përpara forcës joshëse dhe determinuese të së resë:
“Me ndërtimin e pallateve, hapësirat e gjelbtra nisën të treteshin; gardhet u zëvendësuan me mure, gjithë rrugicat tona u asfaltuan mes entuziazmit të banorëve e sidomos neve kalamajve; u asfaltuan edhe ato me kalldrëme të bukura, disa prej të cilave jetuan derisa unë mbarova universitetin.”

Dhe më tej:
“…nuk shkonim më të hanim mana të kuq tek oborri i Merit se manin e prenë; as tek ai i Hajries, mana të bardhë, se ishin shumë çuna e do bëheshin ndërtime brenda oborrit; Caracat e kopshtijet përgjatë rrugës Bardhyl në pak vjet u zëvendësuan nga pallate vërtet të shëmtuar, pa pemë a gjelbërim;Shabazja sybajame në fund të rrugës sime, e mbylli dyqankën e vet të kërrusur nga qelpiçi i vjetër e tjegullat e thyera, se do të bëhej pallat, duke na lënë pa ashuret e ngrohta me arra të shtypura e kanellë, që ia bënte e ëma të freskëta në shtëpinë ngjitur disa herë në ditë; me të ikën tullumbat, trigonat dhe salepi i nxehtë që e bënte më rrallë; Shabani babaxhan që i kishte veshët dhe hundën me lesh të gjatë, që herët e mbylli bulmetoren rrangallë ngritur në cep të oborrit të vet, dhe në bulmetoren e re poshtë pallatit të ri, punoi ca kohë bashkë me të bijën bukuroshe e pastërtore…”

Po ashtu, dhe zonjës Rama Tirana i rezulton e transformuar, siç thotë ajo me fjalët e saj “për mirë e për keq”, por pa sjellë detaje në këtë transformim dual; formati i përzgjedhur për të komunikuar nuk ia mundëson që të rendisë faktorët e këtij transformimi dhe pasojat e tij. Konstatimi i saj i afrohet më tepër një qëndrimi moral ndaj këtyre transformimeve dramatike me të cilën u përballën autoktonët e Tiranës:
“Tironcit e panë jo si fillesën e një skenari lufte po si bulevardin e një paqeje të qëndrueshme detyrimin për të bashkëjetuar me të tjerët kur Tirana nuk ishte më vetëm e tyrja, po kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti i gjithë shqiptarëve.”
Lufta dhe paqja vendosen pranë e pranë pa na lënë të mësojmë qartësisht prologun e kësaj ngjarjeje epike që përvesh dy palë qytetarësh. Më poshtë, si për të rikonfirmuar epërsinë morale të tiranasve përpara këtyre ndryshimeve shpesh të dhunshme, ajo pohon:
“Tiranasit si tërësi autoktone nuk u deformuan në qytetarinë e tyre, as kur deformimet dhunuan hapësirën dhe bashkëjetesën qytetare.”
Tiranasit nuk tjetërsohen në qenësinë e qytetarisë së tyre autentike, edhe pse gjithçka rreth tyre imponon të kundërtën. Imuniteti identitar që disponojnë i ruan sakaq ndaj transformimit të gjithanshëm ku nuk janë ftuar për të marrë pjesë.

Të qenit tiranas

Po cilat janë vetitë e tiranasit, çfarë e bën tiranasin të jetë i tillë sa dhe dhuna dhe paligjshmëria të mos arrijë t’i deformojë, pra t’u ndryshojë thelbin e tyre identitar? Këtu furnizohemi me një sasi të konsiderueshme karakteristikash që na ndihmojnë të formësojmë figurën e tiranasit. Disa janë të hershme dhe forcojnë stereotipet rreth kësaj teme, ndërsa disa modifikohen për të ridimensionuar elementë të rëndësishëm të këtij identiteti.
Për Linda Ramën tiranasit si një shenjë të fortë identitare kanë luajalitetin ndaj ligjit:
“Tirancit janë respektuesit më fanatikë të ligjit dhe të shtetit.”
Por këtë veti fisnike shumëkush e ka keqkuptuar duke e marrë për frikë e për dobësi, saqë kjo gjendje e krijuar nga paligjshmëria dhe nëpërkëmbja e ligjit, e kundërta e qasjes së tyre tolerante, i paska zhgënjyer përballë abuzimit dhe rropatjes. Më pas për Ramën një vlerë e dorës së parë për tiranasit është njerzilliku, vlerë e kultivuar si rrjedhojë e bashkëjetesës me të ardhurit, vlera më e paprekshme e njeriut dhe tek njeriu. Tipar tjetërkarakteristik i tiranasve renditet talenti në punë dhe zanate, shpesh të trashëguara prej më të vjetërve, karakteristikë që i bën të përkushtuar ndaj aktivitetit të përditshëm ekonomik, edukativ dhe kulturor:
“Me dhjetëra familje tiranase kanë qenë të njohura për talentin e punën artizanale e zejtare në mjaft raste të trashëguar brez pas brezi.”
Ndërsa Dërhemi nëpërmjet personazheve të saj na sjell një sërë karakteresh të cilat për efekt stilistikor i cek kalimthi, mjaftueshëm për të përftuar një tipologji identitare të përgjithshme. Ajo na e përcjell të larmishëm panteonin e të vjetërve që popullojnë memorien e saj, dhe ku dukshëm mbizotërojnë plakat e urta të lagjes, të cilat pastaj shuhen një e nga një për të marrë me vete misteret e jetës:
“…“kanat” plaka rreth oxhaqeve të rrugicave tiranase përreth që më duket sikur jetonin prej shekujsh, vdiqën njëra pas tjetrës: vdiq plaka afër shtëpisë sime që i thoshim të gjithë Teta, vdiq plaka e Shundit që, me brisk rroje, u hiqte perden e syve fëmijëve që rrinin në këmbë; vdiq Dija, plaka e çuditshme që jetonte me 24 mace dhe të birin, Allamanin e shkretë gjysmë të lënë; vdiqën nusja e Seferit, nusja e Dullës, nusja e Lamit, nusja e Kadriut dhe nusja e xhajë Molit (interesant që nuk ua di emrat grave, ngaqë u thërrisnin sipas burrave); vdiq në fund edhe nona ime e mirë dhe zëbutë, e pas saj edhe Fahrija mistrece, këmbëshpejtë dhe e zgjuar që e qau burrin e vet pasi kish vdekur, çdo ditë, për njëzet e shtatë vjet rresht; edhe Kristanthi, grekja sykaltër e nikoqire që s’e mësoi kurrë mirë shqipen, por që i marroste gratë e mëhallës (mysafire të rregullta pasdrekesh në oborrin e saj) me glikotë e veta të mrekullueshme dhe kafet turke perfekte; Hallë Midja që na mblidhte në rreth dhe na tregonte përrallën thriller të Mides së Karakollit, ishte një mesele më vete që duhet ta tregoj një herë tjetër.
Megjithëse i përbashkon qëndrimi rreth oxhaqeve, secila nga kanat ndan një karakteristikë të sajën në sytë e rrëfimtares. Buqeta është e larmishme dhe përmbledh cilësi dhe huqe si: e çuditshme, e mirë, zëbutë, mistrece, këmbëshpejtë, e zgjuar, nikoqire, marrosëse, tregimtare, etj., një mozaik i shpejtë për t’i dhënë hakun secilit personazh. Në gjithë këta rreshta lexojmë dukshëm thelbin e të qenit tiranas dhe ky mund të përmblidhet tek babaxhanllëku, të qenit të urtë e të butë dhe njëkohësisht të ndrojtur e të kujdesshëm, thënë ndryshe, qytetarë.

Moma

Tek Dërhemi, siç e pamë pak më lart, kujtesa e saj risjell plakat e lagjes, veçantitë dhe aktivitetin e tyre rutinor si ilustrim i pastër i botës tiranase, të paktën të lagjeve të saj tradicionale. Gratë aty janë të kudondodhura dhe i japin tonin gjithë gjallërisë së jetës komunitare. Megjithëse në esenë e saj përmendet dhe figura atërore dhe ndonjë personazh mashkull, që në nisje teksti i dedikohet hallës, përkushtimit të saj jo vetëm material ndaj mbesës së vogël, ndërkohë që gjyshja e saj i rrëfen diçka interesante nga e kaluara e Tiranës, i tregon për çezmat publike dhe ndërtuesit e tyre, një hyrje paraprake në temat e historisë.
“Nona ime kur e pyes, më thotë se çezmat i kanë ndërtuar italianët”
Edhe tek fjala e zonjës Rama mbisundojnë figurat femërore si përçuese të urtisë tiranase, mishëruar te figura e nonës së saj. Çifti i gjyshërve, por sidomos “nona” janë frymëzim dhe përcaktues të shumçkaje në ndërtimin e saj shpirtëror; “ Kujtimi i tyre është këshilla më e mirë për mua.”. Ja një nga porositë e saj për brezin e ri që gjen amplifikim në audiencën elektorale;
“Gjyshja ime thonte “Masi t’i nigjosh fjalën tjetrit vreji punën t’keqen nona.”
Edhe një porosi tjetër jete, e cila i atribuohet të parëve. Mbase dhe këtë e ka rrefyer një zë femëror:
“Tironsit e vjetër thoshin: ‘Para shpis blehet komshiu.’”
Pas përmendjes së luftës dhe të konflikteve në adaptimin e “jabanxhijve” dhe tiranasve, me bilanc negativ për këta të fundit, nuk dihet sa qëndron për kohën këshilla plot kuptim e të vjetërve. Siç e shohim, në të dy rastet “nonat”, përveç si burim frymëzimi moral, shërbejnë si arketip i urtësisë popullore ose i dijes praktike historike, dije që kalon brez pas brezi, si ndihmesë në përshtatjet e nevojshme të brezit tjetër.
Por rrëfimin që përmbledh më me zë identitetin e një “none” tiranase na e sjell zonja Ledi Shamku – Shkreli. Në eksperiencën e saj të jetës prezantohet stereotipi i identitetit tiranas, identitet i cili në thelb ka përkujdesin dhe shpërfilljen si dualizëm i ekspozuar në atmosferën e pasigurisë. Kontradikta e përfytyrimit mistik, shartuar horizontalisht me frikën, qëndron pezull në ajër, për t’u zbuluar në të ardhmen detyrimisht në njërin kah.
“Kam pas fat të rritesha duke e drashtë edhe e dashtë Zotin, paçka se fëminija ime i takon periudhës ateiste që pllakosi mbi këtë vendin tonë. Më kujtohet një detaj: Dimër, pak a shumë kjo periudhë si sot, po këtu e 32 vjet më parë. Isha në fillore dhe po lexoja me zë mësimin e diturisë së natyrës. Ime gjyshe, Safet Tafaj (Bermema pas martese), po hekuroste ngjitas meje. Dhe unë lexoja kështu: “pavarësisht besëtytnive të kota, sot është plotësisht e vërtetuar se njeriu rrjedh nga majmuni”. Ime gjyshe më ndërpreu dhe me të folmen e vet të butë tiranase më pyeti: “Prej ka thokan kto se vika robi?!”. “Nga majmuni…”, iu gjegja unë. “Ti ashtu thuje se ta do shkolla, po shtije n’mend amo se robin e ka jeretis (kriju d.m.th.) Zoti, moj goca ime!” – dhe vijoi me hekurosë e me mërmëritë me vete ime gjyshe. Ajo qe bijë Tafajsh, nga familje në zë tiranase, dhe kish besimin e vet musliman, të qetë e të butë e shumë tolerant siç e kanë tiranasit. Shoqen e vet të ngushtë, Vasilika Zhupën, me të cilën ishte si motër, e kish të besimit të krishterë. Më edukoi me besimin e fortë në Zot, por pa ma ngushtuar zgjedhjen time. Më kujtohet biseda me të, në telefon më 5 nëntor 1992, një natë para se të pagëzohesha në besimin katolik. I thashë: “Mome, unë nesër pagëzohem”, dhe nga ana tjetër e telefonit dëgjova: “U sa po më gzon! Unë pata frykë mos më ngelshe pa besë e fe. Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta ndigjosh!” Kjo është me pak fjalë fryma e besimit në shtëpinë time të gocnisë, siç i thonë tiranasit. E qetë, e butë, gjithëpërfshirëse dhe me Zotin gjithnjë në zenitin e vet.”
Ekumenizmi i shfaqur thjeshtësisht, “qetë” e “butë”, nga një figurë femërore, përligj natyrshëm ndryshimet identitare me sfond religjoz, pas asfiksisë së detyrueshme. Entuziazmi i sinqertë dhe noterizues ndaj tjetrës, në etapën e radhës të këtij transformimi intim dhe delikat që prek besimin, është epilogu përmbyllës i portretit identitar tiranas.

Ku janë burrat?
Burrat zënë vend të parëndësishëm në narrativat e lartpërmendura. Tek Dërhemi vërejmë të reduktuara dy personazhe groteske: një polic nevrastenik që u turret fëmijëve, i përçartur në piskun e vapës, dhe Shabani, bylmetshitësi me qime të gjata në veshë dhe në hundë. Në fjalën e Ramës tiranasit janë anonimë, paçka se janë me kontribute të admirueshme profesionale në jetën social-kulturore të kryeqytetit. Mjekësia, arsimi dhe ndërtimtaria janë fushat profesionale që i kujtohen më së miri zonjës Rama, fusha ku tiranasit përmenden me nostalgji nga brezat më të hershëm. Gjithsesi ajo nuk përmend emra konkretë të këtyre kontribuuesve të së mirës publike që u ndërtua brez pas brezi dhe që kërcënohet të zhbëhet; ata janë, në këtë rast, thjesht dhe vetëm tiranas. Ndërsa tek Shamku-Shkreli, megjithëse rrëfimi i saj është i kufizuar në një rrethanë spirituale, asnjë mashkull nuk ka kontribut qoftë dhe negativ në këtë histori. Gjithçka në këtë përvojë është femërore, ndërhyrja mashkullore mbase do të devijonte ndërkaq përmasën fetare të fituar nga ngrohtësia dhe solidariteti femëror.

Megjithatë pyetja mbetet: Burrat përse mungojnë, përse janë kaq të parëndësishëm për t’u ndërthurur në rrëfimtaritë e zonjave në fjalë? Përgjigjen më të mirë mbase na e jep vetë Dërhemi e cila me elegancë, duke sjellë në vëmendje një lojë fëminore me kallëza bari , lojë që përmes misterit përcaktonte fatin e baballarëve, vëren se një pjesë e banorëve të lagjes së saj kishin populluar dendur burgjet komuniste.
“Më vonë m’u qartësua që pas vitit 1945, thuajse të gjitha familjet e lagjes sime (kur s’kishin nisur ende pallatet—mbaj mend pallatin e parë katërkatësh që u ndërtua në lagje) kishin apo kishin pasur pjesëtarë të ndryshëm meshkuj nëpër burgje; disa, madje, edhe të pushkatuar. Ajo loja e burgut dhe kallëzës së barit, qartësisht duhet të origjinonte nga fëmijët e një a më shumë brezave para timit, që të ish përcjellë më pas tek ne si lojë argëtuese krejt e desemantizuar. Ndoshta kish ardhur nga kalamajtë e brezit të tim eti që pas Lufte ishin mes gjashtë e dhjetë vjeç. Një pjesë e mirë e tyre prej lagjes sime vërtet “e kish pasur babin në burg”.

Ky persekutim masiv prekte, sipas Dërhemit, banorët e lagjes së saj, tiranas autoktonë pronarë tokash, por dhe familje të pasura të ardhurish tradicionalë, që përkatësia në këtë fashë shoqërore u kish determinuar pozicionin e tyre të ri social. Gjendja duket dramatike për aq sa autorja lojën me kallëzën, që del ose jo nga pëllëmbat e dorës, me varacionet e përgjigjjeve të lojës ndaj fëmijëve, e supozon si një lloj terapie popullore, efikase për të vegjëlit, në mungesë të përkujdesjes më profesionale ndaj fenomenit traumatik.
Kështu tiranasit me përvojat e pakëndshme në supe ose që thjesht bashkëndajnë fatin shoqëror me të afërmit e tyre në burgje, mbesin të pagojë; asgjë nuk del nga gojët e tyre që të mbesë për t’u shënuar. Sipas Dërhemit këta burra ishin izoluar për të zënë një vend periferik dhe me ankth në jetën komunitare:
“…burra të respektuar me syze që rrinin brenda e shkruanin, si dhe pasunarëpronarë vilash të bukura, që tashmë jetonin në po atë lagje në një qoshkë të ish-vilave të veta.”

Fund

Në këto narrativa, tjetri që popullon habitatin urban mungon në raportin e tij me vendasit, edhe pse, pa më të voglin dyshim, ai është faktori determinues i ndryshimeve dramatike materiale dhe kulturore dhe, rrjedhimisht, i ngurtësimit të tipareve identitare të tiranasit. Edhe pse nuk portretizohet, ai është aty, hijerëndë në çdo etapë të rrëfimeve të mësipërme. Përshkrimi i identitetit amorf të tiranasve është njëherazi dëshmi dhe konfirmim i një procesi kompleks, i cili përshtat tiparet e përgjithshme identitare përgjatë historisë, në mjedisin që transformohet pandalshëm. Eseja e Dërhemit përmbledh një fotografim metaforik të së kaluarës që lëviz, si dhe një interpretim që nënkupton pozicionin inferior të bashkëqytetarëve të saj përgjatë ndryshimit. Në fjalën elektorale të Ramës, tiranasit janë qartësisht “aktorë pasivë” të vetë fatit të tyre. Përgjithësisht, në fjalën e saj, është fenomeni i dhunës që determinon sjelljen e tiranasve ndaj asaj që i rrethon. Dërhemi e përmend në përfundim efektin e dhunës, kur përshkruan kapitullimin e komponentit burrëror të bashkëqytetarëve të saj, viktima të revolucionit, por konfirmimin e drejtpërdrejtë e shohim tek rrëfimi i Shamku-Shkrelit, ku prania e dhunës elektrizon reagimin e ndërgjegjes së individit në një marrëdhënie jokomode me autoritetin. Pavarësisht eksperiencave, kujtimeve dhe diferencave ligjërimore të autoreve të përzgjedhura, i ngjashëm mbetet adoptimi i përfytyrimit që formësohet nga autoriteti. Dhuna si teknikë e kontrollit apo, në këtë rast, e transformimit dhe e disiplinimit social, e përbrendësuar si sfond i këtyre narrativeve, dëshmon suksesin afatgjatë të përdorimit të këtij instrumenti nga pushteti. Në ndihmë, simbolikisht, na vjen edhe narrativa e ish-diktatorit, që në memuaristikën e tij, si prototipa identitarë të tiranasve kishte përzgjedhur kryesisht figura femërore si Mine Peza dhe Ije Farka, apo “nënën” e mistershme tiranase, së cilës nuk ia mësoi dot emrin, kur i dhuroi një kokërr mollë gjatë aktivitet ilegal . Prandaj në këtë lloj ligjërimi, si në një fill përbashkues gati të pavetëdijshëm, është gruaja e kudogjendur, e gatshme të ripërsëritet në kujtesën kolektive me shembuj të drejtpërdrejtë, me këshilla gjithfarë, apo qoftë edhe si personazh emblematik urban. Gratë dëshmohen më të pandikuara drejtpërdrejt nga përmasa e dhunës në shoqëri dhe adaptohen më mirë në mjedisin që transformohet nën efektin e saj. Tiparet që mishëron tiranasi, të përmbledhura në tekstet e mësipërme, janë edhe një lloj justifikimi ndaj pasivitetit dhe pamundësisë së tyre në klimën që rezervon dhuna, dhe nënvizimi i karaktereve dhe vetive femërore është po ashtu një lloj ngushëllimi dinjitoz në këtë histori dramatike.


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit