1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Thaçi për mediumin gjerman “Der Spiegel”: Me serbët na ndan një lum me gjak

Më të lexuarat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë të dhënë për magazinën javore gjermane “Der Spiegel”, ka folur për Samitin e Berlinit, dhe për nevojën e një konsensusi ndërmjet shteteve të QUINT-it si dhe për idenë e tij të bashkëngjitjes së Preshevës me Kosovën.

Kjo është intervista e plotë e Thaçit për “Der Spiegel”:

Der SPIEGEL: Z. President kishte shpresa të mëdha në Samitin e Ballkanit Perëndimor, por rezultati nuk është edhe aq i kënaqshëm, nuk pati asgjë më shumë se një deklarim të paqartë që të rifillojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës. A jeni i zhgënjyer?

Hashim Thaçi: Nuk kam pasur pritshmëri të mëdha për këtë Samit, por e vlerësoj lartë nismën dhe përkushtimin personal të kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe shpresoj që ne do të arrijmë rezultatet e para të prekshme në Samitin e ardhshëm.

Der SPIEGEL: Me qëllim të vendosjes së një paqeje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë, u diskutua kohët e fundit edhe një shkëmbim territorial: pjesa veriore me shumicë serbe t’i takojë Beogradit, dhe Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, e banuar nga shqiptarët. Çfarë mendoni ju për këtë?

Hashim Thaçi: Ka pasur shumë keqkuptime. Ne nuk do të pranojmë ndonjë shkëmbim territorial. Unë nuk lejoj ndonjë tregti të tillë. Ne gjithashtu nuk duam që në Kosovë të ketë një Republika Srpska të dytë, dmth. si në Bosnjë, një pjesë të kontrolluar nga Serbia. Kjo mund të ndodhë nëse ne në një farë mënyre i japim veriut një status të veçantë. Kosova është shtet multietnik. Prandaj, nuk do të ketë demarkacione sipas kritereve etnike.

Der SPIEGEL: I ashtuquajturi shkëmbim i tokave nuk qëndron për ju më. Çfarë doni atëherë?

Hashim Thaçi: Kjo kurrë nuk ka qenë ide e imja, por ashtu disi u krijua. Sidoqoftë, unë do të doja që zonat e banuara me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapura, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër. Atje shqiptarët diskriminohen nga serbët.

Der SPIEGEL: A besoni me të vërtetë që Beogradi do t’ju lërë këto zona?

Hashim Thaçi: Unë po flas nga një perspektivë evropiane: nëse Serbia dhe Kosova do të bëhen anëtare të BE-së, atëherë një bashkim i tillë do të ishte e mundur. Serbia duhet ta njohë Kosovën më në fund. Dhe unë kërkoj nga Serbia që ta pranojë gjenocidin e bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Der SPIEGEL: Çfarë koncesionesh është Prishtina e gatshme t’i bëj Serbisë, në veri p.sh.?

Hashim Thaçi: Zero! Pse duhet ta bëjmë këtë? Serbët në veri janë qytetarë të Kosovës me të gjitha të drejtat.

Der SPIEGEL: Përfaqësuesja e BE-së për punë të jashtme, Federica Mogherini ishte shprehur për një shkëmbim territorial dhe nga administrata Trump mori sinjale inkurajuese.

Hashim Thaçi: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Anglia dhe Italia gjithmonë kanë qenë të pajtimit që nuk duhet të ketë ndryshime të kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor. Tani ata si duket nuk flasin më me një zë. Kjo është e keqe. Një marrëveshje e qëndrueshme ka vetëm atëherë bazë të shëndoshë nëse të gjithë edhe SHBA-të qëndrojnë prapa saj. Sepse sot, serbët dhe kosovarët i ndanë një lumë i tërë prej gjaku.

Der SPIEGEL: A mendoni se debati i ri mbi kufijtë përgjatë vendbanimeve etnike ka dëmtuar më shumë paqen midis shqiptarëve dhe serbëve?

Hashim Thaçi: Urrejtja historike është shumë e thellë. Bëmë shumë përpjekje për pajtim, kemi një komision për pajtim, kam vizituar komunat serbe. Por në muajt e fundit, shumë vende kanë mposhtur këto përpjekje, duke ngritur debatin për këmbimet territoriale.

Der SPIEGEL: Sa realiste është që Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen BE-së në të ardhmen e parashikueshme? BE-ja është lodhur nga zgjerimi, një nacionalizëm i ri po përhapet.

Hashim Thaçi: E vetmja e ardhme e mundshme për ne është Bashkimi Evropian. Dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Por në fakt, edhe ne e kemi të vështirë të besojmë në të. Qytetarët kosovarë ende kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë. Liria e lëvizjes ende nuk vlen për ne, edhe pse tashmë që dy vjet i kemi plotësuar kushtet. Ne nuk duam dhurata, por duam respekt për atë që kemi arritur. Ne jemi evropianë, por ende ekzistojnë shumë paragjykime kundër nesh.

Der SPIEGEL: Ngjashëm, jorealiste është edhe shpresa juaj se Serbia mund t’i njohë krimet e saja si gjenocid.

Hashim Thaçi: 13,000 të vdekur, 400 masakra, 20,000 përdhunime, 1,300 fëmijë të vdekur, dhe Serbia është fajtore për nisjen e këtij gjenocidi të planifikuar në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare, gjykata në Hagë, ka dështuar në rastin e Serbisë. Kjo është arsyeja pse Beogradi ende mund t’i mohojë këto krime.

Der SPIEGEL: Por jo vetëm midis dy shteteve të Serbisë dhe Kosovës është marrëdhënia e vështirë, por edhe midis qytetarëve serbë dhe atyre shqiptarë në vendin tuaj ka ende tensione të rënda.

Hashim Thaçi: Duhet të bëjmë dallime midis serbëve dhe serbëve në Kosovë. Kam punuar me ta për një kohë të gjatë dhe atë në mënyrë shumë konstruktive. Shumica e tyre duan të jetojnë në paqe të integruar në shoqërinë e Kosovës. Por disa prej tyre janë instrumentalizuar nga Beogradi. Ata janë nën presion, shumë kanë edhe frikë. Këtu BE-ja duhet të marrë një qëndrim shumë më të qartë.

Der SPIEGEL: Por serbët janë ende të rrezikuar në Kosovë. Autobusët e shkollave hedhen me gurë, kishat ortodokse duhet të ruhen nga trupat ndërkombëtare. Kur do të ndalet kjo?

Hashim Thaçi: Nuk ka incidente të këtilla. E përsëris, serbët në Kosovë janë të integruar. Ata kanë shkollat e tyre, kopshtet e tyre. Ata mund të lëvizin lirshëm. Shumë prej tyre madje më kanë votuar mua. Fqinjët e mi janë serbë, vetëm një mur na ndan. Nëse ndodh diçka, atëherë ato janë incidente të izoluara. Unë i dënoj ato.

Der SPIEGEL: Por a nuk duhet edhe pala shqiptare ta pranojë fajin në mënyrë që të fillojë procesi i pajtimit? Edhe UÇK-ja, të cilës i përkisnit, ka kryer krime.

Hashim Thaçi: UÇK-ja ishte një ushtri që luftonte për liri, nuk bënte krime. Nëse ka pasur shkelës individualë, ata duhet – dhe kjo po ndodh – të gjykohen nga gjyqësori kosovar. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që kanë bërë serbët.

Der SPIEGEL: Serbët kanë bërë pra gjenocid, UÇK-ja nuk ka kryer krime. Duket se është ende një rrugë e gjatë drejt pajtimit. Çfarë duhet të bëjë Evropa për të siguruar paqen?

Hashim Thaçi: Ne jemi viktima të faktit që Evropa nuk flet me një zë të vetëm. Unë nuk shoh ndonjë vizion serioz për Ballkanin Perëndimor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit