9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

The Economist: Sa larg mund të shkojnë Bankat Qendrore në botë, në rritjen e normave të interesit?

Më të lexuarat

Mund të jetë e nevojshme që normat e interesit të rriten ndjeshëm për të luftuar inflacionin. Por epoka e normave të ulëta nuk ka gjasa të marrë fund përgjithmonë, shkruan The Economist.

Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, dikur e krahasoi përcaktimin e normave të interesit me lundrimin qiellor. Sot, me rritjen e inflacionit, janë rritur edhe shqetësimet se Rezerva Federale ndodhet në një udhëkryq.

Duket sikur ajo do të bëjë një ndryshim të menjëhershëm duke shtrënguar fort dhe shpejt politikën monetare. Kjo perspektivë ka goditur tregjet e aksioneve dhe ka bërë që shumë firma dhe pronarë të shtëpive të mendojnë se epokës së normave të ulëta të interesit mund t’i ketë ardhur fundi njëherë e përgjithmonë.

Realiteti është më i ndërlikuar. Në një periudhë afatshkurtër, është e vërtetë se Rezerva Federale duhet të tregohet më e qëndrueshme. Por, në një plan afatgjatë, popullsia në plakje e botës, do të vendosë një kufi mbi normat e interesit. Kjo sinjalizon një shtrëngim të pakëndshëm financiar, dhe jo një rikthim të lulëzimit të viteve 1970.

Rritja e normave të interesit është e frikshme, sepse pjesa më e madhe e botës është mësuar me epokën e marrjes së parave pothuajse pa pagesë. Asnjë bankë qendrore e vendeve të G7-ës nuk ka vendosur norma interesi mbi nivelin 2.5%, në më shumë se një dekadë.

Në vitin 1990, të gjitha normat ishin mbi 5%. Ky financim i lirë ka filluar të duket si një tipar i pandashëm i ekonomive të pasura. Por ai ka shkaktuar deficite të jashtëzakonshme për qeveritë, ka rritur çmimet e aseteve në nivele astronomike dhe i ka detyruar politikëbërësit të kërkojnë mjete të tjera, si blerja e bonove dhe çeqet stimuluese, për të mbështetur ekonominë gjatë periudhave të ngadalësimit.

Kjo është arsyeja pse rritja e çmimeve gjatë 18 muajve të fundit, ka qenë një surprizë shumë e pakëndshme për Rezervën Federale dhe bankat e tjera qendrore. Në Amerikë, inflacioni i çmimeve të konsumit ka arritur në nivelin 7% dhe ky nuk është kalimtar, por po ndikon në nivelin e pagave, pasi familjet dhe firmat në përgjithësi, tashmë kanë pritshmëri se faturat do të rriten.

Pagat e sektorit privat në Amerikë janë rritur me 5% në bazë vjetore. Në dhjetor, një konsumator mesatar amerikan priste që çmimet të rriteshin me 6% gjatë 12 muajve. Shumë tendenca të tilla duket se po ndihen në mbarë botën: inflacioni global tani ka arritur në nivelin 6%.

Si rezultat, bankat qendrore janë vënë në lëvizje. Dymbëdhjetë organizma të përcaktimit të normave të tregjeve në zhvillim, i ngritën normat e interesit në vitin 2021. Banka e Anglisë i ngriti gjithashtu. Ajo e bëri këtë përsëri më 3 shkurt, dhe ka të ngjarë t’i rrisë ato edhe më tepër.

Investitorët parashikojnë që edhe Banka Qendrore Europiane, e njohur për qëndrimin e saj të patundur, pasi nuk i ka rritur normat e interesit për më shumë se një dekadë, t’i rrisë ato dy herë këtë vit. Megjithatë, e gjithë vëmendja është tek Amerika dhe zoti Powell.

Kjo pjesërisht për shkak se ata luajnë një rol kyç në sistemin financiar të botës, por edhe sepse inflacioni amerikan është në nivele të larta dhe Rezerva Federale është treguar e vonuar në frenimin e tij. Prej muajsh, ajo ka stimuluar një ekonomi tashmë të “mbinxehur” duke blerë bono dhe duke mbajtur normat e interesit në nivelin e ulët prej 0-0.25%.

Rezerva Federale thotë se planifikon t’i kthejë normat e interesit në rreth 2% deri në vitin 2024, jo larg nga shumica e vlerësimeve të nivelit neutral, i cili në teori, as nuk e stimulon ekonominë, dhe as nuk e ngadalëson atë. Por ndërsa Rezerva Federale është zvarritur në marrjen e një vendimi konkret, është rritur edhe rreziku që ajo mund të jetë e detyruar të shkojë më larg se kaq.

Pritshmëritë më të larta për inflacionin e bëjnë më të vështirë çrrënjosjen e impulsit për të rritur çmimet. Për çdo normë nominale, ato ulin gjithashtu normën reale të interesit që paguajnë huamarrësit, duke kompensuar efektin shtrëngues të Rezervës Federale. Kostoja reale e huamarrjes gjatë pesë viteve, është ende më e ulët tani se sa ishte në mesin e vitit 2020.

Prandaj, perspektiva më e mundshme është që në një vit ose më shumë, normat e interesit në Amerikë të rriten përtej nivelit që ka përcaktuar deri tani Rezerva Federale. Disa parashikues presin që ajo t’i rrisë normat me 1.75 pikë përqindje në vitin 2022, më shumë se në çdo vit që nga viti 2005.

Po në një periudhë më afatgjatë? Në fund të fundit, shumica e pronarëve të shtëpive dhe firmave, kërkojnë të marrin hua për një periudhë me afat disa vjeçar ose disa dekadash. Për të marrë një përgjigje për këtë pyetje, ju duhet të shikoni përtej zotit Powell, tek forcat që e drejtojnë ekonominë.

Politika monetare është e ankoruar rreth normës neutrale të interesit, pra çmimit të parasë që nevojitet për të baraspeshuar dëshirën globale për të kursyer, me dëshirën për të investuar. Ky është një variabël themelor mbi të cilin bankierët qendrorë kanë pak kontroll.

Gjatë 20 viteve të fundit, kjo normë bazë neutrale ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, pasi kursimet dhe investimet kanë dalë jashtë kontrollit. Rritja e kursimeve globale, e shkaktuar fillimisht nga grumbullimi i rezervave në ekonomitë aziatike, nënkuptonte se çdo kthim investimi do të gjeneronte shuma të mëdha parash, sado të vogla apo të rrezikshme ishin investimet. Ndërkohë, kompanitë e goditura pas krizës financiare globale të viteve 2007-‘09, ngurruan të investonin.

Çfarë ka ndodhur?

Pyetja është nëse këto forca janë zhvendosur. Nga njëra anë, ato ndoshta janë zhvendosur paksa. Investimi i biznesit mund të jetë duke hyrë në një fazë të re. Pas pandemisë, ai është rimëkëmbur më shpejt sesa pas krizës financiare. Kjo është pjesërisht falë stimulit ekonomik gjatë pandemisë, i cili tani po tërhiqet.

Por gjithashtu reflekton optimizmin për përparimin teknologjik që po nxit shpenzimet për pronësinë intelektuale. Kjo fushë tani përbën më shumë se dy të pestat e investimeve të biznesit amerikan. Ndërkohë, tranzicioni i energjisë së pastër po krijon një nevojë investimi prej rreth 60% të PBB-së në vendet e pasura. Nëse ky optimizëm teknologjik zgjat dhe bota tregohet serioze në luftimin e ndryshimeve klimatike, atëherë investimet ka të ngjarë të jenë më të forta në vitet 2020 sesa në vitet 2010.

Megjithatë, nga ana tjetër, dëshira e botës për të kursyer, nuk ka gjasa të zbehet. Që kur Ben Bernanke, një nga paraardhësit e zotit Powell, vuri re për herë të parë “dëshirën globale për të kursyer”, rritja e rezervave në ekonomitë aziatike është ngadalësuar dhe disa qeveri kanë grumbulluar më shumë borxhe.

Por pjesa e banorëve të botës mbi moshën 50 vjeç, parashikohet të rritet nga 25% në 40% deri në vitin 2100 dhe mund të rritet edhe më shumë, duke pasur parasysh rënien e numrit të lindjeve në Indi dhe Kinë. Përvoja na tregon se plakja çon në më shumë kursime, sepse rritja e jetëgjatësisë bën që familjet të lënë para mënjanë për pensionin dhe pensionistët zakonisht i shpenzojnë më ngadalë paratë.

Pengesa dhe rënie?

Këta faktorë përcaktojnë një hartë për normat e interesit. Në një periudhë afatgjatë, çdo ndryshim në rritje i normave të interesit ka të ngjarë të jetë i vogël dhe kjo është e mirëpritur për sa kohë që reflekton një rritje të investimeve. Megjithatë, deri në këtë periudhë të qëndrueshme, ka të ngjarë të ketë një rritje të mprehtë dhe potencialisht të dhimbshme të normave të interesit.

Borxhet e botës kanë arritur në nivelin 355% të PBB-së, duke i bërë firmat dhe familjet më të ndjeshme ndaj rritjeve edhe më të vogla të normave të interesit. Fatkeqësisht, ka pak shembuj që tregojnë se bankat qendrore mund të arrijnë të zbusin inflacionin, pa pësuar ekonomia recesion. Herën e fundit kur inflacioni në Amerikë ra nga niveli 5% pa pësuar rënie ekonomike, ishte mbi 70 vjet më parë.

Luftimi i inflacionit mund të shkaktojë një rënie ekonomike në të gjithë botën. Prandaj, perspektiva që një ditë normat mund të bien sërish, do të ishte një ngushëllim i madh./Monitor.al/

Tendenca

Rritja e normave të interesit është e frikshme, sepse pjesa më e madhe e botës është mësuar me epokën e marrjes së parave pothuajse pa pagesë. Asnjë bankë qendrore e vendeve të G7-ës nuk ka vendosur norma interesi mbi nivelin 2.5%, në më shumë se një dekadë. Në vitin 1990, të gjitha normat ishin mbi 5%.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit