Në të folurit e përditshëm shprehja syri i thatë i dedikohet një sëmundjeje, e cila manifestohet me pakësimin e sasisë ose përbërjen e lotëve. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, syri nuk laget mjaftueshëm. Në mjekësi kjo sëmundje njihet si “Siça-Syndrom”. Loti prodhohet në gjëndrën lotuese, derdhet në mollëzën e syrit dhe me lëvizjen e rregullt të kapakëve të syrit, shpërndahet në të gjitha anët duke mbajtur kështu syrin gjithnjë të njomë.
Shkaktarët kryesorë të tharjes së syve janë të shumtë. Prodhimi i lotit në sasi të vogël, ndryshimi në përbërjen e tij dhe lëvizjet e dobësuara të kapakëve të syrit njihen si më kryesorët. Kontraceptivët dhe antidepresivët e ndryshëm, ndërrimet hormonale, sëmundjet e gjëndrës tiroide, infeksionet virale, mungesa e vitaminës A, reumatizma dhe diabeti mund të shpijnë po ashtu në tharjen e syrit. Më të prekur nga kjo sëmundje janë të moshuarit dhe femrat.
Simptomat tipike të tharjes së syrit janë të djegurit dhe e kruara e syve, dhembja dhe ndjenja e pluhurit në sy si dhe ndjeshmëria e rritur ndaj dritës.
Nëse nuk mjekohet në kohë, atëherë mund të çojë edhe deri te çrregullimet afatgjata të korneas, duke pasur si pasojë dobësimin e shikimit.
Në vijim mjekët japin disa këshilla për personat që tashmë vuajnë nga kjo sëmundje:
- merrni rregullisht pika për sy
- kini parasysh lagështinë e ajrit në vendin e punës ose në dhomë
- bëni shëtitje në ajër të pastër
- largohuni nga pirja e duhanit dhe rrymimi i ajrit e veçanërisht kini kujdes nga ventilatori në automjet
- gjatë punës me kompjuter bëni pauza të shkurtra dhe lëvizni kapakët e syve më shpesh
- kujdes duhet pasur gjatë larjes së syve, e posaçërisht në vënien e makijazhit